Dashuri Hyjnore- Vullnet Mato

Vullnet Mato

 
Do të dua ty,
deri në përjetësi,
siç do dielli yjet,
që vërtiten rreth tij.
 
 
Do të dua,
pa asnjë tjetër të dytë,
sa zemra të rrahë
syri të ketë dritë.

 

Do të dua,
siç do lulet pranvera,
kur toka ngrohet
e blerojnë dherat.

 

Do të dua
tërë jetën, pa kufi,
do të dua ty në botë,
dhe vetëm ty!

 

Do të dua buzët,
horizonte të përflakur,
që më ngrohin shpirtin
dhe në dimrin e akullt.

 

Do të dua nga flokët,
deri te maja e thoit,
buzagazin që të ngjyros,
si pendët e palloit.

 

Nga ty s’më ndan,
asnjë fenomen natyre,
as bubullimat,
as shirat e rrëmbyer.
 
Nga ty s’më ndan
as vdekja mizore,
se dhe vdekja e mëshiron,
dashurinë tonë hyjnore…