Flaket perbindshe tmerrojn Krujën e Kastrioteve-Dr. Selman Meziu   

Flaket perbindshe tmerrojn Krujen e Kastrioteve

                                                                                 Meditim

    Ka muaj që nuk po gjej qetësi. Ajo më është ngulur thellë në shpirtin tim. Kuptohet më ka sjellun  vuajtje therëse të vazhdueshme. Në një mënyrë ose në një tjetër i kam shprehur. Luftrat nuk  i dua, as si veprime, as si fjalë, as si ide e strategji. Kjo është e barazvlershme për zjarret në shtëpia, pallate, pyje, ullishte, kullota, toka bujqësore. Kur i shohë të filmuara, në fotografi, kur i lexoi në kumte, artikuj, më dridhet mishtë, më errësohen sytë, më vjen turp. Po edhe kjo më ndodh. Ndoshta dobësia ime psikologjike. Ndoshta…..Mirëpo duhet me e pranue.

     Krasta e Krujës, shpat me formacione gurësh gëlqeror. Krasta, histori luftrash, dhimbjesh, lulëzimesh, kokëçarjesh, çarje shkëmbinjsh, relievesh me valëzime të ambëla. Varreza të llahtarshme hapura në fund shekullin e njëzetë e njëzetë e njëtë, Valanga jeniçerësh me çallma mbështjellun, shpata, topuze ngjiteshin këtyre shpateve në verërat e shekullit të pesëmbëdhjetë.
   Sot ne shqipfolësit, fatkeqësisht nga e njëjta rracë iliro – arbënore krijuam katastrofën e peisazheve gjeografike duke e shëmtuar dhe varrëzuar relievet. Katastrofë jetësh, të banorëve vendas, gjallesave frymëmarrëse.  Saharizim për me pak se një ditë e një natë.

    Shpate me arkitekturë peisazhesh mrekulluese ku pishnajat strehonin, ushqenin ketrin, lepurin, dhelprën, zogjtë nën e mbi kurorat e tyre. Atje ku shkëmbenjtë ishin vllazëruar me pishat,  ullishtet duke bashkëjetuar mrekullisht me ekosisteme të transformuara nga mendja e djersa e banorëve. Në mes tyre, krojet rridhnin ujin e ftohtë e të kaltër.  Tanima në fillim gushtin e sivjetëm  njeriu vetë me një fije shkrepse hirëzoi gjithçka. Veçse eshtrat u  nxinë nga djegja përvëluese e miliona gjallesave të shumëllojshme. Edhe aroma ka ndryshuar, ajo të pështiros. Panoramat e sapo krijuar të neverisin e të shkaktojn zallahinë e krimit.

          Flakët tmerrndjellëse të pishnajve, ullishteve, ndihmuar nga erërat në drejtim të lagjeve të qytetit të Krujës u banë tmerri lemeritës, uluritës e banorëve të zonave të Barabit, Llubanit, Abazëve. Dhe me tej e të sëmurëve ne spitalin e qytetit. Nuk ishin shpatat e jeniçerëve turq që me mijëra ngjiteshin për të marrë kështjellën.  Jo. 
            Ishte një tufë bari e krutanit, Qemal Berhami. Ai ndoshta pa dashje. Por, ja që pakujdesia krijoi varreza ekologjike që natyrës, njeriut, të ardhmes do t’i kushtojn, miliona leke humbje edhe  mijëra jetë gjallesash. Unë, ti, ai ishim kudo në Shqipëri e botë, në pamundësi për t’ju ndihmuar. Të na falni!

      Natyra ndihmoj katastrofën ekologjike e materiale me vrullin e erës.  Qeveria me strukturat e saj veproi. Gadishmëria e sakreficat e panumërta. Parandalimi ishte zero. Sepse qeveria ka mbetur në llucën e krijuar prej padronit. Zinxhirët nuk sille, ju janë ndryshkur e balta rreth tyre është shtuar. Kuptohet nga kryelartësia e kryetarit qe zhvleftësoi pyllin e pylltarët që prej trembëdhjetë vjetësh. Fatkeqësi që ka sjellur e do të sjell të tilla.

    Gjergji i Kastriotëve  herë pas here zbriste me ushtrinë e tij kundër  ushtrisë qindra mijëshe turke. Ndihmat dje erdhën nga Fushë – Kruja, Tirana, Mirdita, Kurbini, Elbasani, Kamza etj. Forcat brenda në kalanë e Krujës nën komandën e Vrana Kontit ju hidhnin rrëshirë që digjesh kundër armiqëve turq që kërkonin të hynin në kala.
    Kurse trimat tanë zjarrfikës e ushtar me energji   djaloshësh luftonin duke hedhur ujë gjuhëve tmerruese të flakeve. Nën gojën e tyre gjuhët përvluese. Duheshin ndaluar me çdo kusht marshimi i këtyre përbindshave më shkatrrimtare se ushtria otomane e shekullit të pesëmbëdhjetë.  Nënat e fëmijët në djep kërkonin ndihmë me  frikën mbeshtjellur në polenin e shpirtit. Ato lanë shtëpitë e katanditë e u strehuan te shtëpitë e krutanëve.  Ato ju hapën dyert e zemrave. Ato ndanë dhimbjen, frikën, drithmat frikësuese sëbashku si copën e bukës.

   Ndërsa Gjergji i sotëm ishte me pushime në ujrat e kaltra të detit Jon. Ai mendon tanima vetëm për të derdhur hekur e beton  në resorte,  në kulla që shpojn qiellin. Ai kishte urdhëruar komandantët e ushtarët, Vetëm ato duhesh të bëheshin therror  në luftrat  me flakët dy tre metra që ‘’vraponin,, kërcënueshëm drejt shtëpiave, vilave, pallateve, spitaleve, Gjergji ynë flinte, pushonte si pasha në vilën buzë detit si qielli i kësaj vere. Mëngjezeve voziste me motorbarkën për shtatë  palë qejfe nën freskine e erërave jodëzuar.

      Unë  dhe politikani çfarë mund të bëjm kur kryetari…? Unë si imxhimier pyjesh kujt t’i ankohem, vetes, kolegëve, politikbërsëve apo prapambetjes kulturore të një populli të braktisur nga aspiratat e tij për 36 vjet pa ndërprerje?  Ato që mbollëm dje, pisha, ullinj,  me dije, mund e sakrefica sot po i zhdukim brenda pak minutave. Krasta e Krujës ishte monument i gjallë i pylltarëve të disa brezave, shtetit, fshatarëve kooperativist, punëtorëve të Ndërmarrjes Pyjore etj. Pas vitit 1990 ju mësymë këtyre peisazheve mrekulluese me dinamit, skavatora, furra gëlqereje, gurore, prerje të vazhdueshme, djegje masive. Ky kombinat gjigand i gjelbërt i njëmijë e një të mirave, vazhdojn t’i thyhen eshtrat e digjen ‘’mishrat,,  dhe varroset me paturpësinë ma të madhe, pa pikë mëshire e respekti bioekologjik. Fatkqësisht po pregatisim kushte për një katastrof ekologjike kur klima kercënon egzistencën njerëzore.
 
 
10.08.2026