
1937.
Gëzim Llojdia
1.
Iku me buzëqeshjen e një artisti .Më 16 tetor 1937, në zemër të Tiranës, u hap kinoteatri “Rozafati” një risi kulturore për kohën, që solli frymë të re në jetën artistike të kryeqytetit shqiptar. Në këtë hapësirë të re skenike, u ngjit një emër që do të mbetej gjatë në kujtesën e artdashësve: Matish Prendushi, komiku që i dha jetë humorit shqiptar në një kohë kur vendi kishte aq shumë nevojë për dritë dhe qeshje.Matishi nuk ishte thjesht një aktor.Ai ishte një shpirt i lirë, një njeri që jetën e shihte përmes syve të artit dhe që vdekjen e përjetonte si një akt të natyrshëm të dramës së madhe njerëzore. Në rrëfimin prekës të mikut dhe njohësit të tij të hershëm, Anton Mazreku, zbulojmë jo vetëm anën publike të Matishit, por edhe thellësinë shpirtërore të një artisti që “ka vdekë tue qesh”.
Në faqet e gazetës “Drita” në vitin 1937, Mazreku shkruan me dhimbje për humbjen e mikut të tij të hershëm: “Matish Prendushi ka vdekë i ri… nuk ka qenë më i madh se 32-33 vjeç.” Ishte një kohë kur komeditë që ai interpretonte transmetoheshin në radiostacionin shqiptar dhe kishin filluar të bëhen pjesë e përditshmërisë së dëgjuesve. Dhe pikërisht atëherë, kur emri i tij po merrte hov, kur publiku e kërkonte e duartrokiste, ai u largua papritmas, në heshtje, por me hijeshi.Nëse do të gjendeshin rrethana më të mira ekonomike dhe gjendja e tij shëndetësore do të ishte ndoshta më e mirë, ndonëse talenti i tij ishte i jashtëzakonshëm.Matishi cilësohet se nëse do të ishte gjallë do t’i kishte dhënë një frymëmarrje të gjerë asaj që ne e quajmë lëvizje teatrore.
…Ka vdekë,do të thotë Mazreku, trupi i Matishit ka shkuar në varreza atje ku bota është e shurdhër dhe moti pas moti trupi firon nën ftohtësinë e baltës.Konvertohet një ditë në pluhur, baltë.Mbetet pas, gjurma që ka lënë njeriu. Jemi të përkohshëm në këtë botë. Udhëtarë të saj dhe vetëm gjurma na bënë të dallojmë. Mazreku e përshkruan vdekjen e tij si një ikje shpirti, që udhëton me engjëjt.Ai nuk e sheh fundin e Matishit si një ndalesë. Por si një shtegtim një mërgim i butë drejt qiellit, siç i ka hije një artisti. “Ka vdekë tue qesh,” kjo thënie, më shumë se një përshkrim, është një metaforë e jetës që Matishi jetoi:plot pasion,humor dhe përkushtim ndaj artit.
2.
Duke folur për ikjen Mazreku ka shkruar Matishi ka vdekë tue qesh ose duke e shikuar si artistë jetën dhe vdekjen . Për fatin e artistit sa janë gjallë lozin me dynjanë, shprehet Antoni , dhe kur vdesin askush nuk i bie ndërmend për ta. Mirëpo gjurma që ka lenë Prendushi është gjurmë e thellë. Bukurisht bukur është.Kështu një ditë jetës iku edhe Matishi artisti. Ai la gjurmë në teatrin tonë. Thuhet se ai iku pikërisht kur komeditë e radios kishin marrë dhenë.Ikja e tij është si nëpër ëndërr. Erdhi si të gjithë në botën tonë. Iku artist i vërtetë. Iku nëpër qiej të Zotit.Ikjen në gjuhën e përgjithshme i themi vdekje, mirëpo në gjuhët e besimeve do të mund të quhet shtegtim, mërgim etj.Edhe për ikjen e Matishit koha kur flitet janë vitet ‘30 të shekullit të XX. Anton Mazreku duke përdor gjuhën tonë shprehet:”Ka vdekë Matish Prendushi.”Ndërsa pas kaq vjetësh do ta quaja ka shtegtuar Matishi ose ka mërguar shpirti i Matishit, prej këtej nesh.
3.
Si e përshkruan Antoni, artistin që në vogëli të tij.
“E kam njohur qysh të vogël dhe kemi qenë shokë shkolle.”
Me këto fjalë nis rrëfimin e tij Anton Mazreku, njeriu që nuk ishte vetëm një vëzhgues i largët i talentit të Matish Prendushit, por një dëshmitar i drejtpërdrejtë i formimit të tij, që nga bankat e shkollës e deri në skenën e madhe të kryeqytetit.
