Forum/ Deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio: Flasin Ing. Nako Petro, Jorgji Hanxhari dhe Nikollaq Gjergji
– Një shtet i fortë nuk ndërtohet duke shitur pasuritë që ka trashëguar, por duke i shndërruar ato në ekonomi, industri, vende pune, mirëqenie dhe siguri për qytetarët.
Albert Z. ZHOLI
Një deklaratë e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se shtetet që nuk janë në gjendje të prodhojnë ilaçe dhe anije rrezikojnë të mos mbijetojnë në një botë gjithnjë e më të ashpër, ka ngjallur debat. Pavarësisht nëse kjo shprehje ishte metaforike apo një paralajmërim strategjik, ajo ngre një pyetje që edhe Shqipëria nuk mund ta shmangë, sa i sigurt është një shtet i vogël që varet pothuajse plotësisht nga të tjerët për nevojat jetike?
Nako Petro-ish drejtor i UPTHNB
Në një botë ku globalizimi po zëvendësohet nga konkurrenca për fuqi, teknologji, industri dhe burime, shtetet e vogla janë më të ekspozuara se kurrë. Pandemia e COVID-19 tregoi se edhe vendet më të zhvilluara mbyllën kufijtë dhe rezervuan ilaçet e vaksinat për qytetarët e tyre. Luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dëshmuan se zinxhirët e furnizimit mund të ndërpriten brenda pak ditësh. Shqipëria është një nga vendet që ndien më fort këtë varësi, pjesa dërrmuese e barnave importohen. Nuk ndërtojmë anije tregtare, nuk kemi industri të rëndë, nuk prodhojmë teknologji strategjike dhe ekonomia mbështetet kryesisht te shërbimet, turizmi dhe remitancat. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka të ardhme, por do të thotë se duhet të ndërtojë më shumë kapacitete strategjike nëse dëshiron të jetë më rezistente ndaj krizave. Nga ana tjetër, historia tregon se numri i shteteve është rritur vazhdimisht gjatë shekullit të kaluar, nga rreth 77 shtete në fillim të shekullit XX, sot bota numëron afro 200. Megjithatë, shtimi i shteteve nuk ka sjellë domosdoshmërisht më shumë stabilitet, konfliktet rajonale, rivalitetet gjeopolitike dhe luftërat vazhdojnë të dominojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Pikërisht në këtë klimë lind edhe debati për të ardhmen e shqiptarëve në rajon, bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është një objektiv që shumë e konsiderojnë të rëndësishëm ekonomikisht, politikisht dhe kombëtarisht. Megjithatë, çdo ndryshim i statusit politik apo territorial duhet të ndodhë vetëm në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, vullnetin demokratik të qytetarëve dhe në mënyrë paqësore. Historia ka treguar se zgjidhjet e imponuara me forcë krijojnë konflikte të reja, jo stabilitet. Po aq e rëndësishme është edhe marrëdhënia me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sfida nuk është ndarja apo përplasja, por forcimi i arsimit, ekonomisë, identitetit kulturor dhe bashkëpunimit institucional, një komb bëhet më i fortë kur investon te njerëzit e tij, jo kur ushqen ndarje. Në vend që të diskutojmë vetëm madhësinë territoriale, ndoshta duhet të shtrojmë një pyetje më të rëndësishme se çfarë e bën një shtet të madh? A është sipërfaqja, popullsia, ushtria, apo aftësia për të prodhuar, për të inovuar dhe për të mbrojtur interesat e veta? Izraeli, Singapori apo Zvicra janë shtete relativisht të vogla, por kanë ndërtuar industri strategjike, kërkim shkencor dhe ekonomi konkurruese që u japin peshë shumë më të madhe se madhësia e tyre gjeografike. Shqipëria nuk mund të konkurrojë me superfuqitë për territor apo ushtri, por mund të ndërtojë një industri farmaceutike, të zhvillojë prodhimin ushtarak, të investojë në energji, tw përpunoj naftën dhe mineralet, në porte, në teknologji dhe në kapital njerëzor. Mund të bëhet më pak e varur dhe më e aftë për të përballuar krizat. Paralajmërimi i Rubios, nëse lexohet përtej retorikës, nuk është një thirrje për pushtime apo zgjerime territorial, është një kujtesë se në shekullin XXI mbijeton ai që ka kapacitete prodhuese, ekonomi të fortë dhe institucione funksionale.
