Portret i një oficeri, pedagogu dhe strategu shqiptar
Nga Agim Lika
Ushtarak, poet, historian dhe studiues
Në historinë moderne të Forcave të Armatosura Shqiptare ka personalitete, rrugëtimi i të cilëve nuk mund të përmblidhet vetëm përmes detyrave që kanë mbajtur, gradave që kanë fituar apo institucioneve ku kanë shërbyer. Ata përfaqësojnë më shumë se një karrierë individuale: mishërojnë një epokë, një shkollë mendimi dhe një kulturë profesionale që ka ndikuar në formimin e brezave dhe në zhvillimin e institucioneve të mbrojtjes e të sigurisë kombëtare.
Ka njerëz për të cilët mund të shkruash duke renditur data, grada, funksione dhe tituj. Por ka edhe personalitete për të cilët kronologjia, sado e pasur dhe domethënëse të jetë, nuk mjafton. Jeta dhe vepra e tyre nuk maten vetëm me vitet e shërbimit, me përgjegjësitë që kanë mbajtur apo me vlerësimet që kanë marrë, por, mbi të gjitha, me gjurmën që kanë lënë në institucionet ku kanë shërbyer, në mendimin profesional që kanë zhvilluar dhe në brezat që kanë formuar.
Një prej këtyre personaliteteve është Prof. Dr. Kristaq Xharo, Kolonel në rezervë, ushtarak karriere, pedagog, studiues dhe njohës i çështjeve të sigurisë, mbrojtjes dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Jeta dhe veprimtaria e tij përfaqësojnë një ndërthurje organike ndërmjet disiplinës ushtarake dhe kërkimit shkencor, përvojës së komandimit dhe përgjegjësisë akademike, shërbimit kombëtar dhe përfaqësimit ndërkombëtar.
Për mua, si ushtarak dhe studiues, që kam veshur për dekada të njëjtën uniformë dhe kam njohur nga afër peshën e detyrës, disiplinën e repartit, përgjegjësinë e komandimit dhe krenarinë e shërbimit ndaj atdheut, të shkruaj për një personalitet shumëdimensional si Prof. Dr. Kristaq Xharo nuk ka qenë një ndërmarrje e lehtë. Kompleksiteti i figurës së tij, shumëllojshmëria e kontributeve dhe shtrirja e gjerë e veprimtarisë profesionale, pedagogjike e shkencore kërkojnë jo vetëm vëmendje dokumentare dhe objektivitet analitik, por edhe një shkallë të lartë përgjegjësie intelektuale dhe morale.
Ne, ushtarakët, e dimë mirë se çfarë qëndron pas një grade. Pas çdo ylli, pas çdo spalete dhe pas çdo detyre të lartë qëndrojnë vite pune e përkushtimi, net pa gjumë, largime nga familja, përgjegjësi të heshtura dhe vendime që, jo rrallë, duhen marrë pa pasur luksin e hezitimit. Për këtë arsye, vlerësimi i një karriere ushtarake nuk mund të kufizohet vetëm në hierarkinë e funksioneve apo në kronologjinë e gradave; ai duhet të depërtojë në përmbajtjen e shërbimit, në cilësinë e kontributit dhe në ndikimin që individi ka ushtruar mbi institucionin dhe njerëzit.
Prandaj, kur shkruaj për Prof. Dr. Kristaq Xharon, nuk shoh vetëm profesorin, kolonelin, drejtuesin apo ekspertin e sigurisë. Shoh edhe kolegun e armës: ushtarakun që për dekada mbajti mbi supe përgjegjësinë e uniformës dhe që, edhe pas përfundimit të shërbimit aktiv, nuk u largua nga misioni i tij intelektual, profesional dhe qytetar. Sepse uniforma mund të hiqet një ditë, por vlerat që ajo kultivon disiplina, përgjegjësia, ndjenja e detyrës dhe përkushtimi ndaj atdheut mbeten pjesë e ndërgjegjes së ushtarakut për gjithë jetën.
Në këtë kuptim, studimi i figurës dhe i veprimtarisë së Prof. Dr. Kristaq Xharos nuk synon të mbetet vetëm brenda kufijve të rrëfimit biografik apo të dokumentimit të një karriere të gjatë dhe të pasur. Ai përbën një përpjekje për të interpretuar një trajektore të spikatur profesionale, ushtarake dhe akademike, si dhe për të analizuar një model të veçantë të ndërveprimit ndërmjet profesionit ushtarak, arsimit, kërkimit shkencor dhe mendimit strategjik.
