Afër teje…Arsinoi Zengo

Arsinoi Zengo Kallco

Afër teje…

Mos më prek…
se lëkura ime e di
atë që buzët ende s’e kanë thënë.
Më afrohu ngadalë,
aq sa fryma jote
të bëhet temperaturë mbi mua,
e heshtja mes nesh
të humbasë çdo emër.
Në sytë e tu
ka një etje që më zhvesh
pa më hequr asgjë;
dhe unë,
me gjithë qetësinë time,
digjem vetëm nga mënyra
si më sheh.
Sonte dua vetëm një gjë:
të mbetet nata pa dëshmitarë,
e ne të harrojmë kohën
diku mes një puthjeje
dhe një drithërimeje… ♥️
#arsi_noi