Abuzim me pushtetin, apo “grusht shteti” në tentativë?Nga Llesh Ndoj

– Opinion rreth zhvillimeve aktuale në sistemin e drejtësisë –

Nga Llesh Ndoj

Shqipëria po zhvillohet përmes ballafaqimeve të jashtëzakonshme për një shoqëri demokratike. Përcaktimi ramizian, se “shkelim në rrugë të pashkelura”, duket se tashmë është shndërruar në një mallkim permanent. Kalojmë nga ekstremi në ekstrem e sillemi jo si njerëz europianë, por si të ardhur nga xhungla afrikane me mentalitet mesjatar, ndonëse historia na përmend për kulturë e aftësi shtetformuese, që nga kohët më të lashta. Rasti më i freskët ështe përplasja institucionale mes tri pushteteve në Shqipëri, atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësorë. Paradoksi është edhe më evident se e gjithë skema, apo skenari i kësaj përplasje zhvillohet rreth një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, organi që ka si funksion pikërisht ruajtjen e balancës mes tri pushteteve, duke qenë vetë jashtë tyre dhe në ekulibër vetëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Vendimet e saj nuk diskutohen, por zbatohen, mirëpo unë që s’kam asnjë fuqi për t’a zbatuar, aq më tepër për të kundërshtuar ndonjë vendim të saj, po ja lejoj vetes t’a nis analizën time modeste nga kjo gjykatë. Sipas meje ajo e ka humbur prej kohësh autoritetin e saj profesional (jo hierarkinë ligjore!), ashtu si edhe besimin e njerëzve ndaj saj. Gjuha e saj është as mish, as peshk, e zgjidhjet që jep, më se njëherë, rezultojnë më se shumti, si një nyje gordiane, apo si një ngarërresë e re. Vendimi për pagat në gjyqësorë është njëri prej tyre, ndërsa heshtja e tanishme, kur zhvillimet kanë dalë nga binarët kushtetues, mbetet ana e errët e asaj gjykate. Thënë këtë, asesi nuk e justifikoj tejkalimin nga Kuvendi të afateve të përcaktuara nga vendimi i saj për shqyrtimin e çështjes, ashtu siç nuk di ndonjë mekanizëm ligjorë rregullatorë se si veprohet kur organi më i lartë në vend, në këtë rast Kuvendi i Shqipërisë, maja e piramidës shtetërore, e shqyrton me vonesë, ose nuk e shqyrton fare një rast si ky, ndërkohë që e di se si duhej të veprohej nëse e shqyrton dhe nuk e merr parasyshë atë, duke i qëndruar të vetes.

Por kjo ishte sa për të hyrë në temë.

Problemi i mprehtë qëndron tek organet e administrimit gjyqësorë të cilat, në unison e në konflikt të hapur interesi, jashtë çdo morali e sigurisht pa asnjë bazueshmëri ligjore, bëjnë vetë legjislativin, vetë ekzekutivin e tash po duan të tundin edhe hekurat nga pozita e gjyqësorit, përmes padive, që do të pasohen nga gjykime, vendime e “ekzekutime” të reja ku ka vetëm një aktor: gjyqësorin. Mua, në këtë situatë, të krijuar, sipas meje, jo padashje, më shkoi dëm gjithë logjika e studimeve juridike, të cilat me shumë sakrificë i kam mbaruar në moshën 45 vjeçare, dhe vetëm thjesht për t’u orintuar në xhunglën shqiptare të paligjësive, pasi e dija se ato “nuk vlejnë” për asgjë tjetër në një vend ku ligji i xhunglës është a-ja dhe zh-ja e gjësë. Kurrë se pata kuptuar më parë rastin “Nesti Angoni”, por tash edhe ai rast m’u qartësua, sa hap e mbyllë sytë, nga vetë “Nesti Angoni” që në të vërtetë, nuk ekziston!

Jemi dukshëm në situatën kur një organ merr përsipër kompetencat ligjore të një organi tjetër, bile jo një dosido, por organit më të lartë shtetëror në vend. E kur një gjë e tillë ndodh, veprimi quhet grusht shteti, deri më tash i mbetur në tentativë. Personalisht as më shumë e as më pak se kaq, nuk e gjej tërësinë e veprimeve të mirëkordinuara të organeve të (pa)drejtësisë shqiptare, në pamje e reformuar, në thelb e deformuar keqas.

Dhe kjo nuk filloi këtu, as nuk shkrepi në ditën për diell. Reforma në drejtësi, në vend që të vendoste vetullat i nxori sytë drejtësisë dhe e bëri padrejtësinë katërfenerësh. Vetingu i famshëm qe selektiv e hoqi nga sistemi profesionistët më të mirë, për t’i zëvendësuar me juristë të “Universitetit” të besnikërisë partiake, një trupë aspak profesioniste, të paktën për ata që i njoh rastësisht, për edhe logjikën e përdorur prej tyre e nisur edhe nga betejat e humbura në Strasburg. Ata që shpëtuan, rastësi, manipulim apo zgjuarsi e tyre (pak prej tyre meritë!), u blinduan me paga, me garanci, me pompozitete aq sa harruan fare moralin e profesionit dhe moton se janë aty për t’i dhënë drejtësi popullit, jo privilegje jashtë ligjore vetes. Padrejtësia ndaj popullit u shtua, presioni korruptiv po ashtu, e ata “ia mbushën mendjen vetes” se janë të përzgjedhurit e Zotit për ta sunduar këtë popull.

