Drita e heshtjes në gërmadhat e historisë…dhe Muzeu i arkeologjisë ne vitin ’37

Drita e heshtjes në gërmadhat e historisë…
…Dhe Muzeu i arkeologjisë ne vitin 37

Gezim Llojdia
1.
Arkeologu mblodhi me kujdes reliket e lashta.Dhe sikur të prekte kujtimet e një kohe që nuk kthehet më, i vendosi në muzeun e Skelës.
Ajo godinë, me fytyrën e saj të qetë buzë detit jugor, rrinte si një rojtar i heshtur i historisë sonë.Por sot ajo godinë karantine është muze.
Brenda saj frymon Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. Një tempull kujtimesh ku dokumentet dhe sendet flasin.
E dokumentuar është se aty kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë njerëz nga çdo anë, në shi të dendur apo nën diellin përvëlues, ashtu si atëherë, në ato ditë të mëdha të marsit 13 kur kjo godinë u bë strehë e qeverisë së parë shqiptare.
Më pas, në kohën e Zogut, ajo mori mbi supe edhe rolin e një muzeu arkeologjik, duke ruajtur thesarë të tjerë të kujtesës kombëtare.Si një qiri që, në çastet e fundit, përhap dritë më të fortë e më të ngrohtë, edhe ajo sot shkëlqen më shumë se kurrë. Muret e saj ruajnë aromën e bojës së vjetër të dokumenteve, zërin e hapave të burrave të shtetit, rrahjen e zemrave që ëndërronin lirinë. E aty, në heshtjen e saj solemne, duket sikur koha ndalet dhe historia flet.
2.
Dhe duke gjesdisur nëpër libra historie, nëpër fletë ditarësh të zverdhura nga koha, gjetëm një shënim të vogël për jetën e kësaj godine. Thuhet se dikur ajo i ka shërbyer edhe karantinës. Por a ka parë vallë këto mure lotët vesën e dhimbjes që ranë prej asaj dite kur u larguan arkeologët, ata që kishin sjellë aty dëshmitë e tokës së tyre?Pak më pas,në vititn 39 pushtuesi i vuri zjarrin,duke e shkrumbëzuar.Dhimbja e saj ishte e pamatë, sepse bashkë me flakët humbën edhe shumë dëshmi të çmuara. Njeriu e ndien këtë humbje.Dhe ndërsa ndërtesa, e gjallë në kujtime, shkrin ngadalë, tretet si hiri.Dhe ky hi, sot, është ajo që ne përpiqemi të mbledhim, si të kërkonim të rindërtonim një varg të humbur.Sepse brenda tij është gjithçka dhe historia, kujtesa, e vërteta.Ne vetëm mund të shkruajmë pak rreshta, por ata rreshta mbajnë peshën e viteve.
3.
Godina ka kaluar nëpër shumë fytyra dhe fate. Spital e qendër karantine. Seli e qeverisë pas vitit 1912. Muze arkeologjik në vitin 1937 e shkrumbëzuar në vitin 1939 dhe më në fund, në vitin 1962, rimori tiparin e saj të vërtetë si Muze i Pavarësisë. Sot ajo rri aty, pranë detit jugor, si dëshmitare e heshtur e historisë sonë.Sepse brenda saj është gjithçka: historia, kujtesa, e vërteta.Ne vetëm mund të shkruajmë pak rreshta,por ata rreshta mbajnë peshën e viteve.Sot ajo rri aty, pranë detit jugor, duke ruajtur në heshtje frymën e historisë sonë, si një fanar i kujtesës që ndriçon për brezat që vijnë.
4.
