SPIRO KOTE
ËSHTË PAKËSUAR DASHURIA
Është pakësuar dashuria,
zvogëluar si drita kur shuhet zjarri ,
rralluar si ajri në majat,
ku as atletët s’e kapin më frymën.
zvogëluar si drita kur shuhet zjarri ,
rralluar si ajri në majat,
ku as atletët s’e kapin më frymën.
Është pakësuar dashuria,
si një shi i shumëpritur, vere
që e shter befas rrjedhën,
nën një qiell të plumtë vendlindjeje.
Zogjtë rrahin krahët në hapësira të zbrazëta,
Ç’ përpëlitje ?!
Ç’ rendje e kotë gravitacioni …?!
Përplasin të dëshpëruar krahët
në ajrin, pa memorie,
si fluturak të ngecur nëpër rrjetat
e erërave.
me trille të pakuptimtë ekuilibri .
Është pakësuar dashuria.
Fjalët…?!
Oh, fjalët…
-zhvlerësuar si monedha
me vlerë të rënë në treg shpirti,
si re reklame
që shuhen në ag të vetmuar mëngjesi !
Është pakësuar dashuria.
Nëpër vitrina zbardhin sytë,
turma manekinësh pa temperaturë,
si një photoshop,
i zbehtë fytyre.
Është pakësuar fryma e dashurisë
është bërë e hollë,-
një filigran i zverdhur ,
të mbajë peshën e qiellit.
Shpirtrat zvarriten
pas një dritë-fekseje,
si një tabletë që mbahet nën gjuhë
për rast urgjence…
Është pakësuar dashuria,
me zbritje sezonale është nxjerrë në shitje,
në bursën e botës,
ku smogu i ndjesive shuhet ngadalë
në ftohës,
pas çdo frymëmarrje të ndershme.
Vetëm urrejtja, s’njeh inflacion .
E futur kontrabandë,
në bursën e antinjeriut
pulson e ngjitet lart…
Është pakësuar dashuria …
Janar , 2026