Deri dje të varur nga politika, tash po e marrin atë nën kontroll, edhe për faje të saj e për shkak të ceneve që bartin lidhur me krimin, po venë nën presion ekzekutivin e së fundi, pasi shqyen xhepat e qytetarëve si deshën, pasi po gëzojnë privilegje që stonojnë në raport me varfërinë e shqiptarëve, e më keq akoma, në raport me punën që kryejnë, tashmë po kërkojnë edhe çelësat e Thesarit, për t’a “grabitur” me vendime gjyqësore atë. Nuk është kjo hera e parë! Sa e sa vendime të tilla janë marrë ndër vite, por është hera e parë që dyert tentohen të hapen me duart e tyre dhe paraja të rrjedh direkt në llogaritë e tyre, pa përfitues ndërmjetës. Siç ka ndodh në të shkuarën e afërt.

Kaq e pamoralshme është kjo histori, sa të vjen ndot kur e dëgjon. Bëj pjesë ndër ata që besojne se Veliaj, Kryetari i Bashkisë se Tiranës, mbart mbi supe faje për thyerje ligjore, të mjaftueshme për t’u dënuar (opinion, se faktet i ka në dorë (pa)drejtësia!), por jam gjithashtu i bindur se hekurat në dorë ia vuri atij prokurori në përpjekje për të marr nën kontroll pushtetin ekzekutiv dhe politikën. Ka zëra që ishte shërbim ndaj Ramës, ashtu siç ka zëra që ishte teke tipike hatërmbetje ballkanike. Cilado qoftë, veprimi eshtë mirëfilli politik. Mbi dy vite ende pa u dënuar! Mbi dy vite në qeli, ende Kryetar i Bashkisë së Tiranës, po me vendim gjyqësorë! E më thoni pastaj se nuk eshtë burgosje tipike komuniste, përmes të cilës kontrollohet politika. Rama, apo Dado, i pakënaqur se ai nuk “ia ka hapur dyert”, pak rëndësi ka.

A nuk eshtë përpjekje (e realizuar deri diku!), loja me Ballukun? Fare qartë: prokurorët luajnë për të kapur politikën, e politika për të kapur drejtësinë. Me SPAK – un e (pa)drejtësinë e re, gjyqësori është në avangardë dhe po e kap politikën me shpejtësi të frikshme, kryesisht për kompleksin e saj të fajit. Vini re me kujdes edhe një fakt tjetër, shumica e prokurorëve e gjyqtarëve të shkarkuar nga veting – u, sot janë ligjvënës, ose këshilltarë të ligjvënësve, në ravën e çelur për t’a bërë politikën vegël në duart e tyre. Të tjerë në funksione të larta shtetërore. Pse? Janë shkarkuar politikisht, për t’i përdorur politikisht, ose janë shkarkuar politikisht e ata kanë mësuar se kapja e politikës është “gjë e mirë” për realizmin e qëllimeve të tyre, minimalisht fshehjen e pasurive që as dinë nga i kanë fituar, as nuk dinë se ku i kanë.

Shembuj të tillë ka plot. Gjithçka është e qartë, sepse siç shihet tashmë gjyqësori as nuk tenton të qëndroje në hije. Vendimet e ditëve të fundit të KLGJ e KLP, vendimi i Gjykatës Administrative, padia në SPAK ndaj rojtarëve të thesarit të shtetit, caktimi i pagave e detyrimeve të prapambetura për veten e tyre me një urgjencë të paimagjinueshme, ndërkohë që një padi e tillë nga një nëpunës tjetër i çdo niveli qoftë, do të donte 2 – 3 vite për t’u shqyrtuar nga po këta gjyqtarë, artificat për të mos gjykuar veten (Veliaj kundër Dados), dosjet mal të pashqyrtuara, ndërkohë që ata shijojnë normalitetin e pagave të rritura që nuk u mjaftojnë, ndonëse janë në krye të piramidës së pagave të kolegëve të tyre ballkanikë, e deri kërcënimi për “bojkot”, apo shqyrtim vetëm i atyre çështjeve që përbëjnë emergjenca (edhe këto në gjykimin e tyre!), janë shenja apo simptoma të qarta klinike të sëmundjes, që historia ia ka vënë emrin “grusht shteti”, deri tash, të paktën për sy e faqe, i mbetur në tentativë.

A do të konsumohet plotësisht, apo do të kemi veprime që rikthejnë ekulibrin shtetëror në këtë vend, mbetet per t’u parë, ndonëse gjasat më shumë janë për një marrëveshje tipike mafioze të tipit “win – win” mes pushteteve, e cila e zgjat rrumpallën dhe e kthen këtë sëmundje nga të kurueshme në një gangrenë.

Politika përmes funksionit legjislativ të Kuvendit do të duhej t’a rivendoste këtë ekulibër, por ajo dukshëm e ka humbur drejtpeshimin për veten e, si e tillë, zor se mund t’a peshojë (kështu i thonë mjeshtrit matjes së mureve me plumbçe për vertikalitetin e tyre!) murin e ngrehinës shtet. As Gjykata Kushtetuese, jo e jo, pasi dukshëm shfaq deficiensa profesionale e kujdes të tepruar për ekulibër politik, mbi atë ligjorë.

Ku po shkojmë…?

Ramizi nga varri do të thotë: – Shkelim në rrugë të pashkelura! Unë them se neve na pëlqen të ndjekim shtigje bagtishë, duke shmangur ecjen në autostrada, se “makina jonë” shtetërore i le llajkat rrugës, sapo tenton të marrë shpejtësinë, që autostrada t’a lejon dhe t’a imponon natyrshëm.

                                                                                                          Lezhë, më 13 shtator 2026