Aty, buzë detit, ku valët llapashiten lehtë me bregun dhe bëjnë ujdi mes tyre, ngrihet një godinë që sot quhet Muzeu Kombëtar i Pavarësisë.Dikur, brenda mureve të saj, ruheshin gjetjet e çmuara të arkeologut francez Léon Rey.Siç shkruan Neritan Ceka, djali i arkeologut të njohur Hasan Ceka, në librin e tij Apolonia…, në vitin 1924 nisi gërmimet arkeologjike në Apoloni një mision francez i drejtuar nga Léon Rey Rezultatet ishin mbresëlënëse. U zbuluan stoaja, buleuterioni, më pas odeoni dhe biblioteka.Një koleksion i rëndësishëm qeramike, i krijuar nga gërmimet në nekropol, u soll përkohësisht dhe u vendos në ndërtesën e VlorëS që u bë muze.
Por, në ditën e parë të pushtimit fashist, ky thesar u grabit nga ushtarët italianë,duke lënë pas boshllëkun e një humbjeje të madhe për kulturën shqiptare.
5.
Yzeir Ismaili u bë drejtori i parë i muzeut arkeologjik. Kjo ndërtesë, e cila dikur kishte shërbyer si seli e qeverisë së Vlorës, mori kështu një rol të ri: të ruante e të tregonte thesaret e së kaluarës.Sa kohë që punoi aty, institucionin e tij e mbushnin kryesisht objekte të gjetura në kodrat e qytetit antik të Apolonisë, por edhe nga qendra të tjera ilire.Ishte një periudhë e çmuar, tashmë e zbardhur nga faqet e historisë, ku pasioni i studiuesve për të mbrojtur dhe dokumentuar trashëgiminë ishte po aq i fortë sa dhe vetë dëshirat për liri.
6.
Nga viti 1937 deri në vitin 1939, Yzeir Ismaili ishte drejtues i këtij muzeu arkeologjik. Më kanë rrëfyer një detaj të rëndësishëm nga ajo periudhë. Në minierën e Selenicës u gjet një statujë e vogël prej floriri, në formën e një deleje. Një thesar i rrallë, me vlerë të paçmuar historike e artistike. Por gëzimi zgjati pak italianët e morën menjëherë dhe e dërguan drejt shtetit të tyre, përtej kanalit të Otrantos.Drejtori i muzeut reagoi me vendosmëri. Ai bëri një protestë të fuqishme dhe i kërkoi qeverisë shqiptare të ndërhynte urgjentisht për kthimin e figurës së grabitur. Madje, iu drejtua edhe konsullatës italiane, duke i thënë prerë se kjo statujë duhej të rikthehej atje ku i përkiste në qytetin e saj, në mes tëobjketeve të arkeologjisë shqiptare.
7.
Edhe pse kishte studiuar në shtetin fqinj,Yzeir Ismaili nuk iu dorëzua kthetrave të vetmisë dhe as presionit të heshtjes. Ai nuk reshti së kërkuari pranë autoriteteve kthimin e statujës së grabitur, që ishte marrë padrejtësisht dhe dërguar përtej kufirit, ndonëse ishte zbuluar në nëntokën e këtij vendi.
Në përpjekjen e tij për të mbledhur objekte arkeologjike, Yzeirin e ndihmoi edhe diplomati dhe eruditi Eqrem bej Vlora, i cili dha një kontribut të çmuar në pasurimin e muzeut.
Por shumë prej objekteve arkeologjike nuk patën fatin të ruheshin disa u grabitën, të tjera u shkatërruan.
Gjatë drejtimit të tij, Yzeiri u mor me grumbullimin e gjithçkaje që kishte mbetur .Objekte të shpërndara nëpër institucione apo të ruajtura në banesat e qytetarëve, duke i sjellë në muze për t’i shpëtuar nga humbja.
8.
