-Vështrim mbi një antologji poetike-
Nga Panajot Zoto

Antologjia poetike, botim i shtëpisë botuese “2M”, me poezi të autorëve ,anëtarë të klubit të krijuesve “Let – Art” -Delvinë , është një aritje tjetër e kësaj shoqate krijuesish, në vitin e katërt të themelimit. Kjo antologji, në edicionin e tretë -2026 , është një vlerë e shtuar në traditën kulturore të këtij qyteti; është një lloj mozaiku poetik ku përfshihen shumë zëra krijuesish.
Autorët ,pjesëmarrës në këtë antologji: Natasha Xhelili, Thoma Cero, Panajot Boli, Vladimir Qilimi, Lefter Shomo, Iljaz Bobaj, Florentina Tamo, Gjergji Muço, Alma Tefa, Idajet Duka, nuk shkruajnë njëlloj,nuk kanë të njëjtën mënyrë të ndërtimit të vargut dhe nuk i qasen jetës nga i njëjti këndvështrim.Pikërisht këtu qëndron dhe një nga vlerat e saj: në larminë e zërave dhe të ndjeshmërive.
Në poezitë e tyre gjejmë dashurinë dhe mallin, kujtesën dhe vendlindjen, natyrën dhe stinët, mërgimin dhe ndarjen, mardhëniet prindërore, lirinë, dhimbjen, humbjen dhe shpresën. Po, përtej këtyre temave, ajo që i bashkon poetët është përpjekja për ta kthyer përvojën njerëzore në fjalë, figurë dhe emocion. Kështu kjo antologji mund të lexohet si një hartë e ndjeshmërisë njerëzore ku secili autor ka hapsirën e vet dhe , të gjithë së bashku krijojnë një peisazh më të gjerë poetik.
Te Natasha Xhelili, natyra shfaqet si një pasqyrë e shpirtit. Ajo vjen me një poezi të ndjeshme lirike të lidhur ngushtë me natyrën , dashurinë dhe njeriun. Vargjet melodioze plot figura ngjallin te lexuesi emocione e kënaqësi estetike. Bora, në poezinë “kuvendi i bardhë” nuk është thjesht një dukuri e dimrit. Ajo shndrohet në një botë simbolike ku malet, retë, liqeni dhe drurët marrin një jetë të veçantë. Ndërsa në poezinë “Në këngën tënde” Xhelili na fut në botën intime ku “kënga” bëhet metaforë e dashurisë, ndërsa subjekti lirik përjeton dhimbjen e pamundësisë për të qënë pjesë e këngës së tjetrit. Në krijimet e Xhelilit bie në sy një poezi me ndjeshmëri të lartë lirike dhe një imagjinatë e lidhur fort me natyrën dhe njeriun. Ajo di të ndërtojë atmosferë dhe të shndrojë peisazhin në gjendje shpirtërore.
Thoma Cero, vjen në këtë antologji me disa poezi interesante. Në poezinë e tij ndihet më shumë prirja për reflektim, dhe ndjenja e dashurisë në gjithë kuptushmërinë e saj. Te “Monopatit të jetës” autori e vendos poezinë në një rrugë të vështirë ngjtjeje. Pena është shoqëruese e poetit, ndërsa vargu bëhet mjet për të përballuar jetën dhe për t’i dhënë kuptim asaj. Në poezitë e tij Thoma Cero dallon si një poet që kërkon të vendos vargun në mardhënie me kohën dhe me fatin njerëzor. Poezia e tij ka prirje të jetë njëkohësisht ndjenjë dhe mendim. Ai sjell në këtë antologji një poezi me reflekse metaforike dhe herë- herë aforistike. Nuk kënaqet vetëm me përshkrimin,por kërkon të nxjerrë prej figurës poetike ,mendim për jetën, kohën dhe fatet njerëzore.
