Bunkerët …Gëzim Llojdia

Gëzim Llojdia

1.

Kështu kishte ndodhur. Besoj një dekadë më parë, ndoshta më shumë, ndoshta më pak.Dhe koha e ka zakon të tretet në kujtesë si balta në duart e një arkeologu.

Emily Glass quhej. Një arkeologe me përvojë, me rrënjë të thella në jugun e Shqipërisë. Ajo ka punuar më shumë në sitet arkeologjike në jug të vendit ,kryesisht aty më i njohuri dhe më i vizituari ndërkombëtarisht, quhet Butrint.

Dhe aty ku dielli digjet mbi rrënojat antike dhe ku era shfleton historinë. Më shpesh e gjeje në Butrint, sitin më të njohur dhe më të vizituar nga të huajt, ku guri flet gjuhën e lashtësisë dhe koha ka mbetur pezull.

Në një verë të hershme të vitit 2007, ajo zbriti në Plocë një vendbanim i qetë, i mbështjellë nga kodrat me forma gjeometrike të pazakonta, si një kon i përmbysur. Isha drejtor i atij parku arkeologjik kur erdhi Elena në Plocë.Nuk ishte vetëm. E shoqëronte një Dr. kubanezo-amerikan, të cilin e sillte pasioni për trashëgiminë e përbashkët njerëzore. Qëllimi i tyre të hartonin një server, një dokumentim të kujdesshëm të këtij siti arkeologjik.

2.

Emily nuk ishte vetëm një studiuese ajo ishte një shpirt që e përthithte historinë.Me një spatul të vogël në dorë dhe një përkushtim që i mbante hije çdo titulli akademik, ajo punonte krah për krah me punëtorët vendas. Nuk e ngrinte kokën, as kur nxehtësia e kodrave të Kudhës dhe Gërhotit digjte mishin. Mjaftonte një shtresë dheu për ta sjellë më afër të shkuarës.

Brenda një jave, puna u përmbyll. Në një mesditë të plogët, grupi u zhvendos më në jug.Dhe drejt horizonteve të tjera dhe heshtjeve të tjera me zë.Që prej asaj kohe, nuk e kisha parë më. Veç ndonjë gjurmë të zbehtë në ndonjë lajm, një citim në ndonjë faqe të harruar. Derisa një natë, krejt papritur, në orët e vona kur gjithçka hesht përveç mendjes e hasa.Ishte një shkrim i saj, botuar në akademia.edu. Dhe sikur ta kisha përballë sërish, më fliste.Ishte shkrimi Emilisë.

3.

Dija se Emily Glass ishte diplomuar në Universitetin e Bristolit, në degën Arkeologji dhe Antropologji.Askush nuk do ta kishte menduar si një misionare në kuptimin klasik të fjalës.Askush s’do ta imagjinonte se ajo do t’i përkushtohej një teme kaq të veçantë, kaq të heshtur:

“Të merreshe me mbetjet e diktaturës.”

Por ja që vjen një koihë që duhet ta bëshë edhe këtë.

Por çfarë mbetjesh, vallë?

A mos po i referohej pjesëve të humbura të një sistemi, që dikur synonte rregullsi të hekurt, që llogariste dritën dhe errësirën si ekuacione të pushtetit, duke lënë diellin dhe hënën në vetminë e tyre natyrore?

4.

…Mbetje që nuk janë vetëm struktura betoni,por mbetje që fshihen edhe në mënyrën si shohim veten sot, si ruajmë heshtjen, si ecim mbi kujtesën.Emily e shpjegon qartë këtë mision të saj, në një pjesë të shkrimit që lexova atë natë:

“Gjatë Luftës së Ftohtë, Shqipëria, si materialisht ashtu edhe filozofikisht, u përthith nga diktatura paranojake e Enver Hoxhës. Kjo la pas një peizazh të zhytur në infrastrukturë mbrojtëse bunkerë, tunele, poste vrojtimi të cilat, pas rënies së sistemit,morën funksione të ndryshme, zyrtare dhe jozyrtare.