Ftohtësia e akullt e breshërive naziste, rrëfyer F Sh, rrëmbeu nën trajektoren e zjarrit tre zemra shqiptare, që u rrëzuan befas mbi dheun e tokës së tyre.Ishte 10 gushti i vitit 1944, një ditë e luftës së madhe.Fshati, me një emër që tingëllon si parathënie tragjedie Bubullimë ndodhej në Myzeqe të Lushnjës.Atë ditë, në një pluhur të përzier me barut dhe gjak, ranë avokati Skënder Muço, arkeologu i parë shqiptar Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini. Tokën e njomën gjurmët e fundit të hapave të tyre, ndërsa koha, e heshtur dhe e ftohtë,priti që kjo ngjarje të mbetej një kujtim i dhimbshëm.Emrat e tyre, të gdhendur në kujtesën e familjarëve dhe të atyre që i njohën, mbetën nën shigjetimin e armiqve. Dhe në këtë vend të plagosur,askush nuk harroi, edhe pse shumëkush nuk pati guximin të kërkonte e të shpjegonte plotësisht pse ndodhi.Ftohtësia e akullt e breshërive naziste, si një grykë e errët që s’mëshiron asgjë, rrëmbeu nën plumbin e saj tre zemra shqiptare. Tre shpirtra të guximshëm që ranë befas, nën dheun e tokës së tyre të shenjtë, duke lënë pas një boshllëk të pamatë në kujtesën kombëtare.
Toka, e njomur nga gjaku i tyre, mbajti heshtjen dhe peshën e humbjes, ndërsa koha, e ngrirë në atë çast, priti në heshtje për t’i gdhendur në kujtesë. Emrat e tyre mbetën si plagë të hapura në historinë e kombit, mbrojtës të një trashëgimie që nuk duhet harruar.
Por, nën këtë heshtje të trishtuar, qëndron pyetja e rëndë përse u morën këta burra, që vetëm donin të ruanin rrënjët e një populli?
9.
E kam pritur me një interes të thellë dhe me një kuriozitet të zjarrtë rrëfimin dhe të dhënat që ruhen me fanatizëm për jetën dhe veprimtarinë e një prej figurave më të rëndësishme e megjithatë shpesh të harruara të arkeologjisë shqiptare. Një njeri që, me dije e përkushtim, hapi rrugë të reja në studimin e historisë së lashtë të këtij vendi, por emri i të cilit, për fat të keq, u fsheh për shumë kohë në hije, në heshtje.
Ky arkeolog, i diplomuar në një nga universitetet më prestigjioze të botës perëndimoreku era e shkencës kishte fryrë prej dekadash në drejtim të përparimit dhe njohjes është Yzeir Ismaili. Por kush ishte ky njeri i jashtëzakonshëm?
Yzeir Ismaili lindi në një fshat të vogël pranë Vlorës, në Tragjas, rreth vitit 1903. Edukimi i tij nisi thjesht, në shkollën fillore të këtij fshati të qetë, por pasioni për dijen dhe dëshira për të kuptuar më shumë e çuan larg. Ai u regjistrua në gjimnazin klasik të Napolit, në degën shkencore, aty ku hapi horizontet e para drejt botës së madhe të shkencës dhe studimit të thelluar.
Nga atje, rruga e tij akademike u shtri drejt Bolonjës një qytet me traditë të lashtë universitare, ku ai përfundoi me sukses studimet e larta, duke u bërë një nga pionierët e arkeologjisë shqiptare, megjithëse, për shumë vite, emri i tij qëndroi i fshehur dhe pak i njohur për publikun.
Emri i tij nuk është vetëm një dëshmi për një njeri dhe një shkencëtar, është një thirrje për të rikujtuar dhe nderuar ata që me punën dhe sakrificën e tyre ndriçojnë historinë e kombit, edhe kur e shohin veten të harruar.
10.
Të dhëna të shkurtëra biografike për Yzeir Ismailin (Alimerko):
• Viti i lindjes: 1903
• Vendlindja: Fshati Tragjas, pranë Vlorës
• Arsimi fillor: Shkolla fillore në Tragjas
• Arsimi i mesëm: Gjimnazi klasik në Napoli, degë shkencore
• Arsimi i lartë: Studime në Bolonjë, në degën Histori-Arkeologji
• Titulli shkencor:arkeolog , fituar në vitin 1934
Në një ditë plot emocione, e ëma e priti nga dëshirë dhe krenaria për të birin, priti kthimin e tij në vendlindje, pasi ai kishte udhëtuar larg për të marrë dije.Vapori që mbërriti në portin e qytetit të Vlorës përshkoi dallgët që përplasnin bregun, duke sjellë në brigjet shqiptare një njeri të veçantë të arsimuar në një nga fushat më të rralla dhe më të rëndësishme për atë kohë.Yzeir Ismaili nuk ishte vetëm një njeri i shkolluar.Ishte i pari shqiptar që mbante këtë titull në vendin e tij, dhe njëkohësisht i pari ballkanas që mbrojti në fushën e arkeologjisë.Jo vetëm një njeri i shkëlqyer, por edhe një pionier, Yzeiri hapi rrugë për shumë breza të tjerë në fushën e arkeologjisë shqiptare dhe më gjerë.