Karakteri shumëdimensional i këtij profili e bën analizën metodologjikisht komplekse dhe sfiduese, por njëkohësisht i jep asaj një rëndësi të veçantë për studimin e zhvillimit historik dhe institucional të arsimit ushtarak, të kulturës profesionale dhe të mendimit strategjik shqiptar. Në këtë perspektivë, analiza e kontributit të Prof. Dr. Kristaq Xharos synon të evidentojë marrëdhënien ndërmjet përvojës individuale, zhvillimit institucional dhe transformimeve më të gjera që kanë karakterizuar fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare në Shqipëri.
Figura e tij mund të lexohet, kështu, jo vetëm si historia e një karriere individuale, por edhe si pjesë e historisë së zhvillimit të institucioneve ushtarake dhe akademike shqiptare në një periudhë transformimesh të thella. Përvoja e fituar në shërbimin ushtarak, përgjegjësitë drejtuese, angazhimi pedagogjik dhe kërkimi shkencor krijojnë një profil në të cilin praktika dhe teoria nuk qëndrojnë të ndara, por ushqejnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën.
Pikërisht në këtë ndërthurje të shërbimit ushtarak, dijes akademike, kërkimit shkencor dhe mendimit strategjik qëndron edhe veçantia e figurës së Prof. Dr. Kristaq Xharos: ajo e një ushtaraku që përvojën e shndërroi në dije, dijen në kontribut dhe kontributin në një trashëgimi profesionale e intelektuale për brezat.
RRËNJËT KU NIS NJË RRUGËTIM
Kristaq Xharo lindi më 17 gusht 1959, në Gradishtë të Lushnjës, në një familje ku puna, ndershmëria dhe dashuria për vendin nuk ishin fjalë të mëdha, por mënyrë jetese.
Babai i tij kishte qenë pjesëtar i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në radhët e Brigadës XVI Sulmuese. Kështu, historia e shërbimit ndaj vendit kishte hyrë në familjen e tij përpara se ai vetë të vishte uniformën.
Ndoshta zgjedhjet më të rëndësishme të jetës lindin pikërisht aty: në heshtjen e shtëpisë, në rrëfimet e prindërve, në shembullin e tyre dhe në kujtesën që një brez ia përcjell tjetrit.
Në vitin 1974 përfundoi shkollën tetëvjeçare “Mihal Nako” në Fierseman me rezultate të shkëlqyera. Më pas erdhi ajo zgjedhje që do të përcaktonte gjithë jetën e tij: rruga e ushtrisë.
Në vitin 1978 përfundoi Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”.
Për ne që kemi kaluar nëpër atë shkollë, emri Shkollës “Skënderbej” nuk është thjesht emri i një institucioni arsimor. Është një pjesë e jetës sonë. Është kujtesa e rinisë, e zgjimit me disiplinën ushtarake, e shokërisë së farkëtuar në vështirësi dhe e ëndrrës për t’u bërë oficerë.
Aty mësoje se uniforma nuk ishte privilegj.Ishte përgjegjësi.Aty fillonte të formohej oficeri, por mbi të gjitha fillonte të formohej njeriu që duhej të dinte të qëndronte drejt përballë detyrës.
NGA BANKAT E SHKOLLËS NË AUDITORËT E AKADEMISË
Në periudhën 1979–1982, Prof. Dr. Kristaq Xharo kreu studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë dhe u titullua oficer i Forcave të Armatosura.

Por rruga e tij do të merrte shpejt një drejtim të veçantë.
Në vitin 1983 u emërua pedagog në Katedrën e Zjarrit të Akademisë Ushtarake.
Të jesh oficer është përgjegjësi.
Të përgatitësh oficerë është një përgjegjësi edhe më e madhe.
Sepse pedagogu ushtarak nuk jep vetëm njohuri. Ai formon mënyrën e të menduarit të atyre që një ditë do të drejtojnë njerëz, reparte dhe struktura. Ai ndikon në karakterin profesional të brezave që vijnë pas tij.
Për rreth dymbëdhjetë vjet, Kristaq Xharo u përkushtua pikërisht këtij misioni.
