Rreth poezisë “Sa do desha”, me autore Rozeta Kreste-Nga Robert Martiko



KUR MALLI PËR NËNËN E KTHEN NJERIUN PËRSËRI NË FËMIJË

Rreth poezisë “Sa do desha”, me autore Rozeta Kreste

Poezia “Sa do desha” është një elegji intime për nënën e munguar dhe një rrëfim prekës për atë lloj dhimbjeje që koha nuk arrin ta shuajë. Rozeta Kreste ndërton një kthim imagjinar në fëmijëri, në kohën kur prehri dhe dora e nënës ishin strehë ndaj çdo trishtimi. Dëshira “Të isha fëmijë si njëherë” nuk është nostalgji vetëm për moshën e humbur, por mall për sigurinë që njeriu e gjen vetëm në dashurinë amësore.
Veçanërisht e bukur është figura e “dredhkave të mia vjeshtake”. Vjeshta këtu shenjon kalimin e viteve dhe pjekurinë, por përballë kujtimit të nënës mosha humbet rëndësinë. Sepse edhe njeriu i rritur dëshiron përsëri një dorë mbi flokë dhe mundësinë për t’ia rrëfyer dikujt dhimbjen me lot. Në këtë mënyrë, poezia prek një të vërtetë universale: përballë nënës, një pjesë e jona mbetet gjithnjë fëmijë.
Kthesa më e dhimbshme vjen kur realiteti ndërpret ëndrrën: “Po nënën e gjorë ka mote / Që fshehur dheu ma mban.” Prej këtij çasti, malli shndërrohet në vetmi. Nuk dhemb vetëm humbja e nënës, por edhe pamundësia për të pasur më atë njeri të cilit mund t’i besohej gjithçka pa frikë dhe pa shpjegime.
Figura përmbyllëse, “Si degëz e zhveshur lëkundem”, e përmbledh bukur gjendjen shpirtërore të poetes. Njeriu pa nënën përngjan me degën që ka humbur gjethet dhe mbetet e pambrojtur përballë erës. Madje, në fund, vetëm era që “çirret në qelqe” duket se e dëgjon dhimbjen e heshtur. Natyra bëhet kështu dëshmitarja e vetmisë njerëzore.
Poezia të sjell ndër mend Marcel Proust dhe idenë e tij se kujtesa është në gjendje të rikthejë emocionalisht atë që koha na ka marrë. Edhe këtu nëna nuk mund të kthehet fizikisht, por prehri, dora dhe ngrohtësia e saj vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e bijës.
“Sa do desha” është, në thelb, një poezi për dashurinë që nuk përfundon me vdekjen. Nëna mungon, por nevoja për t’iu kthyer asaj mbetet. Sepse ka dhimbje që njeriu mund t’ia tregojë botës, por ka edhe dhimbje për të cilat, pavarësisht sa vite kanë kaluar, zemra vazhdon të kërkojë vetëm një prehër: atë të nënës.

SA DO DESHA

Sa do desha sonte, sa do desha
Të isha fëmijë si njëherë,
Në prehrin e nënës strukur,
T’ia tretja syrin e mjerë.

Të ndjeja dorën e ngrohtë
Mbi dredhkat e mia vjeshtake,
Se ç’më mundon këtu brenda,
T’ia thoja me lot nëpër faqe.

Po nënën e gjorë ka mote
Që fshehur dheu ma mban,
E s’kam se kujt t’ia besoj
Dhimbjen që gjoksin më çan.

Si degëz e zhveshur lëkundem,
Kur lotin mbyt në heshtje,
Dhe askujt ndërmend s’i bie,
Veç erës që çirret në qelqe…