ME PRIT, TOKË E DASHUR
Më prit, tokë e dashur,
drejt teje po vij…
Edhe gjumi ka ikur
në këtë natë të gjatë.
Zemra numëron orët,
ndërsa malli ka ngritur fole në shpirtin tim
dhe mezi pret të marrë fluturim
për të ardhur pranë teje.
•
Do të shkel mbi ty
dhe do të ndiej se jam shqiptar.
Do të mbushem thellë me frymë,
do të thith ajrin tënd,
atë ajër që më bën
të ndihem përsëri një tjetër njeri.
Buzëqeshja do të marrë tjetër kuptim,
e sytë s’do të ngopen
duke të parë.
•
Mezi pres agimin
të vij pranë teje, o shtëpi e xhanit,
o mure që mbani ende
copëza të ekzistencës sime.
Do të shkel në oborrin e madh
dhe do të ndiej nën këmbë
tokën që më ka pritur kaq gjatë.
Çdo gur, çdo pëllëmbë dheu
ruan ende gjurmën që lashë
para se udhën e gjatë ta merrja
drejt botës së madhe.
•
E di… lulet më janë tharë,
kopshti s’do ta ketë më
bukurinë që mbante dikur.
Por do të më njohin…
do të më thonë në heshtje:
“Erdhi…
erdhi të na ringjallë sërish.”
•
Më prit, nënë…
më prit, o babë…
Edhe pse nuk e dini
se ua kam lënë ardhjen time surprizë,
mos dua t’jua shtoj merakun
mbi pleqërinë tuaj
plot mundime.
Dua të shoh vështrimin tuaj,
të prek dashurinë
që e keni ruajtur për mua
ashtu siç e lashë dikur
në gjirin tuaj.
Do të më dridhet buza
kur t’ju shoh në prag…
ndoshta s’do të mund të them asgjë,
sepse sytë do të flasin
më shumë se çdo fjalë.
•
Eh, ky mall që mbaj
është bërë i rëndë sa një jetë.
Por po pres të zbardhë agimi
dhe të nisem drejt asaj ëndrre
që e kam parë gjithmonë,
edhe kur kam qenë e zgjuar…
Drejt shtëpisë së vendlindjes sime.
Drejt tokës që më njeh.
Drejt pragut ku kam rritur fëmijët.
Drejt atij oborri
ku çdo gur e di emrin tim.
