“ Askushi “-Shkurte Berisha

“ Askushi “
 
Për ty jam askush, një emër pa zë,
Si hije që endet ,në mjegull të re.
Për ty jam askush,i humbur në errësirë,
Si gjurmë që tretet në kohë të vështirë.
 
Jam pikë në det e grimcë në hapësirë,
Një jehonë e humbur nëpër errësirë,
Jam fjalë e pathënë,mendim i fshehur,
Një shpirt që kërkon zërin për t’u shprehur.

 

Si ëndërr që endet në një shpirt të trazuar,
Si deti i thellë që s’ka të mbaruar,
Mbaj brenda thesare ende të pashkruar,
Që presin agimin për t’u zbuluar .
 
 
Të jesh “ askush “ ndonjëherë është nder,
Kur bota e mat shpirtin me emër e vlerë,
Se ai që e njeh veten në natë e në ditë,
Mbetet dikush në një pafunësi me dritë.