Kapedani që flet nga shtatorja-Roshi Ajdini

Roshi Ajdini


(Vijim i dialogut imagjinar me kapedan Tafil Buzin)

– Mirëmëngjes, kapedan Tafili!
– Mirëmëngjes, o bir.
– U bënë disa ditë që ke ardhur në qendër të Tepelenës. Si të kanë pritur? A të kujtohet ndonjë gjë nga koha jote? Po Vjosa, po malet përreth?
– Po, bir i zemrës, gjithçka më duket e gjallë si atëherë. Kalaja është po ajo, si dikur, kur mbaja shpatën në dorë. Vjosa rrjedh e qetë poshtë saj, e malet më duken hijerënda, si në ditët e mia me armë në dorë e topin në supe.
– Dhe njerëzit, kapedan? Si të kanë pritur ata që s’të njohin personalisht?
– Me sy kuriozë dhe me respekt. Ata e ndjejnë se historia nuk jeton vetëm në libra, por në gurët dhe rrugët ku kanë shkelur ata që e mbrojtën këtë tokë.
– Kur të shoh këtu, mbi gurin e shtatores, më duket sikur flet edhe vetë qyteti me ty.
– Çdo hap i qytetit, çdo zë fëmijësh që lozin pranë kalasë më thotë se jeta vazhdon, se brezi i ri është vazhdimësia e racës sonë të mirë, e burrave trima për vatanin.
– Vetëm kalaja ka qenë në kohën tënde; të tjerat janë ndërtuar më vonë.
– Po, bir, kalaja është e vetmja që mban shenjat e kohës sime. Çdo gur i saj ka dëgjuar hapat e trimave dhe ka parë betejat që formuan këtë krahinë. Të tjerat janë fryt i kohëve të reja, por rrënjët e shpirtit mbeten të njëjta.
– E Vjosa dhe malet, a kanë ndryshuar ndopak?
– Vjosa rrjedh e qetë, si gjithmonë, duke kujtuar forcën e natyrës që nuk shuhet. Malet më rrethojnë si dikur; ndoshta ndonjë pemë apo rrugicë ka marrë tjetër fytyrë, por shpirti i tyre mbetet i pandryshuar.
Në kohën time, afër kalasë kishte disa faltore, mekame të shenjta. Njëri prej klerikëve më të njohur ishte Demir Hani, një dervish i madh. Thonë se kur të paudhët ia prenë kokën, ai ecte me kokën në dorë. Njerëz të tillë nuk harrohen, por vura re se godinat e mekamit nuk janë më.
– Po, kapedan, në vitin 1967 qeveria e atëhershme ndaloi besimin në Zot dhe shkatërroi vendet e shenjta të faljes.
– Më çudit, mor bir, se në kohën time çdo trim, para se të nisej në betejë, falej në mekame. Besimi është forcë e madhe, bir.
– E ke shumë drejtë, por kohërat kanë tallazet dhe errësirat e tyre.
– Po me Ali Pashë Tepelenën, a je takuar që kur ke ardhur?
– Po, bir. Një natë, kur qyteti pushonte, dola dhe takova Aliun, pashain e madh që më kishte mbajtur pranë vetes në Janinë. Ai më foli me zë të ngrohtë, por pak të hidhur:
“Mor evlat, shumë vonë më erdhe!”
– Dhe ti çfarë i the?
– I thashë se më në fund më sollën bijtë e mi nga Buzi e Tepelena këtu, pranë kalasë, aty ku zemra ime ka rrahur gjithmonë për këtë tokë. Ai u gëzua, por shtoi me një ton të rënduar:
“Ah, po! Mua më kanë vendosur pak larg kalasë, e për më tepër, jo me shikim nga Janina. Konakët ende nuk mi kanë rregulluar, as teqenë ku falesha. Por unë nuk mërzitem me bijtë e mi, se një ditë do t’i bëjnë të gjitha.”
– Po të tjerë, kapedan, ke takuar?
– Kam takuar, por jo të kohës sime; kanë kaluar dyqind vjet, bir.
Një natë tjetër dola në krahun tjetër të qytetit dhe pashë një burrë me qeleshe e mustaqe, tipik i burrave të kohës sime. Ai më njohu dhe më tha:
“Kapedan, Selam Salaria jam. Në rrugën tënde kam ecur edhe unë, për të mbrojtur vatanin, kundër turqve, grekëve e pastaj italianëve, në vitin 1920.”
“Eh, trima ka pasur Salaria në kohën time,” – i thashë me zë krenar. “Trima të tillë janë shembuj që tregojnë se guximi dhe ndershmëria nuk kanë kohë; ata ecin në kujtesën e brezave si udhërrëfyes.”
