IN MEMORIAM
Nga Agim Lika
Ka njerëz që jetojnë gjatë dhe ka njerëz që jetojnë bukur. Ka njerëz që, edhe pasi largohen nga kjo botë, mbeten të gjallë në kujtesën e familjes, të miqve dhe të komunitetit ku jetuan. Ata nuk mbahen mend për pasurinë që grumbulluan apo për postet që mbajtën, por për mirësinë që shpërndanë, për ndershmërinë me të cilën jetuan dhe për gjurmët që lanë në zemrat e njerëzve. Një nga këta njerëz ishte Dilaver Kurti. Ai i përkiste atij brezi burrash që e fituan respektin jo me zhurmë, por me karakter; jo me fjalë të mëdha, por me punë të ndershme. Urtësia, përulësia, kultura dhe dashamirësia e bënë një figurë të nderuar jo vetëm për familjen e tij, por edhe për banorët e krahinës së Ishmit, të cilët edhe sot e kujtojnë me respekt dhe mall. L
indi në një familje me tradita të mira qytetare e atdhetare. Ishte djali i parë i familjes Kurti dhe nipi i parë i familjes së Sulejman Likës. Që në fëmijëri u dallua për zgjuarsinë, qetësinë dhe etjen e pashuar për dije. Mësuesit shihnin tek ai një nxënës shembullor, ndërsa familja ushqente besimin se ai do të bëhej një njeri që do t’i sillte nder jo vetëm shtëpisë së vet, por edhe gjithë krahinës. Rezultatet e tij në shkollë ishin të shkëlqyera. Për Dilaverin, mësimi nuk ishte një detyrim, por një pasion. Ai besonte se dija ishte themeli mbi të cilin ndërtohet karakteri dhe se njeriu nuk resht së mësuari gjatë gjithë jetës. Me të njëjtin përkushtim ndoqi studimet e larta në degën e Veterinarisë, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira. Në një kohë kur universiteti ishte privilegj për pak të rinj, ai u bë i pari nga fisi i Kurtëve dhe i Likëve që diplomohej në arsimin e lartë. Ky ishte një moment krenarie për familjen dhe një frymëzim për shumë të rinj të zonës, të cilët panë tek ai shembullin se dija dhe puna janë rruga më e sigurt drejt suksesit. Por diploma, për Dilaver Kurtin, nuk ishte një titull për t’u ekspozuar.
Ai e shihte atë si një përgjegjësi të madhe ndaj njerëzve. Kjo bindje do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës, duke u bërë themeli i veprimtarisë së tij profesionale dhe qytetare. Studimet dhe formimi i tij u shndërruan shpejt në një mision të jetës. Pasi përfundoi Fakultetin e Veterinarisë, Dilaver Kurti i’u përkushtua me seriozitet profesionit, duke e ushtruar atë me ndërgjegje të lartë dhe përgjegjësi të rrallë. Për të, veterineri nuk ishte thjesht një specialist i shëndetit të kafshëve, por një mbështetje e domosdoshme për familjet që jetonin me punën e tokës dhe të blegtorisë. Gjatë viteve të punës mbajti me dinjitet detyra të rëndësishme në sektorin e bujqësisë dhe veterinarisë. Shërbeu si drejtues sektori, sekretar i Byrosë së Kooperativës së Ishmit, anëtar i Plenumit të Rrethit, mjek veteriner në Divizionin e Shijakut dhe specialist në Drejtorinë e Bujqësisë. Në çdo detyrë la të njëjtën përshtypje: njeri korrekt, profesionist i aftë dhe drejtues që e vendoste gjithmonë interesin e komunitetit mbi atë personal. Banorët e fshatrave të Ishmit e kujtojnë si veterinerin që nuk njihte orar.
Në vapën përvëluese të verës, në shi, në baltë apo në netët e acarta të dimrit, ai ishte gjithmonë i gatshëm t’i përgjigjej thirrjes së një fermeri. Nuk kursente lodhjen dhe as kohën, sepse e dinte se pas çdo dere që trokiste fshihej mundi, buka dhe shpresa e një familjeje. Edhe pas daljes në pension nuk u shkëput nga profesioni. Ai vazhdoi të ishte pranë banorëve të Ishmit, Armathit, Shkallës, Hamallajt dhe fshatrave përreth, duke u shërbyer me të njëjtin përkushtim e përulësi. Për të, pensioni nuk ishte fundi i detyrës morale; ishte vetëm fundi i një statusi administrativ. Misioni i tij për të ndihmuar njerëzit vazhdoi deri sa shëndeti ia lejoi. Por ajo që e bëri vërtet të veçantë nuk ishin vetëm aftësitë profesionale. Ishte karakteri i tij.
