Fatmira Limani
Eh, ç’po lëngon atdheu im,
O vendi im i bukur,
për sa të ka krijuar natyra.
Nuk pate fat të të gëzojë njerëzia,
me bukurinë e pasurinë për kënaqësinë e tyre.
Askush nuk të bën fajtore,
që në çdo stinë lulëzon, por ferrat të mbulojnë.
Të ra fati me një racë njerëzore ziliqare,
për inat të njëri-tjetrit, ti të mbetesh pas dore.
Historikisht, ndër shekuj ke vuajtur.
Në këtë tokë ke lindur e rritur miliona vetë.
Të shumtë të kanë braktisur në dhe të huaj.
Më të vuajturit qëndruan, sot derdhin lot për ty.
Askush s’të ka braktisur se nuk të duan.
Je mëma që i ke lindur, këtu u ka rënë koka.
Po rrethanat e kushtet e rënda i kanë detyruar,
se këtij vendi i ka munguar një kokë e duhur.
Shumë shekuj me radhë qëndrove në robëri.
Askush nuk të doli për zot, të të ndryshojë.
Kjo qe fatkeqësi, askush ta thotë nuk di.
Dimë që linde heronj, sulltanë e perandorë.
Shqiptarët nëpër botë kanë bërë histori.
Sa e sa intelektualë e shkencëtarë mërgimtarë,
dijet e aftësitë e tyre vënë në shërbim të botës.
Vendit i mungojnë, sot digjet, shkatërrohet.
E dhimbshme të jetosh me vuajtjet e së kaluarës.
Dallgët rrëmbyese vendi ynë i ka kaluar.
Si kjo revoltë, sot ndodhin edhe nëpër botë.
Po vendi ynë ka plagë të thella, nuk duron dot.
Shqipëria është si një lule, çelur në rrënjë të vjetër,
me degë të prera, të këputura.
Sado të forta të jenë rrënjët, lulja do përkujdesje,
rrënjë të reja të lëshojë, përjetësisht të rrojë.
Të gjithë prej nesh Shqipërinë e duam.
Por e keqja jonë do ta kemi në gjenezë:
e duam vetëm për vete, si pronë, e askush tjetër.
As vëllai për vëllanë nuk duam që ta ketë.
E kush mund t’i shërojë plagët e tua?
Nuk shërohen duke djegur e shkatërruar,
por duke ndërtuar e ruajtur, lulëzuar e zbukuruar.
Që bota të përparojë, duhet njeriu i duhur.
16.09.2026 – Antwerp, Belgjikë
Fatmira Limani