Në auditorët e Akademisë Ushtarake ai nuk ishte thjesht lektor. Ishte edukator i oficerëve të rinj, kërkues ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve, një pedagog që e shihte dijen si pjesë të pandashme të profesionit ushtarak.
Dhe kjo është një e vërtetë që ne ushtarakët e njohim mirë: një ushtri nuk bëhet e fortë vetëm nga armët që zotëron.
Ajo bëhet e fortë nga njerëzit që dinë të mendojnë.
NJË OFICER SHQIPTAR PËRBALLË BOTËS QË PO NDRYSHONTE
Vitet ’90 sollën ndryshime të mëdha. Shqipëria ndryshonte. Ushtria ndryshonte. Bota kishte hyrë në një epokë të re.
Në atë kohë duhej jo vetëm të kishe përvojë, por edhe guximin për të mësuar përsëri.
Prof. Dr. Kristaq Xharo e pati këtë aftësi.
Në vitin 1995 përfundoi Kolegjin e Shtatmadhorisë në Vjenë të Austrisë. Më pas, gjatë viteve 1997–1999, ndoqi Kolegjin e Komandave dhe Shtabeve në Kansas, SHBA.
Nga një sistem ushtarak i mbyllur, ai hyri në kontakt të drejtpërdrejtë me konceptet bashkëkohore të komandimit, strategjisë dhe sigurisë.
Nuk ishte një kalim i zakonshëm.
Ishte kalimi nga një epokë në një tjetër.
Dhe Prof. Dr. Kristaq Xharo ishte ndër ata oficerë shqiptarë që patën mundësinë, por edhe përgjegjësinë, të sillnin në vend një mënyrë të re të menduari për mbrojtjen dhe sigurinë.
Ai nuk u kthye vetëm me diploma.U kthye me përvojë.Me ide.Me një horizont më të gjerë.
NË SHTABIN E PËRGJITHSHËM – ATY KU PËRGJEGJËSIA MERR PESHË TJETËR
Nga viti 1999 deri në vitin 2005 shërbeu në Drejtorinë e Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Ne që kemi shërbyer në strukturat e ushtrisë e dimë se puna e shtabit shpesh nuk duket.
Ajo nuk ka gjithmonë ceremoninë e paradës.
Nuk ka gjithmonë duartrokitje.
Por pas çdo plani, çdo operacioni dhe çdo vendimi të rëndësishëm qëndrojnë orë të gjata pune, analiza, përgjegjësi dhe përkushtim.
Prof. Dr. Kristaq Xharo shërbeu pikërisht në një periudhë kur Forcat e Armatosura Shqiptare po kalonin një nga transformimet më të thella të historisë së tyre.
Ishte koha kur duhej të ndryshonin strukturat, doktrinat dhe mentaliteti profesional. Dhe ai ishte pjesë e këtij transformimi.
NJË USHTARAK NË SHËRBIM TË PAQES DHE BASHKËPUNIMIT
Në vitet 2005–2007, Prof. Dr. Kristaq Xharo mori drejtimin e Sekretariatit të procesit të Ministrave të Mbrojtjes të Europës Juglindore – SEDM.
Nga fusha e pastër ushtarake, ai hyri më thellë në diplomacinë e sigurisë.Sepse oficeri modern nuk duhet të dijë vetëm si të përgatitet për luftën.Ai duhet të dijë edhe si të ndërtojë paqen.
Në një rajon që kishte kaluar konflikte dhe ndarje të dhimbshme, bashkëpunimi në fushën e sigurisë kishte një rëndësi të veçantë.Prof. Dr. Kristaq Xharo kontribuoi në këtë proces me përvojën e ushtarakut dhe maturinë e akademikut.
NË BRUKSEL, NË NJË KOHË HISTORIKE PËR SHQIPËRINË
Nga viti 2007 deri në vitin 2010 shërbeu si zëvendësshef i misionit të Shqipërisë pranë NATO-s në Bruksel.
Ishte një periudhë historike.Shqipëria po ecte drejt realizimit të një prej objektivave të saj më të mëdha strategjike: anëtarësimit në NATO.
Në ato vite, çdo përfaqësues shqiptar në strukturat e Aleancës mbante mbi supe jo vetëm përgjegjësinë e detyrës, por edhe peshën e përfaqësimit të një kombi që kërkonte vendin e tij në familjen euroatlantike.