Ai fliste pak, dëgjonte shumë dhe gjykonte drejt. Nuk kërkonte kurrë të binte në sy, nuk mburrej me arritjet dhe nuk e përdori asnjëherë detyrën për përfitime personale. Respekti që gëzonte ishte fryt i ndershmërisë, i urtësisë dhe i sjelljes së tij fisnike. Në një kohë kur shpesh vlerësohen fjalët e bujshme, Dilaver Kurti dëshmoi se forca e vërtetë qëndron te shembulli. Ai fitoi zemrat e njerëzve jo me premtime, por me punë; jo me autoritetin e postit, por me autoritetin moral që buronte nga personaliteti i tij. Përtej profesionistit të përkushtuar që njihte çdo banor i Ishmit, qëndronte një njeri me botë të pasur shpirtërore dhe me kulturë të admirueshme. Dilaver Kurti besonte se dija nuk përfundon me universitetin. Për të, të mësuarit ishte një proces që vazhdon gjatë gjithë jetës. Libri zinte një vend të veçantë në përditshmërinë e tij. Biblioteka personale, ndër më të pasurat në krahinën e Ishmit, ishte pasqyra më e mirë e etjes së tij për dije.
Në raftet e saj gjendeshin vepra të historisë, letërsisë, filozofisë, shkencës dhe kulturës shqiptare e botërore. Ai lexonte me pasion, studionte me vëmendje dhe e kthente çdo libër në një mundësi për të zgjeruar horizontin e tij intelektual. Miqtë e kujtojnë si një bashkëbisedues të kulturuar, që dinte të dëgjonte po aq mirë sa të fliste. Mendimet e tij ishin gjithmonë të argumentuara, të qeta dhe larg çdo paragjykimi. Nuk impononte bindjet e veta, por i shprehte me urtësi dhe respekt, duke krijuar rreth vetes një klimë mirëkuptimi dhe besimi. Po aq i pasur ishte edhe universi i tij familjar. Pranë tij qëndroi përherë bashkëshortja e tij e dashur, Gjylja, me të cilën ndau gëzimet dhe sfidat e jetës.
Dashuria, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë ishin themelet mbi të cilat ndërtuan familjen e tyre, duke rritur dy djem me ndjenjën e përgjegjësisë, të ndershmërisë dhe të dashurisë për punën. Shtëpia e Dilaver Kurtit ishte një vatër e ngrohtë mikpritjeje kjo falëfalë bashkëshortes së tij Gjyles, e cila ishte dhe është një zonjë e madhe. Dyert e saj ishin gjithmonë të hapura për miqtë, fqinjët dhe këdo që kishte nevojë për një fjalë të mirë apo një ndihmë të sinqertë. Ai besonte se vlera e njeriut nuk matet me atë që zotëron, por me atë që u dhuron të tjerëve. Për këtë arsye, ai fitoi diçka që nuk blihet dhe nuk dhurohet me dekret: respektin e njerëzve. Ishte një respekt i ndërtuar ngadalë, ditë pas dite, me punë, me ndershmëri dhe me një sjellje fisnike që nuk ndryshoi kurrë, pavarësisht detyrave që mbajti apo viteve që kaluan. Sot, kur emri i tij përmendet në Ishëm, Armath, Shkallë, Hamallaj e më gjerë, ai shoqërohet gjithmonë me fjalë mirënjohjeje.
Ky është vlerësimi më i lartë që mund të fitojë një njeri: të jetojë në kujtesën e komunitetit si shembull i mirësisë, urtësisë dhe dinjitetit. Ka njerëz që largohen nga kjo botë pa zhurmë, ashtu siç jetuan. Por heshtja e largimit të tyre flet më shumë se shumë fjalime. Ajo na kujton se një jetë e ndershme nuk ka nevojë për monumente prej guri, sepse monumentin e saj e ngre në zemrat e njerëzve. Dilaver Kurti ishte një prej atyre burrave që nuk e kërkuan kurrë vlerësimin, por e merituan atë. Ai nuk la pas pallate e pasuri, por la një emër të mirë, një familje të nderuar, një komunitet mirënjohës dhe një shembull që flet edhe sot. Kjo është pasuria më e madhe që mund të trashëgojë një njeri. Në ditët tona, kur shoqëria ka aq shumë nevojë për modele të vërteta, jeta e tij na kujton se ndershmëria, puna, dija dhe përulësia nuk janë virtyte të së shkuarës, por vlera të përjetshme mbi të cilat ndërtohet besimi mes njerëzve. Brezat e rinj kanë nevojë të njohin histori të tilla, sepse ato u mësojnë se suksesi nuk matet me famën e çastit, por me respektin që mbetet pas një jete të tërë.