Duke ndjekur një qasje moderne arkeologjike, të lidhur me konfliktin dhe kujtesën, unë dhe grupi im u përqendruam në kulturën materiale dhe në dimensionet e peizazhit shqiptar. Hulumtimet tona shqyrtojnë mënyrën se si janë perceptuar dhe identifikuar këto struktura:që nga ndërtimi i tyre gjatë komunizmit, instalimi dhe përdorimi i tyre,deri tek ripërdorimi dhe reinterpretimi i tyre në kohën post-komuniste.”

5.

Kështu,që Emily nuk merrej vetëm me gërmime në tokë.Por me gërmime në ndërgjegje. Me zbardhjen e një historie të ngurtë, të ftohtë, të frikshme, e cila kishte marrë formë prej betoni e frikë.

6.

Emily Glass shkruan për bunkerët me një kthjelltësi që shkon përtej betonit të tyre të ftohtë. Ajo thekson se Enver Hoxha nisi ndërtimin e një rrjeti masiv bunkerësh në vitet 1960 jo vetëm si mjet mbrojtjeje,por edhe si një instrument frike.

Frikë nga bota e jashtme, frikë nga e panjohura,frikë që u shndërrua në strategji shtetërore.

Ishte një “arkitekturë e paranojës”,një projekt gjigant që nuk kishte të ngjashëm në Europë. Numri absolut i bunkerëve dhe fortifikimeve të ngritura në atë kohë krijoi një formë mbrojtjeje të paprecedent për Shqipërinë.

Edhe pse vendi nuk u përball asnjëherë me një pushtim gjatë Luftës së Ftohtë, ky sistem u ndërtua sikur pushtimi të ishte i pashmangshëm.Dhe në këtë mënyrë,ai më shumë se një mbrojtje, u bë një mënyrë për të mbajtur popullsinë të izoluar, të nënshtruar, të gatshme për një kërcënim, që mund të mos vinte kurrë.

7.

…“Bunkerët,” shkruan Emily, “u instaluan si përgjigje ndaj një sërë kërcënimesh të perceptuara ndaj sovranitetit të vendit.”

Pika kulmore e kësaj ndjenje frike dhe përgatitjeje arriti në vitin 1968,kur Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij pushtuan Çekosllovakinë për të ndalur përpjekjet e saj për liberalizim, në atë që historia do ta njohë si:” Pranvera e Pragës”.Shqipëria, anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës që prej vitit 1955, kishte ndërprerë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961, duke u kthyer drejt Kinës komuniste. Kjo izolim i dyfishtë nga Perëndimi dhe nga Lindja krijoi një situatë të rrallë. Një vend që nuk i besonte askujt, as aleatëve të vet të dikurshëm.Në këtë kontekst, Enver Hoxha ishte i bindur se Shqipëria mund të ishte objektivi i radhës për një pushtim. Dhe për ta përgatitur vendin, ai zgjodhi të ndërtonte jo vetëm një mburojë të guri, por një peizazh të tërë të frikës, të betonit të përhershëm.

8.

Duke sjellë të dhëna mbi këtë realitet të rrallë Emily shkruan:

“Fillimisht, bunkerët u prodhuan dhe u instaluan në një shkallë relativisht të moderuar. U përqendruan përgjatë kufijve tokësorë me Greqinë dhe Jugosllavinë, si dhe përgjatë bregdetit përballë Italisë.Zonat ushtarake,portet, qytetet e mëdha dhe rrugët strategjike u mbuluan me fole zjarri dhe bunkerë që shërbenin për ruajtjen e municioneve, armëve dhe pajisjeve.”

Por ndërsa vitet kalonin dhe paranoja politike thellohej, një lloj lodhjeje e arsyes filloi të përvijonte në horizontin shqiptar. Nga fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80, ndërtimi i bunkerëve mori përmasa të frikshme thuajse manike.Fabrikat, që dikur prodhonin për jetën,filluan të prodhonin për mbijetesën.

