Kosta Nake

(Libri me këngë popullore “Shpirti i gjyshërve” i Dritëro Agollit, Tiranë 1996)
Dritëro Agolli e kishte idhull Robert Bërnsin, ai jo vetëm përktheu prej tij, por, njëlloj si ai, pati të njëjtën qasje ndaj këngëve tona popullore: u dashurua pas tyre, i këndoi ato, i përkëdheli dhe i seliti, pa pretenduar të marrë autorësinë e tyre. Kjo i jep përgjigje njëkohësisht edhe pyetjes për përkatësinë jugore të këngëve në këtë përmbledhje, ato janë pjesë e repertorit të Agollit këngëtar në tavolina të vogla shoqërore, në ceremoni të ndryshme familjare apo në takime masive me lexuesit.
Në parathënien e vetë autorit ka një trajtesë të ndjerë për këngët e popullit, ka një grupim me katër kapituj të bërë prej tij dhe lexuesi që do ta kishte në dorë librin, nuk do të kishte nevojë për një analizë të mëtejshme. Tekstet e këngëve janë mjaft të kursyera, ato janë krijuar aty për aty, në zjarrin e luftës, në valën e punës, apo në shtigjet e fshehta të takimeve dashurore. Disa prej tyre kanë edhe figura lokale apo kombëtare të njohura, informacioni për to atëherë ka qenë i panevojshëm sepse konsiderohej i njohur, pastaj koha bëri të vetën, shuajti flakët e ruajti prushin.
Kapitulli i parë metaforik “Kopshti i thëllëzave” pas të cilit lexuesi, edhe pa e hapur librin nënkupton botën vajzërore, sjell gëzimin dhe trishtimin e dashurisë së vajzave dhe djemve, mërzinë dhe dramat e tyre, frikën e humbjes dhe trishtimin që e pason atë. Lufta e ndjenjave është një luftë përqafimesh, puthjesh dhe raporteve seksuale duke kapërcyer mbi pengesat që krijonte sistemi politik i kohës dhe që letërsia e kultivuar i konsideronte tabu.
Ndër joshjet femërore vendin e parë e zënë “cickat” me formën përkëdhelëse që do përsëritet edhe me fjalët “syçkat” “shqerka”, “djepka”, etj.
Emocioni dhe adrenalina marrin trajta të prekshme:
“S’më le vend pa puthur/ Dhe vend pa kafshuar” (f.20),
“Të digjej jeleku/ nga zjarret e gjirit” (f.25),
Trimi “s’kishte turp nga qyqja hënë/ Që në gjoks na kishte rënë” (f.27),
“Ngrita sytë e të vështrova/ Dhe si dash në hell u shkova” (f.33)
Kapitulli i dytë “Shtegu i pëllumbave” ku lexuesi do të zbulojë djemtë e dashuruar, shpërfaq guximin e çartur mashkullor që shkon deri te takimet e fshehta dhe mëton krijimin e një marrëdhënieje të re që e rindërton mbi kritere shpirtërore familjen e mëparshme. Nuk është thjesht admirim i kurmit femëror por edhe shpërthimi epshor për të marrë të gjitha kënaqësitë e kontaktit seksual.
“Nga muri do ngjitem
Ta di se do vritem,
Me plumb të goditem,
Me hanxhar të pritem.” (f.59)
Sa poetikë tingëllojnë vargjet e mëposhtme të organizuar në distikë dhe shkallëzim foljesh dëshirore që mbyllen me një kërkesë befasuese:
“Moj thëllëza në ju ndafsha
Si lisi në mal u thafsha.
Më çafshin, më bëfshin dërrasa,
Më bëfshin me to govata.
Më shpënçin krua më krua
Të lahen çupat mbi mua. (f.56)
Siç e pohon vetë poeti, shumë nga këngët i ka mësuar nga gjyshja, por edhe nga Sotir Papuli dhe njërën prej tyre e gjejmë që më parë edhe te romani “Arka e djallit”, këngë që është kaq poetike dhe erotike:
“Fukaraja s’kërkon gjë
Të fle një natë me të
Kokën pres e s’i bëj gjë!