Kristaq Xharo ishte aty.Në Bruksel.Në një nga qendrat më të rëndësishme të vendimmarrjes strategjike të botës.Dhe për një oficer shqiptar, nuk mund të ketë krenari më të madhe sesa të shohë flamurin e vendit të tij të ngrihet mes flamujve të aleatëve.
Ai ishte pjesë e atij brezi ushtarakësh dhe diplomatësh që kontribuuan në këtë rrugëtim historik.
KTHIMI TE AKADEMIA – KTHIMI TE MISIONI I DIJES
Në vitet 2010–2011, Prof. Dr. Kristaq Xharo mori drejtimin e Akademisë së Mbrojtjes.
Kishte nisur dikur si pedagog. Tani kthehej si drejtues.Jeta, në një mënyrë të bukur dhe domethënëse, e sillte përsëri aty ku kishte filluar misioni i tij akademik.
Në krye të Akademisë së Mbrojtjes, ai punoi për modernizimin e arsimit ushtarak dhe përafrimin e tij me standardet euroatlantike.
Më pas shërbeu si këshilltar për NATO-n pranë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtoi Departamentin e Lidershipit në Akademinë e Mbrojtjes dhe ishte shef i Planëzimit në Komandën e Forcave Tokësore.
Çdo detyrë ishte një kapitull.Çdo kapitull, një përgjegjësi.
DITA KUR HIQET UNIFORMA
Në vitin 2015, Kolonel Kristaq Xharo doli në rezervë.Për çdo ushtarak, kjo është një ditë e veçantë.
Vjen një moment kur uniformën që ke veshur për dekada duhet ta vendosësh në garderobë.Por bashkë me të nuk mund të vendosësh kujtimet. Nuk mund të mbyllësh në një sirtar vitet e shërbimit.
Nuk mund të harrosh shokët, kolegët, komandantët, vartësit, repartet, akademitë, ceremonitë dhe sfidat.
Sepse ushtria, pasi bëhet pjesë e jetës sate, mbetet përgjithmonë brenda teje.
Prof. Dr. Kristaq Xharo doli në rezervë si Kolonel, por nuk doli kurrë në rezervë nga shërbimi ndaj dijes.
PROFESORI QË VAZHDON MISIONIN
Që prej vitit 2015, ai vazhdoi rrugën e tij në auditorët universitarë, duke ligjëruar në Universitetin Europian të Tiranës në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë.
Uniformën e zëvendësoi me auditorin civil. Por misioni mbeti i njëjtë:të formojë njerëz.Të ndajë përvojën.Të nxisë mendimin kritik.T’u flasë brezave të rinj për sigurinë, historinë, strategjinë dhe interesin kombëtar.Sepse dijetari i vërtetë nuk e mban dijen për vete.Ai e kthen atë në trashëgimi.
NJË JETË E NDËRTUAR MBI DIJEN
Rrugëtimi akademik i Prof. Dr. Kristaq Xharos është po aq i pasur sa karriera e tij ushtarake.
Nga shkollimi ushtarak në Shqipëri, te Kolegji i Shtatmadhorisë në Vjenë dhe Kolegji i Komandave dhe Shtabeve në Kansas; nga studimet në Histori në Universitetin e Tiranës deri te gradat dhe titujt shkencorë, ai ka ndërtuar një profil ku përvoja dhe teoria plotësojnë njëra-tjetrën.
Në vitin 1992 mori titullin “Kandidat i Shkencave”, në vitin 1994 gradën “Doktor i Shkencave”, në vitin 1995 titullin “Profesor i Asociuar”, ndërsa në vitin 2012 u titullua “Profesor Doktor”.
Por titulli më i rëndësishëm i një pedagogu nuk shkruhet gjithmonë në një diplomë.Ai ruhet në kujtesën e studentëve.Në respektin e kolegëve.Në mendimin që lë pas.
Kontributi në zhvillimin e mendimit strategjik dhe të kulturës së sigurisë
Një tjetër rezultat i rëndësishëm që del nga analiza e veprimtarisë akademike dhe profesionale të Profesor Dr. Kristaq Xharos lidhet me kontributin e tij në zhvillimin e mendimit strategjik dhe në konsolidimin e kulturës së sigurisë në Shqipëri. Nëpërmjet veprimtarisë pedagogjike, kërkimit shkencor, botimeve dhe analizave të specializuara, ai ka ndikuar në zgjerimin e mënyrës së konceptimit të sigurisë, duke e trajtuar atë jo vetëm si përgjegjësi të institucioneve të mbrojtjes, por si një çështje komplekse që kërkon vizion, dije, koordinim institucional dhe ndërgjegjësim shoqëror.
