
Qyteti im
Çdo fytyrë mbart një sekret,
si një maskë që di ta mbajë,
çdo hap një histori
që nuk kërkon të shkruhet.
.
Në qytetin tim njerëzit flasin
pa fjalë të mëdha,
me buzëqeshje të sapoçelura
dhe shikime që tregojnë më shumë se zëri.
Në atë qytet ku ti s’ke qenë,
gjithçka ka një tjetër domethënie,
një ndjesi që vetëm unë e njoh.
.
Ajri që lëviz mes rrugëve,
yjet mbi qiell,
deti blu dhe pylli i heshtur,
të gjitha mbajnë një kujtim timin.
.
Edhe zogjtë cicërojnë ndryshe,
sikur më përshëndesin
me zëra që më njohin.
Aty ku drita e diellit
puthet me valët e kaltra,
peshkatarët kanë shtëpi
në gjirin e tij të thellë.
.
Mes rërës ku këmbët e mia
kanë lënë gjurmë,
era më përkëdhel
si një fëmijë.
Në qytetin tim
edhe heshtja ka një kuptim tjetër.
.
Qetësia e tij më tundon
me çdo përkëdhelje të butë.
Udhët e tij të gjata,
mbushur me gjelbërim,
kodrat e rrethojnë
si një nuse e stolisur me ullinj,
që shtrijnë degët e tyre
si krahë përqafimi.
.
Aty kam lënë frymën time.
Çdo hap që hedh
më largon prej tij,
por çdo frymë që marr
më kthen përsëri.
Sepse aty është shtëpia ime,
vendi ku kam lënë
rrënjën e shpirtit tim.