T’i shkopsit kopsat e gjirit,
T’i shoh gur’ e xhevahirit.” (f.50)
Kapitulli i tretë “Guri i skifterëve” në shumicën e vet ka këngë të njohura, pasi sfondi historik i tyre u ka hapur udhë për t’u ngjitur në skenat e festivaleve rajonalë e kombëtarë, ka qenë më i orientuar në rrafshin heroik dhe më i ndjeshëm ndaj frymës dhe mesazheve që përcjell. Janë tekste me vringëllima jataganësh e krisma dyfeku, me gjak që derdhet dhe plagë që hapen jo vetëm në lëkurën e trupit, por edhe në zemër. Sigurisht tabloja më frymëzuese është ajo ku konflikti lind mes shqiptarëve dhe sunduesit të huaj që i merr djemtë nizamë, apo që tejkalojnë cakun e përmbushjes së detyrës si ushtarak, sepse sharra ngec në gozhdë kur ke të bësh me një Zylyftar Podë, me një Nexhip Gostivishti, apo me një Shahin Matrak. Ishte koha kur ligjin e bënte forca dhe kapedanët si Sheme hajduti dhe kusarët si Dulajt nuk i kishin larg limeret e tyre. Dy nga këngët e këtij kapitulli lidhen me cënimin e gjësë së gjallë, por përballë kusarëve kishte edhe qëndrestarë që nuk trembeshin, siç ndodhi me Arapin dhe dy zengjinët.
Kapitulli i katërt “Lëndina e qyqeve”, emri i shpendit sakaq mund të na kujtojë baladën e motrës në variantin që kërkon vëllain e vrarë a të humbur dhe kthehet në qyqe dhe poeti e risjell. Kënga e parë është sa poetike, agolliane aq edhe prekëse:
“Nxirrma, lumë, djalin
Djalin degë-malin,
Nëna nuk ka tjetër,
Mbetur degë e vjetër…
As ma nxirr vëllanë
Qan shtëpia tranë,
Qan oxhaku prushin,
Qan hardhia rrushin…
Shkon e shoqja anës
Dhe i qahet valës:
Nxirrma se jam vetëm,
Në mos nxirr një tjetër.” (f.107)
Ngarkesë të veçantë ka kënga për vajzën që ia vranë bandillin nën kullën e Qarrit: “Me lot ishin yjet,/Me gjak ishte hëna.” (f.128)
Këngët me tematikën familjare vijnë si dramë e krijimit të familjes pa pëlqimin e djalit e të vajzës, ca më keq kur nuk ishte djalë por i moshuar, pastaj vjen antipatia e përhershme nuse – vjehrrë e trajtuar me frymë satirike me deklarimin e nuses:
“Kur të gdhij natën e parë,
Në mëngjes ta ndez dhe zjarrë.
Kur të gdhij natën e dytë,
Me piper t’i mbush plot sytë.
. Kur të gdhij natën e tretë,
Në qilar të lidh me qetë.” (f.133)
Një vend të rëndësishëm në këtë kapitull zënë këngët që trajtojnë temët e kurbetit që rezonojnë edhe me emigrimin masiv të ditëve tona:
“Djemtë e burrat tanë, shpirt e zemër vrarë
Arat po i lënë pa u hedhur farë.” (f.116)
Janë dy vargje me tekst dhe nëntekst.
Kënga shumë e njohur e nizamit “Mbeçë, more shokë, mbeçë” ka një përpunim që ta tërheq menjëherë vëmendjen, sepse korbat dhe sorrat janë zëvendësuar me klerikë:
“Po në thëntë ç’krushq i vanë
Tre priftërinj, dy hoxhallarë.
Dhe në pyestë ç’nuse mori
Thikën gjak për kraharori!” (f.123)
Mbështetja në folklorin e popullit ka qenë tipar i qëndrueshëm i krijimtarisë së Dritëro Agollit, jo vetëm në poezi por edhe në prozë. Kur këtë e bëjnë penat e mëdha, erëra të mbara fryjnë mbi këtë art të bukur. Kënga i jep shpirtit një bukuri që nuk e kanë debatet politike. Siç thotë kërcimtarja dhe koreografja amerikane Agnes de Mille “Në qoftë se doni të kuptoni një komb, shikoni vallet dhe dëgjoni këngët e tij folklorike – mos i kushtoni vëmendje politikanëve të tij.”
Nëse ka diçka që nuk është kurrë e re dhe që nuk plaket kurrë – kjo është kënga e popullit.
Moikom Zeqo, i cili e ka shoqëruar poetin e madh në shumë nga daljet jashtë Tiranës, ka shkruar një pasthënie interesante kur katër kapitujt i kthen në tri tema filozofike: dashuria – trimëria – vdekja. Botimin e këtij libri e konsideron një apel sqimatar estetik, testament shpirtëror, kurse vetë Dritëroin e quan korier dhe maratonomak të gjyshërve. Bashkimi me shpirtrat e gjyshërve është një ftesë që u drejtohet të gjithëve për të përftuar një sinfonizëm madhështor, një ekologji të pavdekësisë dhe dinjitetit si komb.