Në qasjen e tij, mendimi strategjik përfaqëson aftësinë për të analizuar të tashmen duke parashikuar prirjet dhe sfidat e së ardhmes. Kjo perspektivë merr rëndësi të veçantë në një mjedis sigurie të karakterizuar nga pasiguria, ndryshimet e shpejta teknologjike, rivalitetet gjeopolitike dhe ndërthurja e kërcënimeve tradicionale me ato të natyrës hibride dhe jo tradicionale. Kontributi i Profesor Xharos qëndron pikërisht në aftësinë për t’i vendosur këto zhvillime në një kuadër të strukturuar analitik dhe për të nxitur një qasje më të thelluar ndaj planifikimit dhe vendimmarrjes strategjike
Një vlerë e veçantë e veprimtarisë së tij lidhet me promovimin e kulturës së analizës dhe të debatit profesional. Në vend të interpretimeve të ngushta ose të fragmentarizuara, ai ka nxitur shqyrtimin e problemeve të sigurisë në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, duke evidentuar se vendimmarrja strategjike kërkon njohjen e historisë, gjeopolitikës, marrëdhënieve ndërkombëtare, doktrinave ushtarake dhe transformimeve teknologjike. Kjo qasje ka rëndësi të veçantë për formimin e profesionistëve të sigurisë dhe të mbrojtjes, të cilët duhet të jenë të aftë jo vetëm të reagojnë ndaj krizave, por edhe të parashikojnë zhvillimet dhe të ndërtojnë alternativa të qëndrueshme veprimi.
Në këtë kontekst, veprimtaria pedagogjike e Profesor Xharos përbën një komponent thelbësor të kontributit të tij. Përmes procesit të mësimdhënies dhe komunikimit akademik, ai ka ndikuar në formimin e brezave të ushtarakëve, studentëve dhe profesionistëve të fushës, duke transmetuar jo vetëm njohuri teorike, por edhe një mënyrë të menduari të mbështetur në analizë, argumentim dhe përgjegjësi profesionale. Ndikimi i një pedagogu dhe studiuesi nuk matet vetëm me numrin e botimeve apo të leksioneve të zhvilluara, por edhe me gjurmën intelektuale që lë te njerëzit që ka formuar. Pikërisht në këtë dimension, kontributi i Profesor Xharos merr një vlerë të qëndrueshme dhe shumëfishuese.
Nga analiza rezulton gjithashtu se mendimi strategjik i promovuar prej tij mbështetet në ndërthurjen e përvojës kombëtare me standardet dhe zhvillimet euroatlantike. Në këtë mënyrë, çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë së Shqipërisë trajtohen në raport me përgjegjësitë kombëtare, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe nevojën për përshtatje të vazhdueshme ndaj një mjedisi sigurie në transformim. Kjo qasje kontribuon në forcimin e një kulture strategjike që nuk mbështetet vetëm në reagimin ndaj kërcënimeve, por në parandalimin, parashikimin dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë institucionale.
Në planin e diskutimit shkencor, kontributi i Profesor Dr. Kristaq Xharos mund të vlerësohet si pjesë e procesit më të gjerë të zhvillimit të mendimit bashkëkohor shqiptar për sigurinë dhe mbrojtjen. Ai përfaqëson profilin e ushtarakut dhe akademikut që e ka shndërruar përvojën profesionale në objekt reflektimi dhe kërkimi shkencor. Kjo ndërthurje ndërmjet praktikës dhe teorisë i jep veprimtarisë së tij një karakter të veçantë, sepse njohuritë nuk mbeten vetëm në nivelin konceptual, por lidhen me problematika konkrete të institucioneve, politikave dhe strategjive të sigurisë.
Për rrjedhojë, mund të argumentohet se një nga kontributet më të rëndësishme të Profesor Dr.
Kristaq Xharos është ndihmesa në krijimin dhe zhvillimin e një mendimi strategjik të orientuar nga analiza kritike, vizioni afatgjatë dhe përgjegjësia kombëtare. Nëpërmjet veprës së tij akademike, pedagogjike dhe profesionale, ai ka kontribuar në forcimin e kulturës së sigurisë dhe në formimin e një qasjeje më bashkëkohore ndaj sfidave të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale.
