Gjuhët që po zhduken-Përgatiti Gladiola Busulla

Gjuhët që po zhduken

Në një botë globaliste që po lëviz me ritme marramendëse, ku teknologjia na ka robëruar më shumë se kurrë, një pjesë e qenies sonë kolektive po venitet në heshtje. Shembull konkret janë gjuhët e rralla indigjene që mbartin kujtesën, shpirtin dhe historinë e komuniteteve të vogla anembanë globit. Sipas të dhënave të UNESCO-s, rreth 3.000 gjuhë janë në rrezik të zhdukjes deri në fund të shekullit XXI. Kjo nuk është thjesht një statistikë, por një alarm i heshtur për një krizë gjuhësore që po ndodh para syve tanë, pikërisht në zemër të njerëzimit.

Zhdukja e gjuhëve nuk ndodh me zhurmë. Ajo ndodh kur fëmijët nuk mësojnë më gjuhën e gjyshërve të tyre, kur komunitetet shpërngulen, kur arsimi dhe media favorizojnë gjuhët dominuese si anglishtja apo spanjishtja.

Urbanizimi, migrimi dhe homogjenizimi kulturor po i lënë gjuhët lokale pa folës të rinj, pra pa asnjë të ardhme. Nga gjuha ainu në Japoni që flitet nga një numër shumë i vogël njerëzish, te gjuha yuchi në SHBA me disa folës të moshuar, e deri te gjuha manx në Ishullin e Manit apo cornish në Britani që po përpiqen të ringjallen.

Secila prej këtyre gjuhëve është një perspektivë unike e vështrimit të botës. Humbja e tyre është njëkohësisht humbje e një tradite, e një kulture, e një historie, e një identiteti. Aktualisht statistikat që paraqiten janë tronditëse; 4% e gjuhëve janë tashmë të zhdukura, 10% e tyre janë në situatë kritike, 9% në rrezik të rëndë, 11% seriozisht të kërcënuara dhe 10% të cënueshme.

Këto shifra nuk janë thjesht numra, por komunitete të tëra dhe identitete që po humbasin. Ruajtja e gjuhëve të rrezikuara kërkon përkushtim dhe bashkëpunim. Disa nga mjetet që mund të ndihmojnë janë:

 Arsimi dygjuhësh

 Mësimi i gjuhës amtare, pavarësisht vendit ku jeton

 Mbikqyrësit e studimit në gjuhën amtare

 Arkivimi digjital i gjuhëve

 Promovimi kulturor përmes artit, muzikës dhe mediave

 Përdorimi i teknologjisë për të dokumentuar dhe shpërndarë gjuhët

UNESCO ka shpallur dekadën 2022–2032 si Dekada e Gjuhëve Indigjene, një nismë globale në mbështetje të diversitetit gjuhësor dhe për të shpëtuar gjuhët që po zhduken. Çdo gjuhë është një mënyrë e veçantë për të parë botën. Të ruajmë gjuhët e rrezikuara nuk është vetëm një akt humanitar, por një detyrë ndaj trashëgimisë sonë të përbashkët. Është një thirrje për të dëgjuar zërat që po heshtin, për të mbajtur gjallë historitë që nuk janë shkruar, por janë përcjellë gojarisht me dashuri, me kujtesë dhe me shpirt.

 Nëse nuk veprojmë sot, nesër mund të jetë vonë.

Burime: Statistikat dhe klasifikimet e UNESCO-s për gjuhët në rrezik, të cilat janë publikuar në platformën e tyre për gjuhët indigjene dhe në raportet e Dekadës së Gjuhëve Indigjene