T’ju bëj mirë…Judita Dedi

T’ju bëj mirë…

Paraditja ishte përvëluese.

Në plazh dëgjoheshin të qeshurat e fëmijëve. Disa luanin me top, disa vraponin me pistoleta uji, të tjerëve u shkriheshin akulloret nëpër gishta, ndërsa disa prisnin me padurim radhën për një xhiro me varkë…

Mes gjithë atij gjallërimi kalonte vazhdimisht një djalë i vogël..

Në dorë mbante një kovë me misra të pjekur dhe, me një zë të hollë, thërriste…

Misra të pjekur…

E pashë pothuajse gjatë gjithë paradites..

Bënte të njëjtën rrugë, nga njëri skaj i plazhit në tjetrin. Djersa i pikonte në fytyrë, por ai vazhdonte. Kur i mbaronin misrat, shkonte merrte të tjerë dhe kthehej përsëri.

Dukej sikur nuk lodhej.

Disa ditë rresht e pamë në të njëjtin plazh..

Një ditë djali im i bleu një misër.

-Si quhesh? e pyeta.

-Fati.

Më tha se ishte në klasën e tretë.

Të nesërmen u afrua përsëri…

E njohu djalin tim.

Djali më pa mua, priti miratimin tim me sy, mori 200 lekëshin nga çanta dhe ia zgjati..

Fati buzëqeshi lehtë dhe tha..

T’ju bëj mirë…

Nuk e prita atë urim.

Më mbeti në mendje.

Teksa ai vazhdoi rrugën mes çadrave, unë vazhdova ta ndiqja me sy.

Ishte një fëmijë si gjithë të tjerët, por, ndërsa bashkëmoshatarët e tij luanin, laheshin e shijonin pushimet, ai bënte xhiro në vapë, duke shitur misra…

Nuk e di nëse do ta takoj më ndonjëherë Fatin.

Por e di se, sa herë të dëgjoj zërin e një fëmije që shet misra në plazh, do të më kujtohen ato tri fjalë të thëna prej tij..

T’ju bëj mirë…