Jo kalimthi…Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

JO KALIMTHI…
        (cikël poetik)


*
Gjithçka në protestë …
veç njerëzve
dhe gurët
veç gurëve
dhe retë.


Zjarret, gjithandej, djegin
si mund të protestojnë?
Librat plot dhimbje
alfabeti
në plojë.


Gjithçka në protestë…


Ndryshe nga të tjerët
në Vlorë 
unë protestoj
për të gjitha 
protestat
humnerë… 


Ndonse dritën
të gjithë 
e duam njësoj,
Endrrat që digjen
si mund të protestojnë. ?


*
Fytyrë vajze kjo mbrëmje ngjiz,
mirëfilli pret një të dashur 
edhe më të dashur


polic qyteti, helmetë…krismë.


Sikur polici të jetë 
ati i të dashurit 
të kësaj vajze
ç’dhemb më shumë 
fytyra e saj lotë resh
a hiri që pi gjakun 
e të pafajshmëve?


*
Në rrugët e Tiranës 
semaforët përloten,
nga sytë verbohen 
sheshet, kryqëzimet


shëtitja e mbrëmjes çalon sonte.


Ne 
ku të jetojmë këtë mbrëmje ?
Kondak s’ka qielli 
as hëna s’ka thundër
po pse plagosur 
këtu – atje
gjoksi i ëndrrave?


Në qiejt e Tiranës 
fluturimet përloten,
këmbadoras ecin edhe qiejt sonte…


*
Tirana dikur jetonte tiranisht,
poeti Fatos ia ndjente 
ankthin kësaj bote
k’putur në gisht.


Shoh një gisht në ajër,
shoh një grusht,
prapë po ai 
qiell i varfër
mbathur me dimër dhe ushtë.


Tirana, dikur, gjoja 
jetonte e paqtë
me një kokërr plumbi
rreth koke
me një hudhër 
në kafkë.


Shoh një gisht në ajër,
shoh një grusht…


*
Jetoj në Durrës 
me qytetin e murrët
me gjysm’ skulpture,
i bindur, i pabindur 
nga çdo urdhër 
urdhërohem 
veç prej dallgëve, 
portit, lundrimeve, urave.


Ku ta gjej një urë
t’i bashkoj brigjet 
e njeriut 
me njeriun e vërtetë,
ku ngjarjet nuk sjellin 
gladiatorë dhe as hije
por duar që linden 
nga dashuria bletë.