Më fal,… por mundem!? Genta Kaloçi

Genta Kaloçi

Më fal,… por mundem!?

10 SHKURT 2016

“Më fal, gabova!”- kjo është shprehja që më acaron më shumë nga të gjitha shprehjet njerëzore. Abuzimi i kësaj shprehje në kombinim me shprehjen tjetër: ‘kokë e falur nuk pritet’, është abuzimi më i madh njerëzor ndaj vetes, të tjerëve dhe llogjikës sonë.

Në raste të tilla, kam një përgjigje që mund t’a ndaj me ju, kush jam unë të fal, nuk jam as kishë, as teqe, as xhami, as tempull dhe as zoti juaj të fal, sepse nuk mund të marr kopetencat e tij.

Unë respektoj hierarkinë profesionale dhe hierarkinë universale, si shenjë respekti ndaj ‘besimit’ të secilit, por pa i dhënë hapësirë palës tjetër të abuzoj me termat juridik dhe ato fetar në emër të përfitimit personal, partiak apo cili do qoftë.

Në një debat me një ‘miken’ time e cila mendon se, feja ështe e nevojshme, ruan njeriun që të mos hajë njeriun, dmth e ruan nga shenja kanibalizmi. – Mendimi im është se për mua është nevojë e tepërt për të ekzistuar termi i Zotit. E konsideroj krejtësisht pa vlerë, të tepruar, sepse kur njeriu është i pajisur me mëndje e llogjik për të dalluar të mirën dhe të drejtën nuk ka nevoj për alibi përrallash, por për argumentin gjakftohtë e të arsyetueshëm të shkencës, përndryshe do ishim kafshë. Manipulimi me dogmat fetare është një çështje kriminale më vetë.

Mikja ime përmend edhe Osho-n, te libri, “Me ty, Pa Ty”, se të gjitha shkrimet e shenjta, kanë në qendër dashurinë për njerëzimin, se ai mban një qëndrim qortues ndaj deputetëve dhe priftërinjve.

– Qëndrimi im është se u shplajnë trurin njerëzve, për ti patur nën kontroll. “Ajo mundohet të më bindi se OSHO mban qëndrim kritikues ndaj institucioneve dhe klerikëve abuzivë, ndërkoh që janë të paktë klerikët e pastër, të ndërgjegjshëm e me vetëdije.”

Fëmijët janë brezi i rëndësishëm i së ardhmes, por nuk i përkasin vetëm familjes, u përkasin një komuniteti të tërë. Problemi qëndron se jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtin këndvështrim, të njëjtën inteligjencë, apo eksperiencë jete. Studimi i shkencës e mëson njeriun, po ashtu edhe eksperienca e jetës. Masa e gjerë e popullit është rritur me disa ”dogma e parime të tilla”, saqë u hyn frika në palcë, nëse do tentonin t’i vinin në ”pikpyetje” ato që me zor u kanë mësuar. Feja, në thelb është politikë, tërësi rregullash që ka ”udhëhequr” mirë a keq grumbuj të tërë njerëzish në të gjithë botën.

Të gjitha këto janë edhe thelbi i politikave sociale, politikave arsimore, edukuese, mbështetëse informuese, si edhe politika që promovojnë argumentin shkencor, mbështetjen e ligjit njerëzor, meqënëse jetojmë në një shoqëri ku, ligji i fesë u zëvendësua me ligjin juridik, kushtetutës të shoqërisë njerëzore. Nuk jetojmë më në shpella e xhungël në grupe të mëdha, ku ishte nevoja për ligje e dogma të tilla në mënyrë për të patur nën kontroll sjelljen e paparashikueshme të natyrës njerëzore. Me kalimin e kohës njeriu u zhvillua dhe ky zhvillim ashtu siç solli zëvendësimin e shpellave me forma të reje banimi ashtu u zëvendësuan edhe ‘librat e shenjtë’ me ligjet, kushtetutat.

Këtu kemi një rast tjetër, forca njerëzore u pëlqen të mbajnë të dyja instrumentet (fenë dhe ligjet laike) në mënyrë të pandërprerë në vijën historike të njerëzimit duke i lënë në një konflikt të pandërprerë të dyja palët. Në këtë rast është sikur të kemi në fuqi dy ligje për të njëjtën çështje.

Cili nga këta do përdorej për tu marrë vendimi i duhur në momente e çështje të caktuara?!

Kujt i shërben lërja në fuqi të të dyja ‘legjislacioneve’ në mënyrë që njëra palë të kundërshtoj vendimarrjen e palës tjetër?!

Në këtë mënyrë lë në një vazhdimësi konfliktualiteti rracën njerëzore duke shkatërruar shtyllën kurrizore të drejtësisë universale. Në bazë të këtij iluzioni që është lënë qëllimisht të ngrihet midis fesë dhe qytetarit politik kjo sjell këtë katrahurë ndër shekuj.

Ajo që të dyja palët e debatit ranë në një dakortësi është se duhet edukimi. Të futet roli i rëndësishëm i politikës me planprojekte në favor të ndërgjegjsimit, përgjegjsimit, formimit intelektual e shkencor duke treguar respekt për gjërat e traditës, të kulturës së hershme. E shkuara të merret si shembull i kapërcimit të fazave zhvillimore të rracës njerëzore dhe jo të fiksohemi në një fazë të veçantë. Ashtu siç thotë edhe Froid, “fiksimi është bllokimi i zhvillimit natyral i njeriut dhe i kalimit të tij nga njëra fazë në tjetrën pa boshllëqe” të cilët do jenë indikatorë të sjelljeve anormale kur individi të arrij moshën e pjekurisë. Ndërkoh që bota e tij e brendshme nuk ecën/rritet paralelisht në këtë zhvillim me moshën biologjike. E njëjta gjë ndodh në shoqërinë njerëzore të marrë në formatin e një supernjeriu i një shkalle më të zmadhuar me njësia matëse që është individi.