Poezia e Panajot Bolit mund të cilësohet edhe si poezi e kujtesës dhe humanizmit. Ai sjell në këtë antologji një zë të veçantë njerëzor, e dukshme kjo te poezia “Sa herë bie zilja e shtëpisë”, një poezi e kujtesës, por edhe një poezi për mësuesin. Çanta e vjetër, esetë e nxënësve, recitimet dhe pema e vitit të ri nuk janë thjesht detaje të një historie personale…Në tërësinë e vet,poezia e Panajot Bolit lidhet me natyrën, dashurinë për njeriun dhe kujtesën. Ai dallohet për një poezi të ngrohtë, komunikuese dhe humane, ku përvoja personale lidhet natyrshëm me kujtesën dhe dashurinë. Poezia e tij është e drejtpërdrejtë dhe e mbështetur fort te emocioni njerëzor.
Poezia e Vladimir Qilimit , ka një frymë revolte e shprehur kjo përmes simboleve. Ndërkaq në poezinë “Opus lirie” simbolika ka një karakter moral.Përmes metafors së fluturimit të zogut që kërkon pavarsi nga kujdesi prindëror , për ta njohur botën, autori prek një të vërtetë universale: Është nëna që dëshiron ta mbajë fëmijën, por njëkohësisht duhet ta lejojë të rritet….Rënia e zogut dhe përpjekja për t’u ngritur sërish në fluturim, e bëjnë fluturimin simbol të jetës. Vladimir Qilimi përdor në poezitë e tij forcën e fjalës dhe komunikimin e drejtpërdrejtë, një fabul të thjeshtë dhe të kuptueshme për të përcjellë një ide të caktuar.
Dashuria si gjuhë e luleve dhe e zemrës:është kjo një karakteristikë e poezisë së Lefter Shomos, që shfaqet si një nga zërat më të drejtpërdrejtë të lirikës së dashurisë. Në poezinë “Puthje të lulëzuara” ai ndërton një botë ku dashuria përkthehet në gjyra, aromë,lule dhe lulëzim. Poezia ka një karakter të këndshëm melodik dhe një ligjërim të ngrohtë. Në poezitë e tij Shomo nuk kërkon një gjuhë të sofistikuar artificialisht. Ai kërkon gjuhën që vjen nga zemra përmes një ligjërimi sentimental me një prirje për metafora të bukura të dashurisë dhe një besim të fortë te fjala e shkruare si dëshmi e ndjenjës.
Poezia e Iljaz Bobaj lëviz nga lirika te meditimi. Ai paraqitet në këtë antologji me një poezi të konsoliduar në planin refleksiv. Poezia “Ti vjen përherë”, psh, e mishëron këtë. Kjo poezi ndërtohet mbi figurën e derës së hapur. Është dera e zemrës që në mbyllje kuptojmë përpjekje për ta hapur dhe ku hapja është pranim i rikthimit. Është një rikthim ‘si mëngjezi’ dhe ‘si flladi në pranverë’. Te poezia “Kur hesht” Bobaj e shikon njeriun si pjesë të natyrës, fjalës dhe zhurmës së botës ku jetojmë. Në se hesht,thot ai, bota vazhdon, por “vdes vetëm bota jote”. Iljaz Bobaj sjell në këtë antologji një zë të konsoliduar refleksiv ku ndjenja ndërthuret me mendimin dhe simboli me përvojën njerëzore.
Florentina Tamo sjell një nga motivet më të fuqishme në tërësinë e poezive të saj: Mallin e mërgimit. Në poezinë “Mall në valixhen e vjetër”, valixhia është simboli qëndror. Ajo mban jo sende por kujtime: zërin e gjyshes, erën e vendlindjes,diellin, shiun, shtëpinë dhe nënën. Është një nga ato figura ku objekti konkret merr një kuptim shumë më të gjerë shpirtëror. Poezitë e Tamos përshkohen nga ndjenja e dashurisë dhe kujtesa e cila jeton në përditshmërinë e saj , e shprehur qartë kjo edhe në poeinë “Nesër më kujto” . Dashuria ,për të, nuk zhduket me ndarje; ajo mbetet në erë, në agim, në lot dhe në kujtesë. Florentina Tamo ka një zë emocional dhe të sinqertë, veçanërisht të fuqishëm, autentik kur flet për mallin dhe vendlindjen.