Betoni u bë fjala kyçe e çdo plani. Një zinxhir i tërë industrial u vu në funksion të bunkerizimit të vendit.Pjesët e bunkerëve nisën të prodhoheshin në seri,të parapërgatitura, që të montoheshin si pjesë legoje, me efikasitet të padëgjuar më parë. Ato ngriheshin si kërpudhat pas shiut në çdo cep, në çdo fushë, mbi çdo kodër derisa peizazhi vetë nisi të marrë formën e një bunkeri gjigant.

9.

Ky program ushtarak konsumoi shuma të mëdha nga financat shtetërore dhe thithi burime të vlefshme pune pikërisht në një kohë kur infrastruktura dhe industria shqiptare po plakej me ritme të frikshme dhe kishte nevojë urgjente për investime. Por askush nuk guxonte të ndalte këtë motor absurd të mbrojtjes.

Situata u përkeqësua më tej pas vitit 1978, kur Shqipëria ndërpreu përfundimisht marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës. Ajo mbeti e vetmuar në botë, pa aleatë, pa miq, pa protektorë për herë të parë pas shumë dekadash. Kjo vetë-mbështetje, që në propagandë paraqitej si heroizëm, në realitet po kthehej në një strategji shkatërruese që e gërryente ngadalë çdo mundësi për zhvillim real.Në vend të një infrastrukture moderne, Shqipëria ndërtoi një rrjet bunkerësh.Në vend të dritës, zgjodhi frikën.Dhe kështu, populli jetonte me sytë nga qielli jo për të parë retë, por për të pritur rrezikun.

10.

Autorja sjell një tjetër detaj mbresëlënës: numri i saktë i bunkerëve shqiptarë është ende i panjohur.

Emily Glass thotë se vlerësimet variojnë nga më shumë se 400 mijë deri në mbi 600 mijë, e ndonjëherë përflitet edhe shifra e një milionit. Shifra të pabesueshme për një vend kaq të vogël.

Dhe ndoshta, më e pabesueshme është se ato nuk ishin thjesht strehë lufte, por monumente të frikës që i vendosën në çdo cep të vendit.Pas vdekjes së udhëheqësit në vitin 1985, kjo mani e çmendur për bunkerë vdiq me të. Shqipëria nuk mund t’i përballonte më ato kosto kolosale as financiarisht, as shpirtërisht.Kur regjimi komunist u shemb më 1991,bunkerët mbetën si relikte të një kohe që vendi po përpiqej me ngulm ta harronte.Në vitet 1990 dhe 2000, ata thjesht u lanë të shkatërohen, të fshihen nga bari, të mbulohen nga balta, të harrohen nga sytë. Por natyra e tyre kokëfortë, ndërtimi i tyre nga betoni dhe çeliku i rëndë,i bëri pothuajse të pashkatërrueshëm.Ndërsa jeta post-komuniste lulëzonte ngadalë e brishtë, por e lirë bunkerët mbeteshin ngulur në peizazh. Si plagë që nuk gjakosen më, por ende pulsojnë nën lëkurë.

Në shpirtin kombëtar shqiptar, ata janë kujtesë, dhimbje dhe, për disa, objekte kurioziteti.Në vitet e fundit, në disa zona, bunkerët janë shkatërruar me makineri të rënda për të nxjerrë përforcimet metalike që fshihen brenda tyre. Shumë prej tyre janë kthyer në grumbuj inertesh pa emër, pa histori.

Por ka edhe të tjerë që kanë gjetur jetë të re shpesh në mënyrat më të pazakonta.

11.

Disa janë kthyer në strehë për bagëtitë.Të tjerë përdoren për ruajtje të produkteve bujqësore, ose si vende për të nxjerrë raki.

Në zonat turistike, disa prej tyre janë lyer me ngjyra të ndezura, të kthyer në bare plazhi, kafene apo restorante artistike, ku betonit i është dhënë një fytyrë e re më miqësore, më moderne, më e çuditshme.Akti i pikturimit, i zbukurimit, i ripërdorimit, është më shumë se thjesht praktikë. Është një mënyrë për ta shfuqizuar frikën, për ta çarmatosur kujtesën.