NJË USHTARAK, NJË FIGURË E DIJES
Kur shohim rrugëtimin e Prof. Dr. Kristaq Xharos, shohim më shumë se një biografi të suksesshme.
Shohim historinë e një brezi.
Një brez që u formua në një sistem dhe u detyrua të ndërtonte një tjetër.
Një brez që përjetoi ndryshimin e doktrinave, strukturave dhe aleancave.
Një brez që e nisi karrierën në kushtet e Luftës së Ftohtë dhe e vazhdoi atë në strukturat euroatlantike.
Kristaq Xharo ishte jo vetëm dëshmitar i këtij transformimi.
Ai ishte pjesë e tij.
Si oficer.
Si pedagog.
Si drejtues.
Si përfaqësues i Shqipërisë.
Si studiues.
SI E NJOHA PROF. DR. KRISTAQ XHARON
Njohja ime me Prof. Dr. Kristaq Xharon nisi në vitin mësimor 1987–1988, kur unë isha student i vitit të parë në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, ndërsa ai pedagog. Në atë periudhë ishte i angazhuar me punën kërkimore për doktoraturën, të lidhur ngushtë me fushën e përgatitjes së zjarrit.
E kujtoj shpesh në poligonin e zjarrit, ku qëndronte me orë të tëra duke vëzhguar, matur dhe kryer llogaritje mbi qitjet praktike. Për ne studentët, poligoni ishte vendi ku mësonim mjeshtërinë e armës; për të, ishte një laborator i hapur kërkimi, ku teoria provohej dhe argumentohej përmes praktikës.
Atëherë, si student i ri, ndoshta nuk mund ta kuptoja plotësisht përmasën e asaj pune. Vite më vonë, kur rrugëtimi ushtarak na bëri kolegë, e vlerësova edhe më shumë seriozitetin, këmbënguljen dhe pasionin e tij për dijen.
Sot, kur shkruaj për Prof. Dr. Kristaq Xharon, më rikthehet ajo pamje e viteve të largëta: pedagogu i përqendruar në poligon, gjithmonë në kërkim të një përgjigjeje më të saktë. Atëherë e shihja me sytë e studentit; më vonë pata nderin ta vlerësoja me respektin e kolegut dhe eprorit ushtarak.
PËRFUNDIME
Analiza e veprimtarisë profesionale, ushtarake, pedagogjike dhe shkencore të Prof. Dr. Kristaq Xharos evidenton një profil shumëdimensional, të ndërtuar mbi ndërveprimin organik ndërmjet përvojës institucionale, veprimtarisë akademike, kërkimit shkencor dhe mendimit strategjik. Rezultatet e studimit tregojnë se kontributi i tij nuk mund të vlerësohet në mënyrë të fragmentuar apo vetëm në raport me funksionet e veçanta të ushtruara gjatë karrierës, por kërkon një qasje të integruar, e cila merr në konsideratë vazhdimësinë ndërmjet formimit ushtarak, praktikës profesionale, mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
Së pari, përvoja ushtarake përbën bazën
profesionale mbi të cilën është zhvilluar veprimtaria e tij e mëvonshme pedagogjike dhe studimore. Njohja e drejtpërdrejtë e strukturave, proceseve dhe problematikave të institucionit ushtarak ka krijuar premisat për një trajtim të çështjeve të mbrojtjes dhe të sigurisë që ndërthur dimensionin teorik me përvojën praktike. Ky raport ndërmjet teorisë dhe praktikës përbën një nga elementet themelore në formimin dhe konsolidimin e profilit të tij akademik.
Së dyti, veprimtaria pedagogjike përfaqëson një nga dimensionet kryesore të kontributit të tij institucional dhe intelektual. Përmes mësimdhënies dhe angazhimit në proceset e formimit profesional, përvoja individuale është shndërruar në dije të sistematizuar, të interpretueshme dhe të transmetueshme. Në këtë mënyrë, ndikimi i veprimtarisë së tij shtrihet
përtej ushtrimit të funksioneve konkrete dhe lidhet me formimin profesional e intelektual të studentëve, kursantëve dhe profesionistëve të fushës së mbrojtjes dhe të sigurisë.
