Dimensioni i dashurisë në kohën jetësore të njeriut, në poemën e Mimoza Leskaj-t-Nga Emi Krosi

MIMOZA LESKAJ
 
Tema: Dimensioni i dashurisë në kohën jetësore të njeriut, në poemën e Mimoza Leskaj-t
 
Nëse duhet ta përkufizoj poezinë është e kotë. Secili e shijon ose e “përkufizon” sipas ndiesisë së leximit, apo shkrimit kur është poetë/e. Nëse duhet ta përkufizojmë dashurinë, përsëri është e kotë. Secili prej nesh, ka përvojën e tij nga sjelljet dashurore, brenda vetes apo jashtë vetes. Por, dashuria nuk është “mall” që blihet, por ndiesi që lind, zhvillohet, rritet (ose “vdes” mbaron ose shndërrohet në diçka tjetër). Ajo është përvojë personale. Por, dashuria mund të poetizohet. Teksa lexoj në ditët e nxehta, përtej avullit të kafesë, “avullojnë” dhe vargjet e nxehta, të trajtuara si një rrëfim autobiografik në vargje (modeli i “Poemës së mungesës” së Rita Petros) duket se përthyhet në dy kohë:
koha e shkuar, (rinia me zjarrin dhe hovin dashuror “naiv” të besimi tek dashuria),
koha e tashme / e ardhmja, (mesmosha ku vetë dashuria shndërrohet në një
shkretëtirë sahariane), pa ndier as ankth, frikëra, pendesa për atë që ke lënë pas, sepse jeta ka plot dashuri të reja që të ofron.
 
Ndërtimi i një libri me poezi të lidhura si poemë, me temën “Ditë të nxehta”, botuar nga “Jozef” 2026, të poetes Mimoza Leskaj, në vargjet: ti je ajri që jetë dhuron/pa ty mbi tokë nuk di të jetoj
(2026 : 22). Të lexosh këtë poemë të “nxehtë” në analogji me kohën e nxehtë, duket sikur lëngu i frutave të qiellit kullon plot ekstazë dashurie mbi faqet e librit. Por, “thesari” liriko-metaforik nuk është mbuluar nga vullkani i Etnës, që akoma prej shekujsh “zien nën gjoksin e dheut
(2026 :7), si një thirrmë e madhe shpirtërore, përkundër shkretëtirës së dashurisë në analogji me kohën, ku shpirti ose “shitet” aq lirë ose ka mbetur një shkretëtirë saharaje e pluhurt dhe e  zhuritur, ku fjala [Sahara: del  40 (dyzet) herë].Vargjet: ku humbi gjithë ai vështrim i thellë,/që digjte më fort se gushti i zjarrtë?/Unë dridhesha nën qiellin e zbehtë,/ ti buzëqeshje si dritë e tretur larg (2026:12), na sendërtojnë një kumt të madh, përtej Unit Individualist të poetes ku “Unë/Uni” vs “Ti/Ty”/ “Ajo /Unë” në vargun: ajo- një jetë me kohë të vjetër/Unë- një kalimtare  që do të shkoj larg ( 2026: 46), përmes një fjalësi si: shpirt /dashuri /nxehtë/ natë/verë /yje /shkretërirë /Sahara/zjarr etj., përmes analogjisë dhe sinonimeve na sjell një paralelizëm përtej:
imazhizmit të Saharasë boshe të atdheut të Blloshmit,
– lirizmi saharian i zjarrit të shpirtit të Leskajt, përmbushin dykotominë të një gjeneze liriko -femrërore.  Poema ndërtohet, përtej asaj intimes dhe erotikes të shkrimit femëror, që nuk janë  vetëm për gratë, por përtej shqetësimeve të tyre dhe ato besojnë në zbulesat. Ato, kanë dëshirë të zjarrtë për të gjetur të vërtetën që shtrihet përtej substancës së gjërave që kanë vërtet rëndësi përtej sferave shpirtërore dhe temat e tyre të vërteta; janë vetëdija femërore.
 
Një dashuri që përimtësohet përtej intimes. Përmes vargjeve të saj, rritet një univers poetik, që edhe nën këndvështrimin dhe trysninë e një poezie, shpeshherë është aq “vizionare”, na sugjeron sesi poetia, po e vëzhgon botën në mënyrë të qëndrueshme, nëse për momentin, përtej (mimesisit/imitimit), modaliteti është i pashmangshëm, mes së dukshmes “si mendim”, se përngjasmimi është “pjesë e jetës”, na sugjeron, dukshëm në propocion me lirikën individuale më në thellësi të vetëvetes,  sepse femrat kanë shumë duar, sy, këmbë, shqisa të dukshme dhe të padukshme dhe në kalendarin e tyre, vrapojnë dhe përtej kohës, në punë dhe në familje.
 