11.
Me një optimizëm të pashuar, të cilin e kishte marrë me vete që nga koha e studentllëkut, Yzeir Ismaili u kthye në atdheun e tij për të gjetur një fushë pak të njohur dhe të paeksploruar mirë: arkeologjinë në Shqipëri.
Sipas dëshmive rreth vitit 1934, ai u emërua profesor i historisë në Shkollën Tregtare të Vlorës, një institucion i njohur dhe me rëndësi të veçantë për qytetin. Në këtë ambient, dy vjet më vonë, djali i ëndërrimtar u ngjit në një tjetër shkallë të karrierës u bë nën-drejtor i shkollës.Megjithatë, koha dhe rrethanat nuk i dhanë menjëherë mundësinë që të shpërthente në profesionin e tij real, atë të arkeologut. Diploma dhe titulli s që mbante mbi supe, qëndronin ende në hije në një vend ku kjo fushë ishte e panjohur dhe e papërfillur. Vetëm në vitin 1937, pas një pritjeje të gjatë dhe përpjekjesh të shumta, Yzeiri filloi të pranohej dhe të njihej në fushën e tij të vërtetë atë të arkeologjisë.
12.
Ajo që shënohet në defterin e kohës si rezistencë, është dëshmi e guximit dhe vendosmërisë së Yzeir Ismailit.Në vitin 1939, në prill, kur fashistët nga ana tjetër e detit pushtuan vendin tonë, ai organizoi një rezistencë të vogël,por të vendosur, kundër pushtuesve.Për këtë arsye, u arrestua dhe qëndroi në burg për tre muaj, përpara se të lirohej.Fashistët, të vetëdijshëm për aftësitë e tij dhe për informacionet e vlefshme që mbante profesioni i tij, e dërguan larg vendit të tij. Ai u emërua drejtor i liceut të Korçës, një qytet i rëndësishëm juglindor. Ndërkaq, në qytetin e Vlorës, ndërtesa e muzeut u bastis dhe u vodh, duke shkaktuar një humbje të madhe për trashëgiminë kulturore.
Në vitin 1942, Yzeir Ismaili u angazhua edhe më thellë në lëvizjen antifashiste, duke marrë pjesë në demonstratën në qytetin e Vlorës. Por jo vetëm kaq ai u njoh si drejtues i një gjimnazi në Korçë, gjë që e bëri objekt të ndjekjes nga pushtuesit. Në shtator të vitit 1943, ai u arrestua dhe u dërgua në internim, përtej kufijve tanë, në Porto-Palermo.Megjithatë, kur u kthye nga internimi, Yzeir Ismaili nuk u dorëzua. Ai u angazhua me forcat e B.K, duke vazhduar luftën për lirinë dhe dinjitetin e vendit të tij.
13.
Në zhegun e djegës të verës së vitit 1944, në fshatin Bubullimë të Lushnjës, nazistët arrestuan një grup të guximshëm shqiptarësh. Ishte data 10 gusht.Mes tyre ishin avokati Skënder Muço, arkeologu i parë shqiptar, Yzeir Ismaili, dhe Zako Mezini, si dhe Jaup Xhezo,N. Aliu dhe dy pjesëtarë të familjes së Yzeirit.
E bija e Yzeirit quhej Serrie, ndërsa e ëma, Salibeja.
