
KUJTIM OSHAFI
Tema: Përtej meditimit të një emigranti, në poezinë e Kujtim Oshafi-t
Kemi fjetur dhe pa ngrënë…
Për ne emigrantët që kemi shumë vite ikur,
dhe nga të dyja vendet, përherë do ngelemi
të huaj, fatkeqesisht!
Dhe çdo gjë që kishim në vendlindje,
u muar apo rrënua nga
koha e gjatë që ne nuk erdhëm!.
KUJTIM OSHAFI.
Para ca vitesh, iu drejtova poet Kujtimit, që jeton në Irlandë të bëhej pjesë e studimit tim për peozinë post/moderne në Diasporë, por mesaduket ishte mosbesues apo nguroj ndaj emrit tim, dhe nuk më ktheu përgjigje. Normalisht, duke besuar në lirinë e çdokujt nuk këmbëngula, por i kërkova një cikël poetik për lexim. Kujtimi, nuk është “poet” i majave as pretendon të jetë i tillë. Ai, është një poet ku meditimi/malli/zhgënjimi/vendlindja janë elementet që mbajnë kryqin e “mëkatit” të largimit nga atdheu. Por, janë shumë…shumë poetët e larguar. Janë shumë shumë…poetët e përmalluar, sepse atdheu kurdoherë i ka nxjerrë si “gjymtyrët të tepërta” jashtë portës së tij. Se “kur kthehesh tek shtëpia jote e vjetër, kupton se nuk kishe mall për shtëpinë e vjetër, por për fëmijërinë tënde” – ka shkruar Sam Ewing, dhe kështu poetët kthehen përherë në shtëpi, përmes kujtimeve të hedhura në vargje.
Libri, Rebelja e bukur, botuar nga“Ada”, Tiranë, 2026 është një libër i ndarë në pesë cikle: “Meditimi”, “Dashuria”, “Malli”, “Zhgënjimi”, “Vendlindja”.
Cikli “Meditimi” është cikli me shtrirjen më të gjerë në veprën, ku spikat figura e femrës,
përmes vargjeve: e lashë penën, e lashë penën/ S’mundem dot të shkruaj një fjalë./ Bukuri që godet zemrën,/ Pa kuptuar, të hap plagë (2026: 21) nga poezia: “Bukuri që godet zemrën”, përmes persiatjes, ku mungesa e dashurisë sjell një pështëllim dhe dëshpërim shpirtëror:
përmes mungesës dhe mallit,
kohës dhe hapsirës,
përmes adhurimit fizik dhe ndiesisë së mungesës,
përmes pranisë dhe mospranisë, ku ndiesia e mungesës së femrës/vajzës që dashuron,
bëhet burim frymëzim dhe si siluetë e largët e paarritshme dhe e pamatshme në ligjërimin poetiko-lirik dashuror.
Cikli “Dashuria”,magjia e dashurisë që çdo poet dhe shkrimtar në botë nuk i shpëton.
Ndoshta vetë titullin lidhet dhe me atë rebelen të cilës i shkruan poeti. Jo gjithmonë dashuria lidhet me erotikën, por as erotika nuk lidhet me dashurinë. Por dashuria dhe erotika ecin pranë e pranë, sepse trupi/shpirti janë masa që mbushin vëllimin e enës së dashurisë.
Por dashuria është:
herë mungesë/ prani,
herë metaforë/krahasim,
herë ndiesi mashkullore/ teka femërore, përmes vargjeve: do digjesha si letër, prapë
të tuat buzë,/Me atë vështrim, do ndizja zjarr nëmale./Fole sa doja të bëja, në atë tënden gushë/E fort të thërrisja, ‘dashuroj një sorkadhe’(2026: 114).