Pranëvënia: [nxehtë/ftohtë, shkretëtirë/Sahara, errësirë/terr, Qiell/Diell, dashuri/shpirt, ditë/natë, gjallë/vdekur, larg-afër] formojnë çifte jo vetëm sinonimike por dhe antonimike, përmes vargjeve: një dorë e botë mbi trupin tim,/që flet në heshtje me gishtërinj. /Janë çaste kur kuptoj se dashuria/nuk është veç harmoni e muzikë (2026: 61), rrëfen rrugëtimin e dashurisë përmes udhëve të shpirti, ku dashuria:
–  është koncentrati i jetës /shpirtit/trupit,
–  dashuria përtej mungesës/tepricës,
–  dashuria si ekzistencë në dilemat njerëzore,
–  dashuria si dilemë hamletiane “të jesh a të mos jesh”,
–  dashuria si provë mohuese /përvojë,
– dashuria si rilindje shpirtërore (pa kohë dhe moshë),
– dashuria si përvojë thelbësore e Qenies (njerëzore kryesisht),
– dashuria si përjetim dhe kuptim thelbësor së brendëshmi,
– dashuria si dëshmi e domosdoshmërisë së vetëdijësisë shpirtërore.
Por a është përmbushëse? Fundore? Ndiesore? Plotësore? Pyetësore? Këto përgjigje janë në përmasën estetiko- ndiesore-lirike të vetë autores. Me 64 pjesë (pa tituj) në fundvargjet na kumton se: në fund, asgjë nuk mbeti si më parë,/veç rërës që më rrjedh ende në mendim;/Saharaja nuk është një vend i largët-/por një heshtje…që jeton brenda meje, pa kthim
(2016:71), nuk është Uni universialist i shkretinës shpirtërore, sepse secili prej nesh mes zjarrit  ka patur të “ftohtin” e vetmisë Ekzisteciale të Qenies të njeriut globalist, në hipër/surrealitet.
 
Përdorimi i trajtave të çerdhefjalëve që bukurojnë në tekst si:[ vapë-zheg-digjet- hi -flakë- zjarr-zjarrtë- zjarrmim- zjarrmia/flakë- flakësh- përflaken etj., por dhe përdorimi i fjalëve kyçe: [shpirt del 34 (tridhjetëekatërherë/shkretëtirë, del 9 (nëntë) herë )/zjarr, del 24 (njëzetekatër herë)].Por nuk mungojnë dhe vargje me ngarkesë metaforike: dielli përskuq horizontin e thatë;/Çdo mëngjes mbledh ëndërrat e mia/dielli brenda s’di të fiket/mes hijesh mbetem e hutuar/rëra kudo ka marrë flakë/do flemë duke thithur lëkurën/një sonet i largët më troket në shpirt/me pemë të dehura në lulëzim/tanimë pemët s’nxjerrin më mjaltë/në trupat  gri mbetet heshtja/një pluhur i rëndë errëson ditën/ndërsa njerëzia mblidhte copat/me trupa të kthyer në statuja/kohët po vrapojnë si të marra/ heshtja më ndjek si hije e ngrirë/veç rërës që më rrjesh ende në mendim.
Dallohen dhe trajtat fjalëformuese: përskuq /psherëtimë /papritur /rastësisht /perëndim/ pulëbardhë/ përfytyrim /përqafuar /gjithçka /lundërtarë /tërheq /përkëdhelje /gjysmëhënë/ përpjetë/ngadalë/kukuvajkë/përvëluar/përhumbem/gjithëandej /marrëveshje /përqafim/ malluar /përditë /shpërthen /atëhere /monotoni /rrallëherë /dalëngadalë /përpjekur /paparë/ panjohur /përditshme /përtej/gjithësi.
 
Sëfundmi: një poemë që ndeshen dy gjendje: njëra oazi i gjelbër dhe plot zjarr, dritë, ngrotësi, shpresë dhe dashuri, dhe tjetra shkretina plot pluhur e Saharasë së thatë, ku shpirti dhe pse pluhuroset apo “humbet” nga stuhia ranore, mbetet përherë i ri, kur dashuria trasformohet në një dëshirë për të jetuar me dimenisonin e një njeriu me energji pozitive, duke udhëtuar drejt të ardhmes, përmes kujtesës, me artin e fjalës së  bukur poetike, ku dashuria mbete përherë motiv jetësor dhe shumëdimensionale.