Renato Mekolli


Prej njëzet ditësh po e ndjek këtë lëvizje me zemrën në dorë, si çdo shqiptar që e do këtë vend. Nuk ka pasur asnjë ditë që nuk më kanë rrëshqitur lotët. Lot gëzimi, sepse më në fund po shoh një popull që po zgjohet. Por edhe lot dhimbjeje, sepse më kujtohet gjithçka që kam përjetuar në vendin tim.
Kur më thoshin: “Eja në Amerikë”, unë përgjigjesha: “Amerikën e kam këtu”. Kur më thoshin: “Eja në Londër”, unë thosha: “Londrën e kam këtu”. Besoja te Shqipëria dhe besoj akoma. Besoja se mund ta ndërtoja jetën time në vendin tim.
U largova i vogël drejt Greqisë me familjen time, në një kohë të vështirë. Dhe dhjetë vite më parë u riktheva përsëri.
Punova. Luftova. Sakrifikova.Guxova.
Por kur guxova të flisja, kur guxova të mos heshtja, filloi ferri.
Njerëz me pushtet vendosën se duhej të mbyllja gojën. Më kërcënuan. Më shkatërruan jetën. Më sulmuan me çdo mënyrë të mundshme.
Dhe tani përsëri emigrant.
Pse duhej të largohesha unë dhe të jetoj në Amerikë, kur Amerikën e kisha aty?
Askush nuk e njeh ankthin, frikën dhe luftën e përditshme që fshihet pas një bilete avioni vetëm vajtje.E njeh vetëm një emigrant.
Ne emigrantët nuk ikëm sepse deshëm.
Na detyruan të iknim.
Na morën mundësitë.
Na morën qetësinë.
Na morën besimin.
Na prenë krahët.
Na ndaluan të ëndërronim.
Na morën vitet më të bukura të jetës.
Një ditë Shqipëria duhet të bëhet vendi ku njerëzit kthehen, jo vendi nga i cili njerëzit arratisen.
Kjo është ëndrra e miliona shqiptarëve.
Sot po shoh diçka që më jep shpresë.
Po shoh të rinjtë që nuk pranojnë më të heshtin.
U ka ardhur në majë të hundës dhe prandaj po ndodh gjithë kjo revoltë. Nuk po bëhet thjesht për flamingot. Janë vite të tëra që ziejnë brenda çdo shqiptari.
Po shoh njerëzit që kanë dalë në rrugë.
Po shoh një det njerëzish që nuk ndalet.
Kjo është jeta.
Kjo është shpresa.
Kjo është ndryshimi.
Kjo është Shqipëria që duam.
Nuk e kuptojnë këta se janë aty për të menaxhuar pasurinë tonë që quhet Shqipëri. Dhe kjo Shqipëri është e shqiptarëve, e të gjithë atyre që jetojnë në Shqipëri dhe e jona që jetojmë jashtë saj. Ata janë aty për të menaxhuar jetën tonë, për ta bërë më të mirë.
Nuk janë pronarët e Shqipërisë.
Janë bërë arrogantë.
Ankohen se protestat po dëmtojnë turizmin.
Po në djall të vejë turizmi kur vendi po rrënohet.
Po në djall të vejë turizmi kur qytetarëve po u merret fryma.
Po në djall të vejë turizmi kur të rinjtë po largohen çdo ditë.
Mjaft më me propagandë.
Mjaft më me gënjeshtra.
Mjaft më me mashtrime.
Rregulloni shtëpinë tuaj njëherë, që quhet Shqipëri, dhe mbani mirë shqiptarët. Pastaj merruni me turistët, sepse as për ata nuk jeni gati. Nuk keni gjërat më minimale për turizëm. Lërini fasadat dhe propagandën për “Shqipërinë si Maldive”.
Shqipëria nuk ka as rrugë, as ujë, as drita siç duhet për shqiptarët. Nuk ka guida të organizuara, nuk ka transport publik dinjitoz, nuk ka infrastrukturën që kërkon turizmi modern. Doni turizëm me fjalë boshe?
Turizëm të vërtetë kanë Greqia, Italia, Turqia, Kroacia, Spanja dhe shumë vende të tjera. Ata dinë ta bëjnë dhe e bëjnë mirë. Kjo puna e turizmit tonë është një flluskë sapuni që mediat e paguara e fryjnë më shumë seç duhet, sepse të gjithë e dinë që ne ende nuk jemi gati.
Jetojmë në një kënetë korrupsioni, ku mafia dhe pushteti janë bërë një trup i vetëm. Çdo ditë përpiqen të na hedhin hi syve dhe ende mendojnë se ky popull nuk kupton.
Po sa budallenj na paskan marrë?
A nuk e dëgjoni zërin e njerëzve?
A nuk e shihni revoltën?
A nuk e kuptoni se njerëzit janë lodhur?
Nuk ju duan më.
Zhdukuni.
Hapni rrugën,
Keni shitur brigje, male, pyje dhe pasuri që nuk ju kanë përkitur kurrë.
Shqipëria nuk është vetëm Tirana.
Janë qytetet që po zbrazen.
Janë fshatrat që po harrohen.
Janë familjet që po copëtohen.
Janë pensionistët që numërojnë qindarkat për të mbijetuar.
Kjo zemëratë nuk ka lindur sot.
Është një plagë e vjetër që po shpërthen si vullkan.
Një popull i tërë është ngritur në këmbë.
Një popull i tërë po kërkon ndryshim.
Dhe ju duhet ta dëgjoni.
Sepse njerëzit nuk ju besojnë më.
Po ju, VIP-at e këtij vendi?
Sa të shpifur që jeni. Dilni me zë të lartë kur doni të reklamoni produkte, kur doni të fitoni vëmendje dhe pëlqime. Po tani ku jeni? Sikur ju ka rënë bomba. NO COMMENT
Asnjë koment për protestat?
Çfarë është kjo heshtje?
Çfarë ndodhi?
Heshtja e shumë VIP-ave.
Heshtja e mediave që për vite janë shitur si zëri i popullit.
Ku jeni sot?
Pse nuk flisni?
Pse fshiheni?
Edhe heshtja është një zgjedhje.
Edhe heshtja është një pozicion.
Duket se edhe ju e keni futur gishtin në mjaltë.
Të gjithë baskë…
Për Shqipërinë.
Për të rinjtë.
Për familjet tona.
Për dinjitetin tonë.
Për të ardhmen tone.