Heshtje-Majlinda Pajaj

Majlinda Pajaj

Heshtje
Heshtje…
në brigjet e shpirtit,
më fle një britmë,
e mbështjellë me kripën e plagëve,
si një guackë që ruan,
detin e një dhimbjeje të pathënë.

Zogjtë udhëtojnë në qiellin e mallit,
mbartin horizonte të grisura,
dhe krahët këputen,
në degët e padukshme të pritjes.

Mbi botë ulet,
një perde e hirtë,
dielli lind,
por edhe agimi mund të jetë i verbër,
drita prek dritaret,
thërrmohet në ajër,
dhe shuhet para se të arrijë në shpirt.

Atje, në thellësi,
pritja rri në prag,
me duart bosh,
duke numëruar mungesat.

Heshtje…
ende fle britma,
dhe askush nuk e di,
nëse do të zgjohet si klithmë,
apo do të çelë,
si një lule e zezë,
në kopshtin e fundit të dritës.

MAJL
NEW YORK