Cak agu-Ruzhdi Gole

RUZHDI GOLE
                  CAK AGU
                    (prozë)


-Po dremit ? Po dremit me nge? Me sytë në këmbë dhe mbëdhe qepallat ?
-Lermë në joshjen time edhe ca, o i frymëzuar.
-Ende joshesh ti kërcure? Të janë tharë gjinjtë.
-Ty të janë ngufatur gjunjtë.
-Eh, me nge duhet fjala, me nge. Se të bëhet halë në fyt- belbëzova. -Sa e mirë ke qenë ahere…?
 -Kur ahere? Tani jam më e mirë.
-Tani më duhesh tepër, thatanikja ime!
-Po, po o fluturak, me sherre në bark.
-Fli gjumë, fli o kërcure. Dhe mos gërhit se e gërhitura jote  m”i hedh mustaqet tërpjetë.
-Fli ti, po rri zgjuar unë, pastaj ti…
-Ooo, si e gjete këtë, gjumi dhe nata janë yshtje. Të shplodhin kokë e këmbë.
-Pse, me tërë mend do flesh sonte? Rrijmë një natë zgjuar. Leri fletët të flenë. Mjaft u kapite mbi to.
-Oj, zonja ime, rri a s’rri unë mbi ato fletë, gishtat e mi mbi partitura janë përhera.
-Vret kotnasikoti mëndjen, o dirigjent. Ti i di përmendësh të gjitha partiturat. Gjenerali im pa spaleta.
-U gradova prej teje?. Faleminderit, moj shtrigëz e butë. Shtrigë a shtrigëz më je. Më je e më deh. Po koha ecën edhe po s’ecëm ne!.
-Kush na i rrëmben neve kohën? Tani kemi orë pafund, sa të duash.
-Ne, njeritjetrit, ia rrëmbejmë. Ajo ne na mban, ne s’e mbajmë dot. Tani jetojmë më pak në kohë.
-Të hipi mërzia ?
 -Kohën neve na i rrëmben frika, na i rrëmben vrap e papritura, naivja dhe…
-dhe orkestra e botës, o muzikanti im…
-T’i mori mendttë nata a joshja moj? Gjithë huqe je e tëra.
-Huqet aty më ikin, aty më kthehen prapë. Huqet natë duan për t’u rrëfyer  Mua, sonte, më erdhi nata për rrëfenjë.
-T’i lemë rrëfenjat tani…
-T’i lemë ? Po nuk na lenë ato. Ti, e njeh Zyrhanë?  Zyrhanë “e tymosur” pëshpërisin graria. E ka shkelur ajo, … shkelur herë – herë.
-Njeri i qetë, i urtë burri i saj, Nehati. Është rroptuar gjithë jetën në minierë.
-dhe kur vinte në shtëpi i rraskapitur, qymyr e tym i gjithi, lahej e shplahej shpejt e shpejt. Edhe gjellën e mbllaçiste të ftohtë nga uria. Shtriqej e flinte me shpinën kthyer Zyrhasë. Po Zyrhaja donte burrë për dyshek jo për jorgan. M’i ka rrëfyer “e tymosura” të gjitha. Pse m’i ka rrëfyer as sot s’e di.
-0 shtriga ime, po ti paske fjetur në dyshek të botës? Të mbys, qe besa, tani në …
(Nuk besoja se isha mpakur ngaqë e joshja ende gruan time.)
-Jo, jo, o kapedani im! M’i ka rrëfyer Zyrhaja vet ..
-Për të të nxit’, për të të joshur edhe ty ?
-Ç’pjellor qënke sonte nga mendja, o i frymëzuar?
-Sot, kur hyra në treg, m’u kujtua Grigori, im vëlla. Gjithë jetën me kandar në dorë. Aty i mbylli sytë. Mua më peshojnë rëndë gurët e jetës së tij.
-I miri Grigor…
-Nesër ka përvjetor. Do të shkojmë në vorreza. ?
 -Shko ti. Unë kam shkuar, kam shkuar disa herë. Vetëm ose me Zyrhanë.
-Po ç’do Zyrhaja tek im vëlla? Veç një përshëndetje kanë pasur.
-Po, po, veç një përshëndetje. Zyrhaja shkon tek nja dy-tre të njohur, lutet, qan e qesh, u kujton atyre bëmat, ata i kujtojnë amanetet dhe i rrëfejnë varroshin e burrit të vet se ajo e harron shpesh. Burri i vet ka vdekur para tyre.
-Mbas varrimit dreka e mbas drekës kush ka mundur i pari i ka ngritur fustanin Zyrhasë ?- e cyta unë fjalën.
-Mjaft, o karafil im, karafil dhe gjeneral plot spaleta.
-Ooooo, qënkam me spaleta tani, moj tollumbace ? Po pse ke shkuar ti tek im vëlla?
.S’kam frikë të ta them sonte : e kam dashur Grigorin, e kam puthur. Dhe më erdhi keq, shumë keq kur vdiq. Tani, i vdekur, më dhimbset.
-Çfarë thua, moj?Tradhëtisht? Pas syve të mi? Ooo, ç’marri e zezë kjo, ç’meritje.
-Unë doja tek ty burrin burrë edhe më tepër. Nuk e gjeja, e gjeja rrallë. Ti gjithë jetën provave, koncerteve, turneve, prandaj,…prandaj guxova njëherë, iu afrova e putha me rrëmbim Grigorin. Ai u skuq. Desha ta ledhatoja, ta joshja. Por ai asnjëherë nuk e donte këtë, asnjëherë…
-O Grigor vëlla, sa s’të paskam njohur, sa i mirë paske qenë!!! O i miri Grigor…
-Mjaft më me pikëllimin tënd tani.
-O i shenjti vëlla…
-Mjaft, të lutem…Më duket se u zbardh, U zbardh më shpejt se përhera. A do shkojmë bashkë në vorreza ?