Prof Asoc. Jorgji Hanxhari
Zbërthimi më i mirë që mund t’i bëhet paralajmërimit të Rubios është paragrafi i fundit i Nakos: Shqipëria duhet të bëhet më e fortë në ekonomi, industri, shkencë dhe në ndërtimin e shtetit, pasi vetëm kështu do të bëhet më e pavarur dhe më e aftë të konkurrojë si një shtet i vërtetë. Por, që kjo të ndodhë, duhet të largohet kjo klasë politike e paaftë dhe servile dhe, në vend të saj, të vijë një qeveri e përgjegjshme, që të marrë përsipër zhvillimin e vendit, duke shfrytëzuar me përgjegjësi burimet natyrore mbi dhe nëntokësore. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke u mbështetur te shitja e tokës, pasurive kombëtare dhe cenimi i interesave e integritetit territorial të vendit, siç kanë vepruar qeveritë e mëparshme dhe qeveria aktuale. Një shtet i fortë nuk ndërtohet duke shitur pasuritë që ka trashëguar, por duke i shndërruar ato në ekonomi, industri, vende pune, mirëqenie dhe siguri për qytetarët.
Ing. Nikollaq Gjergji
Shqipëria ka një histori edhe të dhimbshme, por edhe histori legjendare e madhështore. Shqiptarët, kur janë të bashkuar në besë, në fe dhe në ideale, janë një komb i fuqishëm. Por, kur tradhtia i përçan dhe tradhtarët marrin timonin si mëmëdhetarë, ndërsa populli u beson, keq e ka pasur dhe më keq mund të ketë. Ne shqiptarët duhet të mbledhim fiqirin dhe të vendosim drejtësinë e ndershmërinë si popull. Duhet bashkim rreth besës; duhet besë për lirinë dhe pavarësinë e gjithkujt dhe respekt për pronën e gjithkujt, veçse për pronën e vënë me mund e djersë dhe jo me korrupsion. Nëse pronat shqiptare nuk do të përfundojnë te i zoti – dhe këtu e kam fjalën për pasuritë kombëtare të tokës e të nëntokës, të detit dhe të gjithçkaje tjetër; për pronën e individit, të familjes, si dhe pronën publike e të përbashkët – shoqëria shqiptare keq e më keq do të shkojë. Shqiptarët nuk e pranojnë korrupsionin, nuk pranojnë grabitjen, nuk pranojnë tradhtinë. Ata e kanë pasur gjithmonë në gjak mbrojtjen e së drejtës dhe të besës. Kur janë tradhtuar dhe u është prerë besa, reagimi i tyre ka qenë i fortë. Tradhtia dhe bashkëpunimi i tradhtarëve me pushtuesit gjatë historisë i kanë mësuar popullit tonë të bashkohet për të mbrojtur interesat e familjes, të fëmijëve, të fisit, të krahinës dhe të gjithë kombit. Dhe kur është bashkuar, populli shqiptar është bërë më i fortë edhe përballë fuqive më të mëdha të historisë. E keqja është se tradhtarët e kombit tonë janë bërë tepër dinakë dhe çdo hap që bëjnë, e bëjnë me dinakëri. Kjo dinakëri e ka katandisur popullin tonë keq, pikërisht atëherë kur ai shpresonte për kohë më të mira. Për sa i përket ekonomisë, nuk do të bëj histori, por baza e pavarësisë dhe e lirisë së vendit është liria dhe pavarësia personale, e familjes dhe e fisit. Kjo arrihet kur gjithsecili ka pronën që meriton, të trashëguar apo të fituar me punë. Populli shqiptar i ka pasur këto pasuri, por ato ia kanë grabitur njerëz të lidhur me pushtetin dhe korrupsionin. Këta e shndërruan pasurinë e popullit në pasuri të tyre dhe të aleatëve të tyre. Kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe kërkon zgjidhje. Nëse kjo çështje do të zgjidhet drejt dhe me drejtësi, populli shqiptar mund të bëhet aq i fuqishëm sa edhe kombet e mëdha. Sipas pikëpamjeve të mia, baza e ekonomisë është bujqësia dhe blegtoria moderne. Por kjo kërkon edhe industrinë moderne. Kur ke bujqësi, blegtori dhe industri moderne, krijon edhe bazën për një shtet të fortë dhe për një mbrojtje të fuqishme. Industria farmaceutike, industria e armatimeve dhe shumë degë të tjera të industrisë e kanë bazën te një ekonomi e zhvilluar dhe te industria moderne. Por teknika, sado e zhvilluar të jetë, nuk garanton e vetme mbrojtjen e vendit. Për këtë duhet edhe populli ushtar, i bashkuar besa-besë, për të mbrojtur mëmëdheun, i cili është pasuri e popullit dhe jo pasuri e grabitqarëve. Populli di shumë mirë edhe të punojë, edhe të mësojë, edhe të mbrojë mëmëdheun e vet. Sepse mëmëdheu nuk mbrohet vetëm nga ushtria. Mëmëdheu mbrohet nga i gjithë populli, kur ai e ndjen se ky vend është i tij, se prona është e mbrojtur, se puna shpërblehet, se drejtësia është e barabartë për të gjithë dhe se pasuritë e vendit janë në shërbim të qytetarëve dhe të brezave që vijnë.
