Amonica,dikur në vitin 1431,quhej Umenicë…Gëzim Llojdia

Reportazh

Gëzim Llojdia

1.

Duke u ngjitur ngadalë nëpër kodrat e buta,ku ajri është i mbushur me aromën e tokës së njomë dhe freskinë e erës së malit.Dhe para syve të mi shfaqet një fshat i vogël, i fshehur mes gjelbërimit të pafund.Amonica qëndron krenare në faqen e kodrës, e rrethuar nga natyra që e mbron dhe e përkëdhel.

Para saj,një liqen i qetë artificial,reflekton qiellin dhe kodrat përreth, duke i dhënë vendit një qetësi të thellë dhe një magji që të fton të ndalesh dhe të dëgjosh historitë e shekujve, që fshihen nën këtë peizazh.Në këtë qetësi dhe hijeshi të thjeshtë,nis udhëtimi im në një fshat,që nuk është thjesht një vend.Por një pjesë e shpirtit të saj është poshtë një një qytetërimi të lashtë që ende jeton mes nesh.

2.

Isha në Amantia.Heshtja e lashtësisë më rrethonte si një pëshpëritje,që vinte nga thellësia e kohës.Para meje, shumë shekuj më parë, kishte kaluar një udhëtar i çuditshëm. Ai kishte mbërritur përmes një mjegulle të dendur.Dhe si një hije e zbritur nga legjenda, dhe kishte lënë pas pluhurin e shekujve në çdo hap.

Udhëtimi i tij përshkonte qytete të harruar.Dhe rrënoja të heshtura,që mbartnin kujtime pa zë.Kodrat përreth ishin të veshura me gjelbërim të pafund,si një qilim i endur nga vetë natyra.Bimësia dridhej butë nën frymën e një ere të ngrohtë jugore,që sillte me vete një aromë të lehtë lulesh të egra dhe kujtimesh të paprekura.Mjekra e tij, e gjatë dhe e paprekur nga brisku, lëkundej lehtë, ndërsa sytë e tij soditnin përtej horizontit.Sikur kërkonin diçka, që s’mund të shpjegohej me fjalë.Ai kishte ardhur rrotull këtij vendi aq shumë, sa kishte zgjuar një ëndërr që flinte brenda gurëve, brenda dheut, brenda vetë frymës së Amantisë.Pra u nisëm nga Amantia për të zbritur në Amonicë.

3.

…Këtu ishte qyteti.Qyteti që kërkohej prej kohësh në hartat e historisë, i fshehur mes rrudhave të kohës dhe heshtjes së gurtë të kodrave. Në këtë kodrinë, me formën e një koni të përmbysur, rrintë fshehur zemra e një bote të lashtë.Në brendinë e saj jetonte dikur një qytet ilir i harlisur, i gjallë dhe krenar.

Qyteti nuk ishte i banuar vetëm nga njerëzit,por edhe nga kafshë, zogj,dhe gjithçka që natyra kishte krijuar.Të gjithë kishin një vend në këtë harmoni të rrallë.Por përtej realitetit, në këtë peizazh ngrihet një tjetër qytet, ai i imagjinatës.Ai sheh jo më pak se 35 mijë banorë, që lëvizin në rrugicat e lashta. Sheh banorë që ecin me hapa të ngadaltë,zana që fshihen pas degëve, figura mitologjike që marrin frymë mes tymrave të gurëve dhe aromës së luleve të egra.Edhe ujërat, ata që rridhnin nga shkrirjet e dëborës së Tartarit,kalonin përmes tubacioneve të qeramikës me një urtësi shekullore,duke i dhënë jetë qytetit.Pastaj shuhehin teposhtë.Arkitektura… e mahnitshme për kohën.Gurë të vendosur me dorë.Dhe simetri që sfidon kohën, struktura që fletin në gjuhën e të lashtëve Çdo gur,një kujtim.Çdo rrënojë,një tregim i pazëvendësueshëm.

4.

-Kush i ndërtoi vallë këto qytete mbi pllajat e kodrave? Me këtë arkitekturë,që, për kohën e vet, ishte aq moderne sa edhe e pabesueshme? Një vepër arkitekturore, që s’mund të klasifikohet lehtë por njëkohësisht e pamatshme dhe universale.