Imagjinoni një njeri që ka në adn-në e tij përbërjen e miliona e miliarda gene (individ) të panjohur nga njëri tjetri, por që në kompleks këta miliarda individë janë një gen i vetëm që bëjnë një trup në tërësi. Imagjinoni sikur këto gene (individi-njësi matëse) që janë për një funksion të caktuar, përgjatë funksionit të tyre të degjenerojnë nga faktorë të ndryshëm të jashtëm apo të brendshëm, në mënyrë që të krijojë ato defektet gjenetike të cilat shfaqen në formën e sëmundjeve. Imagjinoni një individ që trupi i tij vuan nga të gjitha sëmundjet që ekzistojnë. Këtu vijmë fiks në sëmundjen e sidas dhe kancerit që tregon se ky trup supernjeri po vuan. Lajmi i mirë është se njeriu nuk vdes nga sida, por nga paaftësia dhe pamundësia e trupit për t’u mbrojtur nga viruset, mikrobet,. Trupi pëson dobësim imuniteti, lodhje e përpjekjeve që bëjnë genet e supernjeriut kundra faktorëve toksik që vijnë nga ambjenti i jashtëm. Ndërsa kanceri, nga ana tjetër është mungesa e mjaftushmërisë së oksigjenit për organizmin njerëzor në mënyrë që të riprodhoj qeliza të reja. Në fakt mungesa e tyre i jep hapësirë prodhimi qelizave kancerogjene duke u ushqyer me qelizat e shëndetshme.

Ja pra ky është një konflikt në shkallë mikrobiologjik dhe atij të konfliktit fetar dhe njerëzor. Nuk doja t’ju lodhja me shpjegime të tilla që për disa janë të vetëkuptueshme, ndërsa për disa të tjerë duhen shpjegime, si psh., disa gene (individë) pasiv që funksionaliteti i tyre nuk njihet akoma nga shkenca, kjo s’do të thotë se s’kanë ndonjë funksion të caktuar, por mbase janë dembelë, mbase për arsye të ndryshëm objektiv dhe subjektiv nuk aktivizohen deri në momentin e tyre të pikës së vlimit. Pikërisht për këto arsye natyra njerëzore duhet të kuptoj veten si njësi matëse e një projekti më të madh, jo sepse e them unë, por faktet që përmenda më lart mendoj janë një hap për secilin të kërkoj më shumë në lidhje me terminologjitë që përmenda për të shpjeguar idenë time. Sa më shumë i largohemi vetes aq më shumë janë mundësitë për të bërë ato që nuk duam dhe që u shmangemi. Ndryshimi është se kur një eksperiment kryhet me vetëdije, përgatitje dhe në ambjent të kontrolluar, atëherë mund të kesh nën kontroll edhe rezultatet cilat do qofshin ato (negative/pozitive), dhe në bazë të secilit rezultat, nxjerr konkluzionet, përcakton hapat që do zbatohen në dobi të njeriut (në veçanti) dhe shoqërisë që është supernjeriu (në tërësi). Ja pra, përse është shumë e thjeshtë që konflikti midis së mirës dhe së keqes fshihet pikërisht atje ku morali, ndjesia e fajit, mëkati përdoren si avokati mbrojtës i djallit. Kështu n’a hedh kundra vetes në mënyrën më qesharake dhe të pallogjikshme.

Të respektosh besimin, fenë si një relike në muze është tjetër gjë, por t’a adhurosh, t’a shpërdorosh, keqpërdorësh, manipulosh për përfitime personale ose grupi njerëzor deri në atë pikë që bllokon ecurinë e ligjit njerëzor, kjo është mungesë vetrespekti, heresi, blasfemi që bëjnë besimtarët ndaj zotit të tyre, me vetëdije dhe pavetëdije. Megjithatë, nëse marrim si të mirqënë shprehjen dalë nga librat e shenjtë; ‘duaje njeriun, duaj veten, duaj komshinë duaje gjithësinë, duke dashur çdo gjë tregon dashuri edhe ndaj meje/Zotit’. Gjithashtu po e mbyll me një shprehje tjetër që zoti juaj, ju drejtohet se ‘njeriu është krijesë nga shëmbëlltyra ime’, kjo konfirmon idenë e supernjeriut që është prekur më parë si term filozofik dhe juridik nga Niçe. Pavarësisht se shpërdorimi i tij solli atë që ndodhi me luftën e dytë botërore. Pikërisht këtu shkojnë shumë fjalët e Karl Marks se, ‘historia përsëritet një herë si tragjedi dhe një herë si farsë’. Në rastin tonë momentalisht lind pyetja se cilin model po përjetojmë universalisht me zhvillimet në arenën politike ndërkombëtare. Disa nga ju mund të mendojnë jo pa arsye se si shumë çështje ngatërrova, mbase edhe keni të drejtë, ky është difekti im njerëzor, i cili vihet në shërbim të fushës sime profesionale. Në psikologji për të nxjerrë një raport vlerësimi për dikë duhen analizuar të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm në mënyrë që të kesh një panoramë sa më të plotë të çështjes. Nuk ngelet veçse të lëmë në dorën e njeriut të bëjë më të mirën e mundshme në dobi të vetes dhe të shoqërisë duke u shërbyer vlerave njerëzore universale dhe jo personale, vetjake të cilat vënë në rrezik parimet për të mbijetuar qënia njerëzore në rrjedhën e kohës.