Cikli “Malli”, sendërtohen me një kumt të madh metaforik të një dashurie të
gjithëpushtetshme që lidh nënën dhe mungesën e saj me djalin që ka larg në mërgim përmes vargjeve: e gjeta unë nënën kërrusur tek dera,/Nuk dinte se shkoja, u afrova, e putha në ballë./ U ngrit duke u mbajtur, jo shpejt si përhera./Dhe lot nga sytë s’lëshoi si më parë (2026: 126), ku fjala nënë [del 6 (gjashtë) herë]. Duke rilidhur dy kohët: të shkuarën dhe të ardhme, poeti përmes kujtimeve përrok imazhin e nënës. Kujtimet e fëmijërisë, varfërisë dhe arsyet e largimit, por dhe zbrazjen e fshatrave dhe qyteteve shqiptare dhe braktisja e prindërve që presin fëmijët e munguar në pragderën e kalbur nga koha dhe vetmia. Vetë malli si element mungese jepet:
përmes kujtimeve të fëmijësisë,
braktisjes së prindërve dhe ikja nga varfëria,
bota e absurdit që ka zhveshur çdo dhimbje njerëzore,
boshatisja e fshatit dhe shoqërisë shqiptare nga largimi në emigrim.
Cikli “Zhgënjimi”, ka një përmbysje. Është një temë shumë delicate, sa personale aq
univesale, që bota moderne ka kohë që e përjeton: ftohtësinë dhe marrëdhëniet delikate në çift apo brenda familjes. Zëri rebel/kryeneç i një mashkulli (jo vetëm shqiptar) që endet mes ekzistencës së botës së brendshme me dilemën shekspiriane: të jesh apo të mos jesh, ku globalizmi e ka “thyer” familjen në mijëra copa. Vargjet: sa herë kaloj andej, i them zemrës ndal/ Që të ruajë ritmin, nëse të shikoj/ Ndoshta je tek porta, atje duke dale/ E nga malli i tepër, harron të punoj (2026: 176), nga poezia “Djeg përsëri, kjo plagë…”, ku ndarjet herë janë të dhimbshme herë janë kujtime të bukura, që autori i sjell përmes lirikave të tij.
Cikli “Vendlindja” është ndoshta cikli ku shpërfaqet Uni individualist vs Unit
universialist, përmes temave tashmë të njohuar si:
vendlindja dhe emigracioni (në çdo letërsi),
marrëdhënia e poetit me poezinë angleze,
pakënaqësia ndaj detashmentit poltik dhe keqqeverisjes,
rebelimi ndaj tranzicionit të tejzgjatur,
ndjeshmëria ndaj problematikave, socio -shoqërore të Shqipërtisë,
ironia dhe sarkazma ndaj veseve të politikanë shqiptarë.
Ndoshta poezia kaq domethënëse të këtij cikli “Unë ngela emigrant”, do të vijë plotë përmes vargjeve: se ç’më vijnë ca dreqër, ku më dreq më bëjnë;/Më shpien në rrugë, dy anë bardhë e zi./
Ata me ngjyrë të zezë s’kanë për të ngrënë,/Me të bardhë të tjerët, në Parlament, vijnë./Disa ngrejnë dy gishta, disa, grushtin lart;/Edhe ca të tjerë, me duart në gjoks./I akuzon për vjedhje, thonë, ‘jam demokrat’/E disa të tjerë duken mbretër në këtë tokë./E vogël Shqipëria, prapë 100-copë e bënë:/Me pirun, gjithë trupin, ia çjerrin pa mëshirë,/Si kacek, bënë barkun, kur deri dje, pa ngrënë,/Ata me të gjithë ngjyrat, na bëhen socialistë!/Ahh, Shqipëria ime, unë prapë, ngela emigrant,/Ashtu si unë, me vite dhe mijëra të tjerë,/Dhe për 30-të vite, s’na hapën dot një derë! (2026: 183), ku kryesema/kryefjala: [emigrant del 18 (tetëmbëdhjetë) herë], që si një mbërtheckë kopsit të gjithë librin.
Sëfundmi: autori dhe pse është i dyzuar mes mallit për vendlindjes dhe emigracionit, kur mendon për “rikthimin” në atdhe, ai heziton, sepse këtu nuk ka të ardhme. Struktura e vargut është tipike klasike, përmes medimit/përshkrimit/krahasimit, duke sendërtuar vargje lirike shpirtërore aq dhe të përmallshme për emigrim e gjatë. Mungesa dhe shpresa, zhgënjimi dhe kontradiktat, mospajtimi dhe shpërfillja e realitetit, herë përplasen, herë struken brenda njëra-tjetrës, brenda vargut poetik të këtij cikli.