Ky qytet ngrihet hijshëm mbi një kodër 580 metra mbi nivelin e detit,sikur të kishte zgjedhur vetë lartësinë për të parë më qartë nëpër shekuj.Një qytet ideal.I vetmi i llojit të ve .Një perlë e rrallë, që sfidon kohën dhe logjikën.Edhe stadiumi i tij i vendosur në 550 metra lartësi është një dëshmi e mendjes krijuese dhe shpirtit vizionar të atyre, që e ndërtuan.Për shekuj me radhë,ky qytet ka frymëzuar artistë, arkitektë, arkeologë, historianë, udhëtarë…

5.

Të gjithë janë ndalur këtu me ndjesinë se nuk po shikojnë thjesht gurë dhe rrënoja,por një frymë të gjallë, që flet nëpër erë, që i thërret kohës të kthehet sërish.Duke ecur ngadalë mes kodrave të gjelbëruara, me çdo hap ndjeja si të hyja në një botë tjetër . Një botë ku koha ndalet, ku heshtja flet dhe natyra përqafon gjithçka. Para meje,poshtë kodrës Amantia,shtrihej një liqen i qetë që shkëlqente si një pasqyrë e shpirtit.Ai liqen ishte te dera për në fshatin e vogël të Amonicës, një vend, ku historia dhe e tashmja rrëfehen në çdo gur, në çdo fletë. Amonica nuk është thjesht një fshat mes kodrave është një frymë, që rreh, një kujtim i gjallë i atyre që kanë jetuar dhe ëndërruar këtu për kohëra me radhë. Ndërsa i afrohesha,ndjeva një ngrohtësi që më thoshte: “Këtu gjendet zemra e një bote që nuk do të harrohet kurrë.”

Në atë moment, kuptova se kjo nuk ishte vetëm një udhëtim në një vend,por një udhëtim në thellësi të shpirtit,në histori të përjetshme që presin të dëgjohen.

6.

Ishin shekujt para erës sonë.Një epokë e artë, e mbërthyer me zhvillime të jashtëzakonshme që shtrihej në çdo cep të territorit ilir.Monumentet e asaj kohe gurë që flasin, rrënoja, që frymojnë lënë ende pa fjalë botën moderne.Ato nuk janë të huaja për njerëzimin, përkundrazi, janë pasuri universale, që dallohen për formën e tyre origjinale, për shpirtin që mbartin.

Këto vepra, që ndodhen në kufijtë e legjendës, janë skalitur në gur nga duar, që ndoshta nuk do t’i njohim kurrë me emër. Ato nuk i përkasin vetëm historisë, por edhe imagjinatës asaj fuqie krijuese që buron nga shpirti dhe nevoja e njeriut për të lënë gjurmë.

Krijuesit e tyre shpesh mbetën anonimë. Emrat e tyre u zhdukën bashkë me frymën e kohës, që i lindi.

Por veprat… veprat mbetën.Dhe sot, ato janë bërë referenca jonë, dëshmia jonë, frymëzimi ynë.

Dikur, ata quheshin thjesht dhe bukur: ilirë.

7.

Jemi te “Gropa e Kovaçit”, disa shkëmbenin cigare dhe fjalë. Disa fjaloseshin kot, nën një diell bujar, por dimëror i ftohtë në dritë, por i ngrohtë në kujtim.Poshte është Amonica.

Pak më tutje,vijnë ca motoristë të ardhur nga larg,që ndanin mes tyre biseda të shkurtra, në një gjuhë të padeshifrueshme, të ashpër, të koduar.Veshur me xhaketa xhins të zinj, plot simbole që kujtonin rendet e vjetra të kalorësve, ata sillnin me vete erën e udhëtimeve të gjata.

Flokët e gjatë, të rrahur nga erërat, valëviteshin si flamuj të një epoke tjetër. Vështrimi i tyre i mprehtë, shqiponjë ndalonte mbi gurët e lashtë.

-Çfarë janë ata gurë, aty? Dhe pse janë tre? pyeti njëri me kureshtje të shkujdesur.

-Janë gurët e fituesi të lojërave , -u përgjigjëm.

Vendi i parë, i dytë dhe i tretë.

…Një heshtje e shkurtër ra mes tyre, sikur koha vetë kishte ndalur për një çast për të dëgjuar.Dhe gjerbnin, pak raki të fortë.Zinim një bisedë për kërkimet hershme arkeologjike.Dhe pinin… nga një gotë raki të fortë, që djegte si kujtimet e thella.Në mes të kësaj thjeshtësie, zinim një bisedë për kërkimet e hershme arkeologjike.Aty pranë ngrihej një lapidar modest.Poshtë, syri rrëshqiste mbi pllajën e mbuluar me shkurre të egra, që fshehnin mistere të pazbuluara.Te përroi, aty ku uji në dimër shënonte rrugën e vet, vizatohej me një vijë të hollë kufiri i hartës arkeologjike. E ndjesh se koha e lashtë endet ende mes këtyre vijave të padukshme.

