Përqafimi i fundit-Llesh Gjomarkaj

Llesh Gjomarkaj

Perqafimi i Fundit

Sot
e ndoqa diellin në arrati,
përtej përqafimit
që të fal
një agim dite plot shpresë.

Më tha se perëndimit
një peng i prin,
e mëngjesin e pret
një ëndërr e etur
mes lulesh plot vesë.

Sonte
e ndoqa hënën mes yjesh,
tek lundronte qiellit
pa kapiten e marinarë.

Më tha: mos prit
pre e mallkimit të biesh,
e mallkimit të një nate
pa zjarre e pa fjalë.

Kohët kapërceva
e mes kujtimeve u gjeta.
O, sa bukur
shpirti m’u mbush plot gëzim!

E tashmja lëngon,
se kështu e paska jeta,
kur një perëndim dielli
ta merr të fundmin përqafim.