Prandaj, kujtimi për Dilaver Kurtin nuk është vetëm një homazh për një njeri të mirë. Është edhe një thirrje e heshtur për të mos harruar vlerat që ai mishëroi. Sa herë të përmendet emri i tij, do të kujtohet një njeri që jetoi me dinjitet, punoi me ndërgjegje dhe e deshi pa kushte vendin dhe njerëzit e tij. Ky është nderimi më i madh që mund t’i bëhet kujtimit të tij dhe amaneti më i bukur që ai u lë brezave: të jetojnë me ndershmëri, të punojnë me përkushtim dhe të mbeten gjithmonë njerëz të mirë. Në rrjedhën e kohës, shumë emra zbehen e harrohen. Por mbeten ata njerëz që jetuan me ndershmëri, punuan me përkushtim dhe e vunë dijen e zemrën në shërbim të të tjerëve. Këtij brezi i përkiste edhe Dilaver Kurti. Ai nuk e ndërtoi emrin mbi privilegje apo lavdi të përkohshme. E ndërtoi mbi besimin që ngjalli te njerëzit, mbi fjalën e mbajtur, mbi ndihmën e pakursyer dhe mbi respektin që fitoi gjatë një jete të tërë. Prandaj kujtimi i tij mbetet i gjallë në çdo familje që e njohu, në çdo mik që pati fatin të bashkëpunonte me të dhe në çdo banor të krahinës së Ishmit që përfitoi nga përkushtimi i tij. Jeta e Dilaver Kurtit është një dëshmi se madhështia e njeriut nuk qëndron te zhurma e emrit, por te qetësia e veprës; jo te pushteti që ushtron, por te besimi që lë pas; jo te pasuria që grumbullon, por te vlerat që u trashëgon brezave.
Në emër të bashkëshortes së tij të dashur, Gjyljes, të dy djemve, nipërve, mbesave dhe të gjithë të afërmve, shprehim mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë ata që e nderojnë kujtimin e tij me një lutje, një fjalë të mirë apo një kujtim të çmuar. Këto janë shenjat më fisnike të mirënjohjes njerëzore dhe dëshmia se një jetë e jetuar me dinjitet nuk harrohet kurrë. Për familjen, ai do të mbetet gjithmonë bashkëshorti i dashur, babai i urtë, gjyshi i dashur dhe njeriu që u mësoi brezave se ndershmëria është pasuria më e madhe. Për miqtë, ai do të mbetet shoku besnik dhe këshilltari i urtë. Për komunitetin e Ishmit, ai do të mbetet modeli i intelektualit të përulur, i profesionistit të ndershëm dhe i qytetarit që jetoi për t’u shërbyer njerëzve. Një rrëfim nga takimi disa javë para se të ndërronte jetë Dilaveri Si çdo herë që kaloja në Shkafanë, ndaloja ta takoja. Ishte bërë një zakon i bukur mes nesh. E gjeja gjithmonë pranë kioskës, me buzëqeshjen e tij të qetë dhe me dëshirën për të biseduar. Librat, historia, njerëzit e mençur dhe kujtimet e jetës ishin temat që e gjallëronin më shumë.
Atë ditë, pranë tij ishin ulur edhe dy burra të moshuar. Sapo më pa, u ngrit lehtë dhe, me një buzëqeshje plot krenari, u tha: — Më lejoni t’ju prezantoj me njeriun që nuk rri dot pa shkruar. Ky është daja im, Agimi. Ata më përshëndetën me respekt dhe, pas pak, u larguan. Mbetëm vetëm ne të dy. Ndërkohë, Dilaveri rregulloi mallrat që sapo i kishin sjellë dhe u ul pranë meje.
Ndezi edhe një cigare. Më bëri përshtypje se, sapo mbaronte njërën, ndizte tjetrën.
Për një çast m’u kujtua gjyshi im i ndjerë, Sulejmani, që e pinte duhanin po aq shumë, por me llullë. — Ku të ka nxjerrë rruga sot, daj Gimi? — më pyeti.