Një vit, me zë të qetë një banor, erdhën poetët e qytetit këtu.

Pa hë, i themi! i thashë me gjysmë buzëqeshjeje.

-Ore mik,ç’është ai fshat aty poshtë qytetit antik? pyeti ai, duke drejtuar dorën nga poshtë mureve.

Katundi që sheh poshtë këtyre mureve të lashta quhet Amonicë, -ia ktheu banori.

– E ç’lidhje ka ky fshat me qytetin këtu sipër?

Amonica… ky katund i vogël, në zonën e Kudhës-Gërhotit, vetëm 6 kilometra larg qytetit ilir, është si një fije që lidh dy kohë.

Një mbetjee kohës,një kujtim i gjallë teprica e qytetit ilir, e shtrirë butë në faqen e kodrës, poshtë mureve që ruajnë hijeshinë dhe krenarinë e një qytetërimi të lashtë.

8.

Në historinë moderne, janë bërë qindra zbulime arkeologjike të, që kanë ndriçuar periudha të ndryshme të kaluara. Megjithatë, shumë prej këtyre zbulimeve ofrojnë vetëm një pasqyrë joshëse të mistereve të pazgjidhura, të cilat vazhdojnë të magjepsin njerëzit nga të gjitha anët e botës.Një qytet i tillë ndodhet sot në rrënojat që shpërndahen kudo në kodrinën e Kudhës-Gërhotit. Por gjurmët e tij shtrihen edhe më larg, deri në fshatrat Amonicë dhe Vajzë, ndërsa territori që ai mbulonte ishte shumë më i madh dhe plotësisht i përshtatshëm për t’u konsideruar si një qytet apo kryeqendër e një fisi ilir amantët.

Sot, ky vend është një sit arkeologjik i rëndësishëm dhe i njohur si Amantia Ilire.Emri i tij është i njohur dhe i respektuar në botën e dijetarëve dhe historianëve, një dëshmi e gjallë e kulturës dhe historisë që ende pret të zbulohet plotësisht.

9.

Etimologjinë e vëndemrit Amantia, Nelson Çabej e shqytron në këtë mënyrë.Lidhur me etimologjinë e vëndemrit Amantia, në shqip ka një fjalë amë ‘lumë, burim’, e cila është lidhur përgjithësisht me rrënjët indo-europiane ab- dhe ā̆p- ‘ujë, lumë’, që, sipas Pokornit, kanë dalë nga një rrënjë më e lashtë indoeuropiane ǝkʷā : ēkʷ- me të njëjtin kuptim nëpërmjet shndërrimeve -gʷ- > -b- dhe -kʷ- > -p-, që kanë ndodhur në ilirishten, greqishten dhe gjuhët kelte.

Demiraj ka rindërtuar një formë të lashtë *abnā, për protoshqipen, të cilën e krahason me irlandishten e vjetër aub, dhe latinishten amnis ‘river’.Emri i banorëve të fisit ishte amantes, të cilin Norbert Jokli e ka përkthyer ‘bregalumas’.

Kjo rrënjë ap- del dhe në emrin e lashtë te lumit Osum e Seman (Apsus), në emrin e sotëm të Mesaplikut në rrëthin e Vlorës që ndodhet midis lumit të Kuçit dhe një lumi me të vogël që buron nga fshati Vërmik, në emrin e Apulias në jug të Italisë që banohej në lashtësi nga mesapët me prejardhje iliro-epirote, dhe n ë emrin e lumit Amantia në jug të Italisë në provincen Bruttium. Qyteti mendohet të jetë themeluar nga shekulli VI p.e.s., por përmendet për herë të parë në burimet historike të shekullit IV p.e.s. Në shekullin III p.e.s. mendohet të ketë qenë qendra kryesore e bashkësisë së amantëve. Në fillim të shekullit XIX topografi britanik Ë.M. Leake (1777-1860) shprehu mendimin se emri i fshatit Bënça në rrethin e Tepelenës mund të ishte një shtrembërim i vëndemrit ilir Amantia, por më tej thotë se Amantia duhej kërkuar në Nivicë të Kurveleshit. Po aty, në rrjedhjen e lumit Shushica e lokalizon edhe Pouqueville. Më vonë, kërkimet arkeologjike e kanë lokalizuar atë në fshatin Plloçë të rrethit të Vlorës. Ky lokalizim, që nuk mund të vihet në dyshim, nxjerr problemin e fatit të mëtejshëm të vëndemrit të lashtë, Amantia.

