Stinët që rritën shpirtin tim-Adifete Shiti

Stinët që rritën shpirtin tim

Në lulëzimin e rinisë,

i kujtoj stinët që më mbanin për dore.

Dielli më prekte butë,

si një nënë që të ngroh ballin me dritë,

dhe zemra ime hapej si petalët

që kërkojnë dritën për të jetuar.

Fjalët e mira sillnin freskinë e tyre,

ne korrnim ëndrra,

dhe kur shiu niste të pikonte,

loti im përzihej me të,

si të donin të dy

të më kujtonin se edhe gëzimi di të qajë.

Vjeshta më përshëndeste lehtë,

duke shkundur gjethet si letërfalënderime,

falënderime për lumturinë

që i jepja ditëve të saj të arta.

Bora më vinte si përrallë,

më mbulonte kaçurrelat me fjolla të buta,

duke i shtuar fytyrës sime

një bukuri që vetëm dimri e dhuron.

Ndërsa deti…

ai fliste me valë të ngadalta,

duke më mësuar se mirësitë vijnë bajagi avash,

por kur vijnë,

të sjellin dashuri dhe qetësi sa një qiell i hapur.

Adifete Shiti ©

Nëntor,2025

Dardani 🇽🇰