Së treti, veprimtaria kërkimore dhe shkencore evidenton rëndësinë e analizës strategjike për kuptimin dhe interpretimin e zhvillimeve bashkëkohore të sigurisë. Në kushtet e transformimit të vazhdueshëm të mjedisit kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, studimi i problematikave të sigurisë kërkon qasje ndërdisiplinore, aftësi analitike dhe vlerësim të ndërvarësisë ndërmjet faktorëve politikë, ushtarakë, ekonomikë, teknologjikë dhe shoqërorë. Kontributi i Prof. Dr. Kristaq Xharos në këtë fushë lidhet me trajtimin e këtyre problematikave nga perspektiva e mendimit strategjik dhe e interesave të sigurisë kombëtare.
Së katërti, ekspertiza në çështjet e sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale përbën një komponent të rëndësishëm të profilit të tij profesional dhe akademik. Analiza e veprimtarisë së tij evidenton një orientim drejt interpretimit sistemik të zhvillimeve të sigurisë, duke e vendosur dimensionin kombëtar në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me dinamikat rajonale dhe proceset globale. Kjo qasje merr rëndësi të veçantë në studimet bashkëkohore të sigurisë, ku ndërvarësia ndërmjet niveleve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare është bërë gjithnjë e më e theksuar.
Së pesti, profili i analizuar evidenton modelin e oficerit–pedagogut–studiuesit, si një formë të veçantë të zhvillimit profesional dhe intelektual në institucionet e mbrojtjes dhe të arsimit ushtarak. Ky model dëshmon se përvoja profesionale dhe veprimtaria akademike mund
të krijojnë një marrëdhënie reciprokisht plotësuese: praktika ofron problematika, përvojë empirike dhe çështje për reflektim shkencor, ndërsa kërkimi dhe mësimdhënia kontribuojnë në sistematizimin, interpretimin dhe transmetimin e kësaj përvoje.
Së gjashti, rezultatet e analizës tregojnë se vlerësimi i ndikimit të një pedagogu dhe studiuesi nuk duhet të kufizohet vetëm në funksionet e ushtruara, titujt akademikë apo prodhimtarinë bibliografike. Një dimension thelbësor i këtij ndikimi lidhet me kontributin në formimin e kapitalit njerëzor, zhvillimin e kulturës profesionale, nxitjen e debatit akademik dhe konsolidimin e aftësive për analizë kritike dhe mendim strategjik.
Në tërësi, studimi evidenton se Prof. Dr. Kristaq Xharo përfaqëson një profil profesional dhe akademik shumëdimensional, në të cilin ndërthuren në mënyrë të qëndrueshme përvoja ushtarake, veprimtaria pedagogjike, kërkimi shkencor dhe ekspertiza në fushën e sigurisë. Rëndësia e këtij profili qëndron pikërisht në vazhdimësinë ndërmjet këtyre dimensioneve dhe në mënyrën se si përvoja profesionale është shndërruar në dije, ndërsa dija është transmetuar, zhvilluar dhe vënë në funksion të formimit profesional dhe të analizës strategjike.
Nga kjo perspektivë, rasti i Prof. Dr. Kristaq Xharos paraqet interes të veçantë për studimin e zhvillimit të arsimit ushtarak dhe të mendimit strategjik shqiptar. Ai ofron një shembull domethënës të marrëdhënies ndërmjet karrierës ushtarake dhe veprimtarisë akademike, si dhe të rolit që individët me përvojë të integruar profesionale dhe shkencore mund të luajnë në zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të mbrojtjes, arsimit dhe sigurisë.
Si përfundim, kontributi i Prof. Dr. Kristaq Xharos mund të konceptualizohet si një proces i vazhdueshëm i transformimit të përvojës profesionale në dije të sistematizuar dhe të transmetueshme. Rëndësia e veprimtarisë së tij nuk qëndron vetëm në trajektoren individuale të një karriere të gjatë dhe të pasur, por edhe në kontributin e dhënë për zhvillimin e kulturës profesionale, arsimit ushtarak, studimeve të sigurisë dhe mendimit strategjik shqiptar.
Në këtë kuptim, figura e tij përfaqëson një rast studimor me vlerë për të kuptuar mënyrën se si përvoja e akumuluar në institucionin ushtarak mund të shndërrohet në kapital intelektual dhe akademik, ndërsa dija e prodhuar mund t’u rikthehet institucioneve dhe brezave në formën e mësimdhënies, kërkimit, analizës dhe mendimit strategjik.