Por përse u gjendën në Lushnjë, në atë vend që do të bëhej skenë e fundit e jetës së tyre,ndërsa breshërit e ftohtë të nazistëve i shtrinë përdhe?
Ata kishin qenë më parë në zonën e Karaburunit. Sipas rrëfimit të tyre, një nëndetëse e vogël shfaqej rregullisht në atë zonë, pothuajse çdo të martë. Fillim gushti i atij viti, nëndetësja solli një mesazh sekret nga gjenerali i Mesdheut, ku njoftoheshin disa kushte të rëndësishme për zbarkimin e aleatëve në jug të vendit. Skënder Muço ishte pranë aleatëve, dhe nëndetësja kishte për qëllim të merrte me vete një person me mbiemrin Frashër, i cili do të udhëtonte në Kajro për të diskutuar rreth luftës.
Në këto kushte, ata vendosën të udhëtonin drejt kryeqytetit për t’u konsultuar me Mithat Frashërin.Por udhëtimi i tyre u ndërpre tragjikisht.
Në datën 10 gusht, mes zhegut të pashpirt të verës, nazistët i pushkatuan tre nacionalistët në Bubullimë një vrasje që vulosi një faqe të errët në historinë e rezistencës shqiptare.
Ndërkaq, fati i vajzës dhe i nënës së Yzeirit, Series dhe Salibes, ishte i dhimbshëm. Ato u internuan larg vendit, në Austri, ndoshta në Vjenë, duke u ndarë nga atdheu dhe familja.
14.
Yzeir Ismaili ka pasur fatin të ketë mbështetjen dhe ndërhyrjen e një mësuesi italian, Ricco, i cili jepte mësim në shkollën e fshatit Tragjas. Ky mësues, duke vënë re zellin dhe përkushtimin e tij ndaj dijes, e inkurajoi dhe e ndihmoi për të vazhduar studimet e larta në shtetin fqinj.Në karrierën e tij, Yzeiri ka punuar si nën-drejtor në Shkollën Tregtare të Vlorës, ku drejtor ishte Naun Stërralli, ndërsa mësues të njohur si Imer Sharra në matematikë dhe Alush Leshanaku në fiskulturë kontribuan në mjedisin arsimor.Me dekretin Nr. 52 të datës 28 shkurt 1936, Yzeir Ismaili u emërua zëvendësdrejtor i kësaj shkolle të njohur, një pozicion që e vendosi në qendër të arsimit lokal.
Më 28 dhjetor 1939, ai u dërgua si drejtor i liceut të Korçës, duke u larguar kështu nga pozicioni i drejtorit të muzeut në qytetin e tij të lindjes, Vlorë.Kur ishte drejtues i muzeut, rroga e tij ishte 3 napolona, një shumë që tejkalonte pagat zyrtare të kohës, të cilat zakonisht arrinin deri në 2 napolona.Kjo tregon jo vetëm rëndësinë e pozicionit të tij,por edhe vlerësimin për njohuritë dhe përkushtimin e tij.
15.
Yzeir Ismaili ishte njeriu që erdhi nga Perëndimi me një shkollim të mirëfilltë profesional në arkeologjiNë çdo gur, në çdo copë toke që ai hulumtoi, Yzeir Ismaili shikoi më shumë se thjesht një objekt të lashtë ai pa historinë e një kombi që kërkonte zërin e vet. Jeta e tij, e përkushtuar përmes dijeve dhe sakrificave, nuk ishte vetëm një rrugëtim personal,por një testament i përjetshëm i dashurisë për atdheun dhe kujtesën e tij.
…Edhe pse kohët e errëta e shuan në heshtje, drita e punës së tij vazhdon të ndriçojë rrugën duke na kujtuar se historia nuk është vetëm e shkruar në libra, por në zemrat dhe përpjekjet e atyre që e duan atë pa kushte.
Yzeir Ismaili nuk është vetëm emër i së kaluarës, por një frymëzim i gjallë për të mos harruar, për të çmuar dhe për të ndërtuar mbi themelin e trashëgimisë që ai me aq dashuri na la.