Vjeshta rrëshqiti sërish nga shpirtërat tanë…Edlira Llukacaj 

Edlira Llukacaj 

Vjeshta rrëshqiti sërish nga shpirtërat tanë, hukati n’ çdo cep.

E copëzat e fundit të dò ndjenjave t’bukra ranë,

Përtok’ tu u shkel.

E ti s’je…

Nji violinë rënkoi egër nën qiellin e vràmë

Notat që ti njeh

E çdo melodi tjetër heshti çdo anë

Veç malli u përmend

E ti s’je…

Bebet u bënë fëmijë, u ngritën n’ kàmbë

Nisen me ec.

Lulet te dritarja ka kohë që u thanë,

Toka i tret

E ti s’je

Nji legjendë e re u përhap anë e mbanë

E nji përrall’ me mbret.

Vajzat u rritën, nuse t’bukra u banë

Gjithkush n’fat t’vet

E ti s’je…

İ ftofti pjeku hurmat, e gjethet ranë

Edhe nji her’

Njerëzia u hallakat, skërmiti dhambët

Lufta n’der’

E ti nuk je…

Rruga vetëm e gjatë, e fjala e randë

Si guri n’tok t’vet

Tàn të mirët paskan shkù matanë,

Këtu veç djalli ka mbet…

E ti nuk je…