— Jam nisur për në Bizë. Do të takoj Gegë Projën. Po mbledh materiale për librin “Folklori i Krahinës së Ishmit”. Sytë iu ndriçuan menjëherë. Dilaveri kishte një dashuri të veçantë për librin. Sa herë që biseda shkonte te letërsia apo historia, ai linte çdo punë për të dëgjuar. Lexonte shumë dhe i çmonte pa masë njerëzit që punonin për të ruajtur kujtesën e vendit.
— Ah, kjo është një punë që do të mbetet, — tha me bindje.
— Librat janë pasuria që nuk e ha as koha, as harresa. Ti po i bën një shërbim të madh Ishmit. Nesër njerëzit do të kërkojnë në libra atë që sot jeton vetëm në kujtesën e të moshuarve. Bëri një pushim të shkurtër, thithi cigaren dhe vazhdoi:
— Edhe Gega është njeri me mend e me dije njeri i lexuar. Dëgjoje me kujdes. Njerëz të tillë janë si libra që ecin mbi këmbë. Sa janë gjallë, duhet t’u marrësh gjithçka dinë. Pastaj u kthye nga unë me qetësinë e tij karakteristike.
— Po të tregoj edhe unë një histori. Ka kaluar shumë kohë, por nuk më është fshirë kurrë nga kujtesa. Sa herë mendoj për profesionin tim, më del përpara ajo familje.
Filloi të rrëfente.
— Një ditë erdhi një burrë nga Hamallaj. Ishte i shqetësuar. “Doktor, hajde se po na ngordh lopa”, më tha. Mora çantën dhe u nisëm menjëherë. Kur mbërrita, pashë një familje që jetonte vetëm me atë kafshë. Nuk kishin tokë, vetëm një shtëpi të vogël dhe një oborr. Gruaja dhe tre fëmijët qanin pranë lopës së shtrirë. Atë çast e kuptova se nuk po luftoja vetëm për jetën e një kafshe, por për bukën dhe shpresën e asaj familjeje. Heshti për disa sekonda, sikur po e jetonte përsëri atë skenë.
— Punova pa u lodhur. Pas rreth një ore e gjysmë, lopa u ngrit më në fund në këmbë. Nuk do ta harroj kurrë britmën e gëzimit të fëmijëve. Një vajzë e vogël, ndoshta katër vjeçe, më përqafoi dhe vazhdonte të qante. Atë ditë e kuptova edhe një herë se shpërblimi më i madh nuk janë paratë. E pyeta: — A të paguan? Ai buzëqeshi me atë thjeshtësinë që e karakterizonte.
— Për punën nuk mora asnjë lek. Vetëm vlerën e ilaçeve. Si mund t’u merrja më shumë? Ata kishin nevojë për lopën më shumë sesa unë për paratë. Kur largohesh nga një shtëpi dhe lë pas buzëqeshje në vend të lotëve, atëherë ke marrë pagesën më të madhe që mund të të japë jeta. Këto nuk ishin thjesht fjalët e një veterineri. Ishin filozofia e jetës së një njeriu që profesionin e kishte shërbim, ndërsa mirësinë detyrim ndaj njerëzve. Ky ishte takimi ynë i fundit. U ndamë me një shtrëngim duarsh dhe me premtimin e zakonshëm:
— Mirupafshim, daj Gimi! Do të shihemi përsëri ishin fjalët e tij. Nuk e dija se ajo do të ishte përshëndetja jonë e fundit. Sa herë kaloj në Shkafanë, më duket sikur e shoh ende aty, pranë kioskës, me cigaren në dorë dhe buzëqeshjen e tij të qetë. Dhe më tingëllojnë në vesh fjalët që më tha atë ditë:
— “Librat mbeten, daj Gimi… Librat nuk vdesin kurrë.”
Kjo është trashëgimia e tij më e çmuar. Një trashëgimi që nuk matet me pasuri materiale, por me respektin e fituar, me dashurinë e familjes dhe me mirënjohjen e komunitetit. Është një pasuri që koha nuk e zbeh, por e bën edhe më të vyer. Ndaj, edhe pse kanë kaluar shtatë muaj që ai është ndarë nga jeta, e kujtojmë me dhimbje, e kujtojmë edhe me krenari. Sepse jeta e Dilaver Kurtit ishte një jetë me kuptim, një jetë e mbushur me punë, dije, fisnikëri dhe dashuri për njerëzit. I paharruar qoftë kujtimi i Dilaver Kurtit! Qoftë i përjetshëm nderimi për jetën dhe veprën e tij!