Tri poezi-Nikollë Loka

Ta kam çue nji fjalë…
 
Të kam çue nji fjalë, e s’u banë dy.
A shprehet mendimi me nji fjalë të vetme,
si do ta kuptoje ti,
si mesazh, a si nji përshëndetje?
S’munda ta di!
Prita gjithë ditëve
e gjithë netëve;
fjala me u kthye,
në heshtje u ktheve ti!
Kërkova heshtjes t’i jap za,
por s’e kuptova çfarë më tha.
Kanë thanë se heshtja asht flori,
kur flasin sytë;
s’kisha pse ta çoja nji fjalë të dytë.
Heshtja e thotë çfarë flet kushdo,
pra edhe çfarë mendon ajo.
 
Ndalo pak, merr frymë…
 
Ndalo pak, merr frymë,
koha le të kalojë,
dhe ajo stuhi,
ai mëngjes me brymë,
e ai vërshim,
si një nxitim,
kur gjethet bien,
të na kërkojë.
Ai mot i lig të ikë
e të na harrojë.
Ti prit,
ndalu pak, merr frymë,
dëgjo një thirrmë,
ec më ngadalë se koha!
Mos u fut mjegullave të vona!
Më mirë hap sytë,
të ndihesh vet i dytë!
Ta ngadalësosh hapin,
prit
sa të shfaqet ylli yt,
pastaj të nxitohesh,
me mend t’i tejkalosh yjësitë
e të gëzohesh!
 
 
Në thellësi të detit
 
Në thellësi të detit
ka pamje malesh të përmbytura në ujë,
që kurrë s’ua pamë kreshtat e bardha;
shkëmbinj që rrokullisen,
pa rënë në fund,
lugina të thella,
hapësira të gjata e të gjëra.
Në thellësi të detit,
ka vende ku humb,
e rrjedha ku shfaqesh papritur;
ka toka të virgjëra,
dallgë që kthehen në shkumë,
lumenj mbi dallgë,
që ikin në drejtim të paditur.
Në thellësi të detit,
ka vorbulla ku mungesa merr kuptim;
stacione ku të pret e djeshmja,
rrafshnalta ku dallgët marrin frymë;
një thirrje për shpëtim,
që dallgët ua përcjellin brezave.