Një natë tjetër takova një burrë që rrinte menduar. Ai më njohu dhe më tha:
“Mirë se erdhe, kapedan!”
E pyeta: “Kush je ti, mor bir?”
Ai u përgjigj: “Unë jam poet. Kam shkruar për trima si ti, për bëmat e luftëtarëve, për Ali Pashën, për malet, për Vjosën. Petrit Ruka më quajnë, nga Turani.”
I thashë: “Kam pasur trima të mëdhenj nga fshati yt.”
Ai buzëqeshi: “Po, kapedan, kështu më kanë treguar të parët, se kanë luftuar krah teje.”
M’u kujtua menjëherë gjimnazi “Zosimea” në Janinë. Ali Pasha kujdesej shumë për të dhe na thoshte: “Vatanit të mirat do t’i vijnë nga shkollimi.”
– Ke dalë çdo natë këto kohë, kapedan?
– Janë bërë disa netë që dal. Një natë tjetër takova edhe të tjerë. Njëri prej tyre më tha: “Unë jam Sali Nivica.”
“Kapedan, – më tha, – ti ke luftuar me shpatë për mëmëdhenë, por unë kam luftuar me penë. Pas shkëputjes nga osmanët, patëm kohë të vështira për të ndërtuar shtetin.”
I thashë: “Trima ka në çdo kohë, bir. Njëri mbron tokën me shpatë, tjetri me fjalë e dije, por të dy kanë të njëjtin qëllim: lirinë dhe dinjitetin e atdheut.”
Të fundit që takova ishin luftëtarë antifashistë: Mustafa Matohiti, Asim Zeneli, Abaz Shehu dhe një vajzë e re që më tha:
“Katërmbëdhjetë vjeçe hodha dyfekun në sup. Nimete Progonati quhem, nga Kurveleshi.”
Kur dëgjova Kurveleshin, u emocionova, bir. M’u kujtuan kapedanët e vjetër – Hodo Nivica, Çelo Picari, Balil Nezha, e trimi Veiz Vasjari nga Vasjari, si dhe burrat e Kalivaçit e të fshatit tim, Buzit, që nuk më tradhtuan kurrë.
Thashë me vete: “Trimëria paska mbetur gjallë! Edhe pas meje, bijtë e kësaj toke kanë mbrojtur vatanin.”
Një Tepelenë e vogël, por me kaq shumë trima e burra të penës – kjo më mbushi me krenari.
– Po me popullin e thjeshtë si po kalon, kapedan? A të përshëndesin?
– Me ta u miqësova shpejt. Kanë ardhur çdo ditë e më vështrojnë me dashuri. Populli, bir, është gjithmonë i mirë; ai e do vatanin dhe është i pari që bie për të. Nuk ka gjë më fisnike se zemra e tij.
– Kapedan, ke ndonjë merak apo kërkesë?
U mendua pak, pastaj tha:
– Po sikur të më sillnit afër kapedanët e tjerë, burrat e shquar që kanë dalë pas meje, që të kuvendojmë këtu, në Tepelenë. Nuk ju vë në siklet, por si ta gjykoni ju.
– Kapedan, – i thashë, – ajo është një periudhë historie që ende ngjall debat. Përveç tre burrave që të përshëndetën si luftëtarë antifashistë, ka pasur edhe shumë të tjerë.
Një burrë si Zenel Shehu, që nuk lind më; Bido Shalësi, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në Vlorë me Ismail Qemalin; oficeri i shkolluar në Itali, Hyso Qamili, pasardhës i fisit tënd në Buzkalemaj; intelektuali Syrja bej Vasjari; dhe klerikët bektashinj patriotë, Baba Ali Skëndaj e Baba Shefqet Gllava.
Nga fshatrat e Rrëzës ka qenë edhe prifti i mençur e atdhetar, At Gjergj Suli.
Këta që të përmenda e meritojnë të jenë afër teje – ndoshta duhet të kalojë pak kohë, që vetë koha t’i vendosë në vendin që meritojnë.
– Mirë, mor bir, – tha kapedani. – Ka momente në histori kur njerëz të një gjaku përplasen me njëri-tjetrin, por më e rëndësishme është që vatanin e përbashkët ta ruajmë si dritën e syve.
U ndava me kapedanin me premtimin se do të takoheshim sërish, por më vonë, pasi ai do të pushojë i qetë për ca kohë, për t’u ambientuar më shumë me qytetin dhe banorët e tij.