A duhet vallë besuar se ai u zhduk njëherë e përgjithmonë në lashtësinë e vonë, si pasojë e sulmeve barbare, duke mos u shfaqur më në asnjë formë? Përvoja e gjatë me vendemrat ilirë në trojet shqipfolëse tregon një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme të tyre. Ajo lidhet edhe me një dukuri interesante: vendemri i lashtë shpesh mërgon nga vendi origjinal për t’u shfaqur më vonë diku tjetër në zonën përreth, si emër i një fshati, mali apo vendi tjetër.Duke shqyrtuar këtë fenomen nga ky këndvështrim, vëmendjen na e tërheq vendemri Amonicë emri i një fshati që ndodhet në afërsi të drejtpërdrejtë të Plloçës. Ky emër është një urë lidhëse mes të shkuarës dhe të tashmes, një dëshmi e gjallë e qëndrueshmërisë dhe trashëgimisë së thellë të popullit tonë.

Amonica sot ndodhet rreth 6 kilometra në veri-perëndim të qytetit të lashtë të Amantias.Në një përpjekje për të gjetur ndonjë hallkë lidhëse që bashkon vendemrin Amantia me Amonicën e sotme, u zbuluan të dhëna interesante. Në regjistrimin osman të vitit 1431, aty përmendet një fshat me emrin Umenicë, që bënte pjesë në krahinën e Kurveleshit (e shkruar si Kirelesh në atë dokument).Duke marrë parasysh mundësinë e gabimeve në regjistrimin e osmanishtes të asaj kohe, forma shqipe e këtij vendemri mund të ketë qenë Amonicë ose Umonicë një emër që duket qartë se korrespondon me fshatin e sotëm Amonicë.

Siç vërehet, forma moderne Amonicë ka pësuar një shndërrim në tingullin e dytë të rrënjës, nga –e– në –o–.

Këto të dhëna na mundësojnë të rikonstruktojmë evolucionin fonetik të këtij vendemri, i cili do të paraqitej kështu:

*Amantia → Amansa → Amanica (e dëshmuar në mesjetë) → Amonica.

Evolucioni i vëndemrit ilir Amantia përputhet në të gjitha hollësitë me ligjet e fonetikës së shqipes, duke përfshirë shndërrimin a>o , humbjen e mbaresës -ia dhe përftimin e prapashtesës -ica.

Në qoftë se te Amonica kemi të bëjmë me një formë të evoluar të vëndemrit të lashtë ilir Amantia, vetvetiu del pyetja: Përse ky vëndemër “mërgoi” për të emërtuar një vëndbanim tjetër?Shkaku më i besueshëm i këtij “mërgimi” është mërgimi i qytetarëve të Amantias pas shkretimit të qytetit të lashtë në kohën e furive barbare të lashtësisë së vonë për të themeluar një vëndbanim fshatar, në një truall gjeografikisht më të mbrojtur.

10.

Ky fshat i vogël, Amonica, i vendosur poshtë qytetit ilir të Amantias, është më shumë se një vend në hartë. Ai është zemra që rreh ngadalë nën hijen e historisë së madhe,që qëndron sipër tij.Dhe një dëshmi e gjallë se e shkuara nuk zhduket kurrë, por jeton brenda nesh.

Në çdo gur, në çdo koder të tij, ndjehet fryma e njerëzve që e kanë mbrojtur këtë tokë me djersë dhe zemër, që kanë mbajtur gjallë ëndërrën ,që sot na flet përmes heshtjes .

Amantia është një thirrje për të ndaluar, për të dëgjuar, për të ndjerë.Dhe poshtë tij është një katund i vogël, por i bukur i shtrirë në një gjebërim.Është kujtesa, që nuk harrohet dhe shpresa që frymëzon.Në këtë fshat të vogël rrinë të gjithë ata që kanë qenë, janë dhe do të jenë si një urë e gjallë që lidh të shkuarën me të tashmen,qytet e mëdha ilire dhe pjesët përbërese të tyre.