Studimi i mëtejshëm i veprimtarisë së Prof. Dr. Kristaq Xharos, i mbështetur në analizën sistematike të botimeve, dokumentacionit arkivor, veprimtarisë pedagogjike dhe burimeve të tjera relevante, do të mundësonte një vlerësim edhe më të plotë të kontributit të tij në zhvillimin e arsimit ushtarak, studimeve të sigurisë dhe mendimit strategjik në Shqipëri.
EPILOG
UNIFORMA QË MBETET NË SHPIRT
Duke shkruar këto radhë për një koleg të armës, më vjen natyrshëm të mendoj për atë që mbetet në fund të një karriere të gjatë ushtarake.
Gradat dorëzohen.
Detyrat u kalojnë të tjerëve.
Zyrat ndryshojnë drejtues.
Uniforma vendoset me kujdes mes kujtimeve.
Por një gjë mbetet.
Nderi me të cilin ke shërbyer.
Dhe ky është, ndoshta, dekorimi më i madh që mund të marrë një ushtarak.
Prof. Dr. Kristaq Xharo, Kolonel në rezervë, përfaqëson një jetë në të cilën uniforma dhe libri kanë ecur krah për krah; ku disiplina e oficerit është bashkuar me kërkimin e studiuesit; ku përvoja e komandimit është plotësuar nga përgjegjësia e pedagogut; ku shërbimi ndaj Forcave të Armatosura është shndërruar natyrshëm në shërbim ndaj dijes, mendimit dhe formimit të brezave.
Nga Gradishta e Lushnjës deri në Bruksel, nga bankat e Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej” deri në auditorët e akademive të Vjenës dhe Kansasit, nga strukturat e Shtabit të Përgjithshëm deri në drejtimin e Akademisë së Mbrojtjes, rrugëtimi i tij është historia e një njeriu që nuk reshti së mësuari, së kërkuari dhe së shërbyeri. Si ushtarak, e di se pas çdo karriere të gjatë ka shumëçka që nuk shkruhet në biografi.
Ka lodhje që nuk përmenden.
Ka sakrifica që nuk numërohen.
Ka familje që presin.
Ka net të gjata pune.
Ka përgjegjësi që mbahen në heshtje.
Ka vendime, peshën e të cilave mund ta kuptojë plotësisht vetëm ai që e ka mbajtur uniformën.
Prandaj, ky portret nuk është vetëm një renditje faktesh, datash, gradash dhe funksionesh.
Është edhe një përshëndetje mes kolegësh të armës.
Një përshëndetje me respekt për një oficer që i shërbeu vendit me uniformë dhe që vazhdon t’i
shërbejë atij me dije, mendim dhe përvojë.
Prof. Dr. Kristaq Xharo, Kolonel në rezervë, mbetet një përfaqësues i denjë i atij brezi ushtarakësh dhe intelektualësh shqiptarë që i shërbyen vendit jo vetëm me uniformë, por edhe me mendim, dije dhe vizion. Kontributi i tij dëshmon se profesioni ushtarak, në dimensionin e tij më të lartë, nuk është vetëm detyrë dhe karrierë, por edhe përgjegjësi intelektuale, mision qytetar dhe shërbim ndaj së ardhmes.
Sepse shërbimi ndaj atdheut nuk përfundon ditën kur hiqet uniforma.
Ai vazhdon në dijen që u përcillet brezave.
Në përvojën që i lihet shoqërisë.
Në mendimin që pasuron institucionet.
Në studentët dhe kolegët që mbajnë diçka nga ajo që u ke dhënë.
Në gjurmën që një njeri lë në kujtesën e institucionit dhe të vendit të tij.
I nderuar Profesor Kristaq Xharo,
Uniforma mund të vendoset një ditë mes kujtimeve, por nderi i shërbimit nuk del kurrë në rezervë.
Ai mbetet në emrin e mirë.
Në respektin e kolegëve.
Në kujtesën e studentëve.
Në dijen e përcjellë ndër breza.
Në institucionet ku ke shërbyer dhe ke lënë gjurmë.
Dhe, mbi të gjitha, mbetet në ndërgjegjen e qetë të atij që, kur kthen kokën pas mbi rrugën e përshkuar, mund të thotë me dinjitet:
“I shërbeva vendit tim.”
Për një ushtarak, nuk ka gradë më të lartë se nderi. Nuk ka medalje më të çmuar se respekti.Dhe nuk ka dekoratë më të madhe se kjo.