Udhëtim në vitet e jetës dhe rrugëve të vendlindjes-Nga Agron Mema

= mbresa nga leximi i librit të Panajot Zoto, ” Andej nga këndon thëllëza “– histori dhe kujtime=

Nga Agron MEMA

Kohët e fundit ka dalë nga botimi dhe qarkullon në duar të lexuesit libri, i teti në rradhë, ” Andej nga këndon thëllëza” të shkrimtarit dhe gazetarit Panajot Zoto. Ne, kolegët e tij, patëm fatin t’a kemi të parët në dorë, duke n’a i bërë një dhuratë të bukur, surprizë në muajin tetor, muajin e letërsisë dhe arteve. Lexohet me një frymë dhe imponohesh në rilexim. Gjen një muze të vendlindjes së tij, me historikun, folklorin, mitologjinë, rrëfenjat, toponiminë, njerzit në kohët, episodet e jetës, përgjigjet që i kanë munduar shpirtin gjatë.

Gjithshka e sistemuar dhe shkruar bukur. Panajot Zoton, në librat e tij të botuar, në referencat e tij letrare, në bisedat shoqërore në kafe, nuk e dallon dot, nuk ka një kufi ndarës në krijimtari dhe aktivitetin e tij letrar, mes letërsisë artistike dhe asaj historiko-dokumentare. Është i dashuruar me të dyja dhe nuk i ndanë dot nga njëra-tjetra. Dhe ky është një sukses i veçantë i tij në profilin si autor. Dhe nis befasia që në prolog i cili është realizuar mjeshtërisht si një karem që të rendësh drejt tij dhe të ngelesh peng i leximit.

Dhe e fillon mbjelljen e pemës historike duke u kujdesur fillimisht për tokën ku do hedhin shtat rrënjët e saj, të jenë të ushqyeshme e të shëndetshme, të forta për të përballuar fenomenet natyrorë. Rrëfimi nis në kufijt e legjendës, udhëton në etapa dhe periudha dhe ndalet në realitete të sotmes. Dhe udhëton në kërkim të emrit të vendlindjes, nikoqirimin e gojëdhënave, këngëve, bëmave, ngjarjeve, trashëgimisë gojore e të shkruar që flasin me kode për të vërtetën. Gurgullon jeta me oshëtimat e saj. Ndajfolja ” andej” që nis titullin poetikë të librit me kujtime mbresa, përshtypje e refleksione, histori e folklor, të Panajot Zotos, nga ndajfolje vendore, mjeshtërisht dhe artistikisht, autori e kthen dhe në përcaktor ku këndon e dëgjohet kënga e thëllëzës, e këtij shpendi simbol të bukurisë, mirësisë, urtësisë dhe mirësjelljes femërore. Tek ajo, thëllëza, derdhen gjithë hiret e bukura dhe dhuntitë e bekuara të femrës, gjithë ëmbëlsia dhe fuqia që jep prezenca e saj. Dhe këto i ka përthithur në simbolizim Muzina.

Ndaj Panajot Zoto vëndlindjen e tij e përcakton si vendqëndrimin ku thëllëza, e magjepsur nga bukuritë natyrore të saj, vendlindjes së autorit, të zgjedhë atë si vendin për të ndërtuar strehëzën e saj, folenë, dhe kënga, tingujt e saj kthehen në gërma e fjalë të kujtimeve që mbushin faqet e librit të Panajot Zotos. Ndaj në libër gjenë bukurinë natyrore, krenarinë historike, natyrën me gjelbërimin e përhershëm gjithëvjetor, florën dhe faunën e pasur,ngopjen e shpirtit me ajër të pastër e të freskët, orkestrim cicërimash, vërshime burimesh e krojesh ujëkulluar e të ftohtë, për t’u mbledhur të gjitha tek magjia e Syrit të Kaltër.

Në libër gjenë mirësinë e bujarinë e njerëzve të thjeshtë e të punës, gjenë dhe trishtimin e braktisjes e rënimit të sotëm, ku poshtë gërmadhave të tyre flenë kujtimet larëflori në gjithë historinë e lavdishme e krenare. Dhe që t’i zbulosh këto thesare, këto margaritarë, t’u a heqësh pronësinë e tyre rënojave të harresës dhe t’i bësh ato pronë të njerëzve dhe të sotmes, t’i japësh frymë dhe jetë, duhet dashuria e pakufishme, përkushtimi pa rezerva ndaj tyre, ndaj fshatit, ndaj historisë tënde, ndaj gjurmëve të të parëve, ndaj dashurisë dhe dëshirës për moszhdukjen e asgjëje dhe për më të mirën e së nesërmes. Dhe kjo nuk i mungon Panajot Zotos.

Kjo është shtysa e realizimit që kemi në duar këtë perlë të çmuar. Është vendi që zgjedh thëllëza për folenë dhe këngën e saj dhe thëllëza nuk gabon në zgjedhje. Zgjedh vendet me mëngjezet dhe perëndimet vesëlarë diellore të magjishme, zgjedh vendet e bekuara nga vet Zoti. Lejtmotivi është i qartë. Transparent e transmentues. Qëndrimi dhe qëllimi është konkret dhe jo abstrakt. Ndjeshmëria koshiente, trokitja apeluese dëgjuese, indiferenca në hije skajore e papërfillur deri në mosekzistencë. Historitë, njerëzit me bëmat e tyre, vijnë të ilustruara me ngjyrat e mirënjohjes nga peneli i krenarisë, me gurgullimën e lavdisë. Urime koleg dhe mik, Panajot Zoto.

Sarandë; 03–11–2025