Ruzhdi Gole

LINJA, ÇASTE
———————-
PËRMENDJE
Drurët roje janë, s’janë roje,
degët dashje padashje
era i merr në duar,
degët përhapën krahët
sa u përmenda shiun
mbrojnë çka
ne duam.
Nuk i fshihet erës asnjëherë
droja, ngrohur më shpejt
nga gjithë ledhatimet,
sa përmenda erën
më shumë nisa
të rroja
shi i ngazëllyer
plot farëra vetëtime…
GRUA, SI THUA GRUA ?
Të shenjta ikonat
pafund shenjtëritë
nderohen siç nderohen zonjat
zonjat lozonjare afreske romantikë.
Shenjtëritë pafund, ikonat të shenjta
lehtë dalin nga lutjet rrudh e flakë,
lehtë dalin nga ëndrrat
ato nuk kanë prona
shëmbëllejnë
me zonjat
zonja janë gratë.
SI THUA, GRUA?
Fshehtas gruas
jo fshehtas
dëshiroj dikë tjetër,
të re të moçme
të zgjuar
sa fëmijtë që lindëm
e i rilindim kur duam
të qeshur sa mua
ndoshta më pak
më tepër.
Në ecje dukem
ndihem më i madh
nga një dëshirë tek tjetra,
Kodra
dashuria ime cak pa cak
poetesha më e gjelbër
përhera afër meje
afër me të gjitha perëndeshat.
THIRRNAJA
Çast për t’u bashkuar
sa më shpejt linjat
njera nga Thethi
thëllim nër duar
tjetra
nga cikmat
e thinjura.
Çast për ta parë
më shpejt linjën e këputur
nga spitali fatkeq
në malin
pa stolira
tek rrëpirat e Kurbneshit
me thembra ngjethur
njeriun e zhdukur.
Çast për t’i shpeshtuat
sa më qartë sinjalet
nga thirrnaja e borës
tek Oroshi i rrudhur
rrëzëmali i Kthjellës
tek rrëza e ngjarjeve.
Andej nga kam ikur ende qënkam
me brenga të kthjellëta
vështrime të vëngërta.
SPIRANCA
Në mal gjeta një spirancë …
Maja të ketë zbritur qëmoti në breg
dallga në mal ka hipur zbritur vrap?
Spiranca fjetur shpejt
këtu më kahershmi,
dallga kur u ngjit
e mbuloi natë
u mpak mali
kërcyer
epërmi ?
Tek kyçi i tim eti e pashë
herët duke lundruar
para se ta gjeja
det malit
këtë spirancë,
shpejt ngjitur qëmoti
zbritur ndërkaq.
Një spirancë të hershme
kërkoj
jo në det,
matanë malit e maleve
pandehmave e faljeve
në Rekë…
SHAKA E VOGËL
Nuk po i them asgjë gruas,
me një varkë të epërme
sonte vetëm po shkoj
për të peshkuar,
nuk ka mbetur më askush
sa mua thinj në moshë
me gjarpër shtëpie
ndër këmbë
endje
brumbujsh në kokë.
Gjarpëri i shtëpisë nuk është
helmues as fati kaq shpejt
s’është stërkëmbësh,
sonte po iki ca çaste grua
jo me varkë t’epërme
por në një ëndërr.