Ato struktura të Luftës së Ftohtë, që dikur mbillnin frikë e përgatitje për apokalipsin, sot shndërrohen në vendpushime, ikona urbane apo thjesht objekte që nxisin buzëqeshje.Në një vend që për dekada jetoi në errësirën e izolimit, ky rikthim i ngjyrës mbi beton është një akt i heshtur shprese.Ky ishte pak a shumë shkrimi i arkeologës së huaj.

12.

Dikur ishin sy të verbër të një paranoje që vështronin çdo drejtim.Sot janë thjesht boshllëqe të heshtura në tokë të lodhur nga pritja, nga frika që nuk erdhi kurrë.

Askush nuk i pyeti njerëzit nëse i donin. Askush nuk i pyeti nëse kishin nevojë për to.U ndërtuan për të mbrojtur një vend të mbyllur nga gjithçka, përfshirë edhe vetveten. Dhe tani që koha ka kaluar, ato qëndrojnë ende aty dëshmitarë të një epoke që flet vetëm kur heshtim mjaftueshëm për ta dëgjuar.

Bunkerët nuk janë më armë.Janë kujtesa e ngurtë.

Janë frikë e zbutur nga koha.

Janë plagë që nuk kërkojnë hakmarrje, por kuptim.Dhe ndoshta, kjo është e vetmja mënyrë për t’i falur,jo duke i zhdukur.

Në vend që të heshtim prej tyre,t’i bëjmë të flasin.

T’i lemë të tregojnë jo vetëm çfarë ndodhi, por si nuk duam të ndodhë më kurrë.Sepse vendi që dikur u rrethua me bunkerë, tani ka nevojë të rrethohet me kujtesë.

Dhe me njerëz, që e mbrojnë të vërtetën jo me beton, por me kujdes.Por ka një arsye tjeter per bunkeret.

13.

…Për dekada me radhë, bunkerët ishin sinonim i frikës, izolimit dhe paranojës së një regjimi që ndërtoi fortesa për t’u mbrojtur nga një botë që nuk po e sulmonte. Pas viteve ’90, këto struktura prej betoni dhe hekuri u panë me përçmim.U konsideruan relikte të një kohe të errët objekte të padobishme, të braktisura dhe pa kuptim në një shoqëri që aspironte të çlirohej nga e kaluara e saj autoritare.

14.

Konfliktet, raketat, pasiguria globale të gjitha këto kanë rikthyer një ndjesi të humbur prej kohësh: frikën për jetën. Dhe pikërisht në këtë realitet të ri, ato struktura të dikurshme, të lodhura nga historia, po marrin një kuptim të ri.Jo më si shenjë frike, por si strehë për jetën.

Një bunker i vjetër mund të jetë sot mburojë për një fëmijë, për një familje të pafajshme, për dikë që kërkon thjesht të mbijetojë. Betoni që dikur simbolizonte dhunën dhe izolimin, sot mund të mbajë brenda jo vetëm dhimbjen, por edhe shpresën.

Është ironike.Historia, që në një moment dukej se kishte dhënë gjykimin e saj për këto struktura, sot kthehet dhe na vë përballë një të vërtete të re. Mundimi dhe djersa e atyre që i ndërtuan nuk shkuan kot. Jo sepse e justifikojmë sistemin që i solli në jetë, por sepse koha, si gjithmonë, u jep objekteve kuptime të reja.Kjo nuk do të thotë se rikthehet ai regjim. Jo. Por do të thotë se në kohë të vështira,edhe ajo që ishte refuzuar mund të bëhet e nevojshme. Dhe këtë duhet ta pranojmë.

Bunkerët nuk janë më thjesht dëshmi e një frike të vjetër. Janë bërë simbol i një të vërtete të re se njeriu kërkon mbrojtje, gjithmonë. Dhe ndonjëherë, historia vetë ofron mjetet për ta bërë këtë edhe në format më të papritura.