Një zë i veçantë në këtë antologji është Gjergji Muço,një poet i ri, poezia e të cilit lëviz ndërmjet mitit, filozofisë dhe simbolit. Poezia “ Shkronjat e zeza” është një poezi mbi fjalën dhe të vërtetën. Për të shkronja nuk është vetëm shenjë; ajo bëhet bartëse e dhimbjes dhe kujtesës. Ai e sheh fjalën si një urë që lidh njeriun me veten. Ndërsa në poezinë “ Firma e Akironit” kemi një zgjerim të ndieshme të hapsirës poetike.Mitologjia, filozofia dhe historia kulturore ndërthuren në një ligjërim të pasur. Muço është një autor që kërkon ta ngrejë përvojën individuale drejt një përmase më universale, duke e vendosur dashurinë, dhimbjen, kujtesën dhe lirinë në një hapsirë filozofike.
Tek Alma Tefa kemi një zë të brendshëm. Ajo shkruan me një ligjërim të përqëndruar, intim dhe simbolik. Në poezinë “Shirat”, humnerat ku mbyten vitet, stinët, fjalët dhe kujtimet bëhen metaforë e një gjendjeje të rënduar shpirtërore. Po brenda kësaj erësire ekziston edhe dëshira për të dalë, për të shpëtuar,për të marrë frymë. Ndërsa në poezinë “Pa vela” poetja e vendos vetë aktin e krijimit të qendrës së poezisë. Nuk mund të shkruaj pa vështrimin, pa erën, pa gjethet, pa natën dhe , në fund, ‘pa mua- në mua’ Kjo është një deklaratë mbi nevojën e autencitetit në krijim.
Ndërkaq Idajet Duka, sjell një ngjyrim tjetër në këtë mozaik krijimesh poetike. Poezia e tij ka lidhje të dukshme me traditën e këngës popullore. Poezia “Kjo sevda e dashurisë”, psh. mbështetet te një gjuhë e ritëm të këngës tradicionale popullore. Fjalët ‘sokak’, ‘sevda’, ‘gërshetë’, ‘saba’ dhe mënyra e ndërtimit të vargut krijojnë një atmosferë tradicionale. Edhe poezia “Tek buzët do rija”, që është më sensualja në shprehje, shohim të njëjtin karakter popullor. Vlera e Dukës qëndron edhe në faktin se sjell në antologji një frymë që nuk kërkon të jetë e komplikuar, por të jetë e këndshme, e afërt dhe e lidhur me traditën.
Përmes këtij vështrimi shkurt të kësaj harte zërash poetik, kuptojmë se në vend të një fotografie të vetme, antologjia na ofron një galeri portretesh poetike ku poezia nuk është e mbyllur në një përkufizim, por hapet drejt më shumë mundësive. Ky është edhe misjoni i një antologjie. Sepse poezia mund të jetë : një kuvend bore, një monopat jete, një derë e hapur,një krahë zogu, një valixhe malli, një letër dashurie, një qytet i largët, një natë pa gjumë, një shkronjë e zezë apo një kujtim që nuk pranon të vdesë, që natyrshëm janë tema të dallueshme nga njera tjetra në stil apo mënyrën e shpehjes.Autorët e tyre bashkohen në një pikë thelbësore: në nevojën për të thënë atë që shpirti nuk mund ta mbajë vetëm për vete.
Kjo antologji është, pra, një kuvend i shumë zërave, ku fjala poetike bëhet kujtesë, dashuri, dhimbje, shpresë dhe dëshmi e kohës.