Në kujtimet e tij të sinqerta, Anton shprehet me admirim për mikun e tij të fëmijërisë:
“Ishte shumë i zgjuar dhe kishte një marrëdhënie të çuditshme me jetën, me njerëzit, me botën që e rrethonte. Ishte ndër nxënësit më të mirë të klasës, por kurrë nuk mburrej me këtë. Kishte një ndjenjë të lindur humori dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të vënë buzëqeshje në fytyrën e kujtdo.”
Në një rrëfim që Anton Mazreku i sjell gazetës “Drita”, ai përpiqet të japë më shumë se një portret të thjeshtë biografik. Ai rikujton djaloshin e hollë, gjithmonë me sy të gjallë, që brenda vetes mbante një botë të tërë imagjinate dhe ndjeshmërie.
Matishi, sipas tij, kishte diçka të veçantë, që e dallonte nga të tjerët një shpirt artisti që ndihej që në vegjëli.Antoni tregon se edhe kur ende ishin fëmijë, Matishi kishte aftësinë për të krijuar skena komike spontane, për të imituar mësuesit apo bashkëfëmijët me një finesë të pazakontë për moshën.
“Ishte sikur te ai bashkoheshin fëmija dhe artisti në një trup të vetëm,” shkruan ai.
Por përtej talentit të lindur për skenë, Matishi kishte edhe një thellësi mendimi që nuk i shpëtonte Antonit.
…“Ndonjëherë e gjeje duke soditur qiellin, duke heshtur në mënyrë të pazakontë për një fëmijë,” tregon ai, si për të na treguar se ky njeri që i bënte të gjithë të qeshnin, kishte gjithashtu një anë të heshtur, ndoshta të trishtuar, që e mbante për vete.Për Antoni Mazrekun, Matish Prendushi ishte një talent që ndriçonte që në fillim, një djalë që edhe para se të njihej si komik në skenë, ishte një shpirt i ndriçuar në jetë.
4.
….“E mbaj mend si sot ishte një ditë e ftohtë dimri. Binte shi me rreshkë. Dikush ja kishte kallëzue punën e Matishit mësuesit tonë e mësues kishte ardhë me i pa nxënësit e vet tue lujtë theatër. Kishte zënë vend natyrisht në karrigen e nderit. Sallë, një odë e vogël për të mos thënë ishte mbushur plotë e përplotë me spektatorë. Tue vu re mësuesi si klasa e tij ishte komplet aty ai nuk mujt me ndejë pa i thënë një prindi. Kish të më vijoshin edhe mue në shkollë si njëkështu si i vijnë Matishit na kënaqtë e shkrinte së qeshuri i shkreti Matish.
Një plak që kishte zënë vend njatje në fund të odës, në galerin popullore e që skishet veçse një dhëmbë në gojë i thotë shoqes së vet: U këtij i raftë pika veç.”
5.
Një artist i turmave .“Matishi asht rrit e burnue, nuk është më artisti i një grumbulli shokësh.Tash është artisti i turmave.”
Me këto fjalë plot krenari dhe mall, Anton Mazreku përshkruan kalimin e mikut të tij të hershëm nga skenat spontane në qendrat më të rëndësishme artistike të kryeqytetit shqiptar.Sidomos ndër ato të kinemave të kryeqytetit ndërmjet të shfaqjes së parë dhe të dytë të një filmi.Talenti i tij admirohet prej të gjithëve.
Prendushi është një artist që ka marr nga jeta brumin dhe frymëzim për komeditë e tij. Ai flet gjuhën e tij dhe si i këtillë ai kishte bërë shumë admirues dhe vend nëpër faqe të gazetave, që dilnin në Tiranë.
Me ikjen nga jetë të këtij artisti siç pohon edhe Antoni flitet për vitin 1937 dhe duhet kuptuar koha kur bënë fjalë, emri i tij ka pasur vend të nderuar. Ai i ka shërbyer teatrit në gjininë e komedisë. Kur shpirti i hapërdahej qiellit të Zotit, mosha e artistit shkonte diku mes të 33- ve. Matish Prendushi, në vitet ’30, ishte tashmë një emër ,që binte në sy në faqet e gazetave, një figurë e dashur për publikun dhe një ikonë e humorit shqiptar.Ai nuk interpretonte më vetëm për argëtim mes miqsh,por luante në salla të vërteta, aty ku publiku mblidhej për ta parë jo si një djalosh të thjeshtë me dhunti, por si një artist të pjekur dhe me personalitet artistik të formuar.Anton Mazreku, që e kishte ndjekur në çdo hap të jetës, shkruan:
“Sidomos ndër ato të kinemave të kryeqytetit, ndërmjet të shfaqjes së parë dhe të dytë të një filmi, Matishi lot, bën humor, jep shpirt. Talenti i tij admirohet prej të gjithëve.”Ai ishte bërë pjesë e pandashme e jetës artistike të Tiranës. Me një shqisë të mprehtë për realitetin dhe ndjeshmëri të veçantë për jetën e përditshme,Matishi ndërtonte art që flisnin me zërin e popullit, që preknin plagët dhe çastet e gëzimit të njerëzve të thjeshtë.
