
Ditën që iku Naimi…
Gëzim Llojdia
1.
Hija e një vjeshte të madhe.Në vitin 2005, teksa merresha me kërkime arkeologjike, një rastësi më hapi një dritare drejt së shkuarës: ditarin e harruar të Zaim Brahimajt, patriot nga Katundishta e Përmetit.
Në ato faqe të vjetra, të njoma nga koha, gjallonte fryma e një brezi që kishte parë me sytë e vet ikjen e Naim Frashërit poetit që i dha shpirt kombit.
Ishte 19 tetor i vitit 1900, një mëngjes i vjeshtës së argjendtë.
Në Stamboll, rrodhi lajmi: “Naimi pushoi zemrën.”
Çajupi ngriti zërin e dhimbjes: “Vdiq Naimi, moj e mjera Shqipëri!”
Në atë çast, u drodhën gjethet e para që binin, si të përcillnin poetin drejt përjetësisë.
Naimi nuk u shua ai u shpërnda në ajrin e kombit, si aromë e përjetshme malli e drite.
Në numrat e vitit 1900, shpirti i tij përkoi me një mbyllje dhe një fillim: fundi i shekullit të robërisë, agimi i shekullit të Rilindjes.
2.
Zia e kadetëve shqiptarë.Në Stamboll, dhjetëra kadetë shqiptarë mësonin në shkollat ushtarake të Perandorisë.
Kur dëgjuan lajmin, zemra e tyre u thye.
Në ditarin e Zaimit lexohet:
“Në senen 1900 u dha mandati se pushoi zemra e poetit më të shquar të Shqipërisë, Naimit.
Ne, që ishim në Stamboll, vumë shenjën e zisë në krah.
Për tri ditë nuk shkuam në mësim, për nder të poetit të bukurisë shqiptare.”
Tre ditë heshtje. Tre ditë dhimbje.
Në korridoret e Stambollit, një zë përziente mallin me revoltën:
“Tani që vdiq Naimi, mbaroi Shqipëria…”
3.
Fjalët e plakut të Vlorës.Lajmi i zisë arriti te Ismail Qemali, ai që ende s’e kishte ngritur flamurin, por e mbante në shpirt.
E më pas, në ditarin e Zaimit shkruhet:
“Vjen madhëria Ismail Qemali.
Na foli me buzëqeshje të mbyllur
-Djem, nesër në sabah të vini në shkollë.
Atje keni Abdylin dhe Naimin.
Se po nuk vajtët, do t’ju qortoj.”
Njëri nga kadetët, Zaimi, e fshehu shiritin e zisë në xhepin e brendshëm.
Qemali e pa, e përqafoi dhe i tha me zë të butë:
“Mbaje, Zaim, se e ke nga vendi i lindjes, Përmeti.
Por dëgjo: Naimi hapi një plagë të rëndë në zemrat e shqiptarëve.
Ai ka punuar për të mos vdekur kurrë, as Naimi, as Shqipëria.”
Në fund, plaku i urtë i qerasi me kafe e i pëshpëriti:
“Mësoni, por mos harroni Shqipërinë.
Ruajuni nga murtati dhe mynafikët – ata janë pa besë.
Ne do ta bëjmë Shqipërinë ashtu siç e duam ne.”
Fjalët e tij ranë në shpirt si amanet brezash.
Aty nisi të piqet brezi që do t’i jepte jetë pavarësisë.
4.
Kënga e kujtesës.Pas vitesh, Zaim Brahimi i kthehet kujtimit me vargje.
Ai i këndon plakut të Vlorës me mall e mirënjohje:
Ismail Qema bej Vlora,
I bardhë si dëbora,
Dora jote dorë burri,
Lart e ngriti flamurin,
Gëzove gjithë Shqipërinë…
Në këto vargje, përzihet kujtimi me mallin, si një këngë që s’ka fund.
Ashtu siç në Stamboll, ai dhe shokët e tij kishin ngritur këngë për Frashëllinjtë:
Abdyl, Naim, Sami
Janë të mirë porsi ti,
O zonjë Emine,
Rrite djem për mëmëdhe.
Kënga, atëherë, ishte mënyra më e thjeshtë për të ruajtur kujtesën.
Nëpër vargje, kombi nuk vdes kurrë.
5.
Fryma e dritës.Në një faqe të ditarit të vitit 1900, Zaimi shkruan:
“Dituria ka vlerë, padituria është e mjerë.
Të lexosh Abdylin, mbushesh me erë si zymbyli.
Të lexosh Naimin, të vjen mendja e fiqiri.
Të dëgjosh Ismail Qemalin, të pastron gjakun dhe shpirtin.”
Janë fjalë që dëshmojnë se brezi i tij nuk mësoi vetëm dije, por mësoi dritë.
Ata s’u bënë ushtarë të perandorisë, por ushtarë të kombit.
6.
Zaimi, kadeti që ruajti zërin e Naimit
Nëntë vjet në Stamboll (1898–1907), në kërkim të dijes dhe të identitetit.
Pastaj kthimi, lufta, përndjekja.
Zaim Brahimaj u shua, i harruar, nën dheun e ftohtë të Drizarit.
Por fjala e tij mbeti si dëshmi, si mall, si këngë.
Sepse historia ka kujtesë të gjatë.
Ajo zgjohet nëpër vjeshta, nëpër dorëshkrime, nëpër frymëmarrje poetësh.
Dhe çdo tetor, kur ajri mbushet me mjegull e mall,
duket sikur ecën hijerëndë shpirti i Naimit,
me një tufë gjethe në dorë,
duke pëshpëritur:
“Mos qani për mua, por për Shqipërinë.”
Nëpër varreza ende bëjnë gjumë të pagjumët,
por poetët ringjallen në fjalë.
Në mjegull troket kali i kujtesës,
dhe vjeshta e Naimit na përfshin sërish.
Ditën që iku Naimi,
u lind një përjetësi.
Nga Gëzim Llojdia
N-ëpër poezi. Duke ëndërruar. Syhapur.
Nëpër ringjallje mjegullash.
A-ri poetik. U shua nëpër degë.
Kaq herë bëhem vjeshtë për të shkuar.
Në vjeshtën e Naimit.
Zemërpërvëluar.
I-dentifikohmëni tek vetja.
Trishtimi rrëzon bajamen.
Një tuf diell, në një grusht hënë.
Humbasin nën qerpik.
Në horizont vdesin vdekatarët.
Nëpër varreza ende bëjnë gjumë të pagjumët.
Lamtumirë jetë.Ringjallje poetësh.
Trok kali i mjegullës.
Sy të verdhë.
Ardhë Naimi.
M-ë mbeti plagë. Nga goditja e kometës.
Thellësia e zemrës.
Rrathë elipsi, përshkruajmë.
C’ftohtësi e saj.Akullim i Antraktidës.
Në vjeshtën e dytë.
Ditën kur iku Naimi.