Deprecated: Funksioni WP_Dependencies->add_data() u thirr me një argument që është vjetruar që pas versionit 6.9.0! Komente kushtore IE shpërfillen nga krejt shfletuesit e mbuluar. in /home/www/vhosts/gazetadestinacioni.al/httpdocs/wp-includes/functions.php on line 6131
“Mos më varrosni pa ardhur im bir!”-Mina Qirici

“Mos më varrosni pa ardhur im bir!”-Mina Qirici

“MOS MË VARROSNI PA ARDHUR IM BIR!”

Balada e nënës

Trupi i saj i mpakur qëndronte ende aty. Tri ditë e tri netë në morgun e ftohtë. Tri ditë e tri netë me sytë e mbyllur, por me mallin që ende dridhej nën qepallat e ngrira. Tri ditë e tri netë me lotin e nënës, atë pikë të shenjtë që përvëlon shpirtin, edhe kur sytë nuk qajnë më. Lotët e saj… Lotët e nënave tona… A ka dhimbje më të rëndë se loti i një nëne? Rrëshqet ngadalë faqeve të rreshkura. Bëhet pikë… Pika bëhet rrëke… Rrëkeja bëhet përrua… Përroi bëhet lumë… Lumi behet det…

Deti oqean… Oqean dhimbjeje! Dashuria e nënës nuk matet. Është univers. Yllësi e pafund. Nuk shuhet kurrë! -Erdhi?-pyeti drejtori i morgut në qytetin e vogël.

-Ende jo… -u përgjigj drejtoresha e azilit, me zërin e krisur nga dhimbja. -E presim… por morgu ka rregulla. Nëse kalohen afatet, duhet të paguani tarifën. Zotë roi një heshtje e rëndë si gur varri. Azili nuk kishte fonde mjaftueshëm të paguante shërbimet e morgut.

Në atë heshtje, kumbonte fjala e fundit e nënës: -Ju lutem… mos më varrosni pa ardhur im bir! Të më shpjerë ai në banesën e fundit. Pa të, shpirti im s’do gjejë prehje. As dhéu s’do më tretë. Do qaj e do ulërij nëpër natë si murlani në dimër. Është fjala ime e fundit… Amaneti im…

Nënës i ngriu loti në cep të syrit. Ishte loti i fundit, se zemra i kishte ngrirë më parë. Edhe shpirti i kishte ngrirë. Edhe gjaku. Veç dashuria jo! Ajo nuk ngrin kurrë! Para se të mbyllte sytë, vuri dorën në gjoksin e tharë nga vitet.

-Këtu të kam mbajtur, o bir. Këtu të kam rritur. Këtu të dhashë jetë. Këtu mbështete edhe ti kokën tënde për herë të fundit…

U shua! Si shuhen yjet në netët e acarta. U shua trupi, po jo shpirti. Shpirti priste birin. Vargu i të moshuarve doli me dhimbje nga azili. Në duar mbanin kartmonedha të vjetra, të rrudhosura si pëllëmbët e tyre. -Është pensioni ynë…- i thanë drejtorit të morgut. -Mbajeni nënën edhe pak… derisa të vijë i biri. Është amanet… amaneti i një nëne!

Në atë çast, në dhomën e akullt të morgut, një fllad i ngrohtë kaloi lehtë mbi fytyrën e nënës. Loti i ngrirë në cep të syrit iu tret, sikur të ishte shkrirë nga një dorë e padukshme. Ishte shenja e saj. Shenja që priste birin. Shpirtrat e nënave flasin me lot. E loti i tyre është gjithmonë i shenjtë.

Mina T.QIRICI Tiranë, 20 nëntor 2025