“Ai ka marrë nga jeta brumin dhe frymëzimin për komeditë e tij,” shkruan Mazreku, duke nënvizuar se arti i Prendushit buronte nga jeta vetë.Komeditë e tij u transmetuan edhe në radiostacionin shqiptar, një arritje e madhe për kohën. Zëri dhe batutat e Matishit filluan të dëgjoheshin gjithandej, e bashkë me to, një formë e re e humorit skenik shqiptar po merrte jetë.Por gjithçka ndaloi papritur.Në vitin 1937, në kulmin e famës dhe forcës krijuese, Matishi u nda nga jeta. Siç përshkruan Mazreku, mosha e tij ishte rreth të 33-ve. Në atë moshë, kur artistët janë më të plotësuar, më të guximshëm dhe më të etur për të dhënë, ai iku. Një humbje e madhe jo vetëm për artin e humorit, por për të gjithë lëvizjen teatrore shqiptare të kohës.“Ai i ka shërbyer teatrit në gjininë e komedisë,” shkruan Antoni, dhe me këtë fjali e përmbyll një epokë të shkurtër, por me vlerë të jashtëzakonshme. Emri i Matish Prendushit nuk ishte vetëm një poster shfaqjeje, por një kontribut që mbeti në kujtesën kolektive si një shenjë e gjallë se arti i vërtetë lind nga njerëzit dhe jeton përmes tyre.
6.
Matishi nuk ka vdekë.Gjurmët që nuk i fshin koha.“Ka vdekë Matish Prendushi,” kështu kishte shkruar Anton Mazreku në gazetën Drita më 1937. Por sot, mbi shtatë dekada më pas, kjo fjali kërkon një korrigjim të vogël jo në fjalë, por në kuptim. Sepse Matishi nuk ka vdekur.Jetët e artistëve të mëdhenj shpesh janë të shkurtëra. Ka një lloj misteri të dhimbshëm që i ndjek, një fatalitet i heshtur që i bën të largohen pikërisht kur kanë filluar të japin më shumë, kur publiku sapo ka filluar t’i njohë vërtet. Kështu ndodhi edhe me Matish Prendushin, komikun që la gjurmë të thella në skenën shqiptare edhe pse pati vetëm 33 vite për të jetuar dhe pak më shumë për të lënë pas një trashëgimi artistike.
“Jeta është e shkurtër, por gjurma e Matishit është e pranishme,” shkruhet me të drejtë. Ai ishte ndër të parët që e shndërroi komedinë në një mjet të fuqishëm arti, por edhe shprehjes së ndjenjave kolektive, shpirtit të kohës dhe shqetësimeve të përditshme të njerëzve. Në një epokë kur Shqipëria ishte ende duke kërkuar zërin e saj kulturor, zëri i Matishit në radio ishte si një shpërthim drite në errësirë.Anton Mazreku, që e njohu nga afër dhe e përjetoi ngritjen e tij, nuk e harron të përmend dy kufizime që i prenë jetës dhe karrierës rrugën përpara kohe: gjendjen e rëndë ekonomike dhe shëndetin e brishtë. Këto nuk janë thjesht fakte biografike, por pjesë të një realiteti të ashpër, ku shumë talente shqiptare të viteve ’30 nuk patën as kushtet dhe as kohën për të lulëzuar plotësisht.Nëse Matishi do të kishte jetuar më gjatë, padyshim vepra e tij do të ishte më e madhe, më e pasur, më ndikim plotë. Por ndoshta edhe kështu siç ndodhi, ndarja e tij e hershme vetëm sa e ngjiti më thellë në kujtesën e njerëzve atë figurë të dashur,që e deshën sepse i bëri të qeshnin, pa qenë kurrë sipërfaqësor.Ikja e tij ishte një humbje jo vetëm për skenën, por edhe për radion, që sapo po e prezantonte me publikun e gjerë. Zëri i Matishit në eter ishte bërë pjesë e përditshmërisë së dëgjuesve. Dhe, siç ndodh me artistët e mëdhenj, kur mungesa e tyre ndihet kaq shumë, kjo tregon sa të rëndësishëm kanë qenë.
7.
Dhe kështu, Matish Prendushi mërgoi jo thjesht vdiq. Ai u largua, në mënyrën e heshtur të një artisti që e ka dhënë gjithçka nga vetja, që ka bërë detyrën e tij pa bujë, dhe që ka lënë gjurmë që koha nuk i shlyen dot.Mirëpo mërgimi i pafundme i Matishit nuk ka kthim.Mërgoi për atje nga ku erdhi shpirti i bardhë i dlirë dhe prej artisti