Androkli Nika




Ditari pa emër
Duke hedhur hapat e parë të fëmijërisë dhe duke kapërcyer murin rrethues të shtëpisë sime, syri më rrokte pamje që ndryshonin nga oborri i zakonshëm ku luanim përditë. Sapo dilnim në rrugën kryesore të fshatit, shtëpitë shfaqeshin të rreshtuara, thuajse uniforme: një- ose dykatëshe, me mure jo të larta. Mbi to mbaheshin dru zjarri, gjithnjë në të njëjtën lartësi, sepse çdo ditë shtohej aq sa harxhohej. Vetëm ajo shtëpi nuk ndryshonte kurrë.
Ishte dykatëshe, me mure rrethues shumë të lartë. Porta hyrëse kishte kollona guri dhe kanata të rënda prej druri lisi, të gdhendura me kujdes. Mbi to ngriheshin dy harqe guri, si ura të vogla. Në mes varej një dorë gruaje prej bronzi për të trokitur një dorë që ne fëmijët nuk e arrinim dot.
Oborri i jashtëm ishte i shtruar me pllaka guri. Në një cep buronte një krua, nga i cili na ndalohej të pinim ujë. Nuk e respektonim gjithmonë ndalimin, sepse etja e fëmijërisë është më e fortë se rregulli. Shtëpia ishte e pabanuar. Porta nuk hapej kurrë. Dhe pikërisht për këtë arsye, kureshtja jonë rritej çdo ditë.
Një natë dimri, gjyshja na foli për herë të parë për atë godinë. Të zotët kishin emigruar në Amerikë. Gjatë Luftës, aty kishte qenë spital i ushtrisë greke,pér pak kohë Mé pas spital partizan. Ajo foli për Operacionin e Dimrit, për vitin 1944, për fshatin që kishte shpëtuar nga djegia. Fjalët e saj ndezën tek ne një zjarr që nuk do të shuhej lehtë.
Fragmente interesante u shkëputën nga rrëfimi i gjyshes. Kërkonim aty ku mund të kishte mbetur armë dhe plumba. Dhe, pa e kuptuar, gjetëm një thesar të fshehur nga bota e ndjenjave — ajo na dha portretin e një vajze jo vetëm me tipare bukurie, por dhe me guxim, një vajzë që do të na mësonte se brenda asaj shtëpie mund të ekzistonte diçka më e fuqishme se frika.
Rasti për të hyrë erdhi papritur, vite më vonë, kur porta u hap jo për kureshtjen tonë, por për një vendim. Ishte fjala “shtetëzim” ajo që e hapi portën.
Kur u kthyem nga shkolla, pamë burra të mbledhur para hyrjes. Mes tyre ishte im atë. Porta ishte hapur. Pa menduar gjatë, u futëm brenda.
Oborri i brendshëm ishte i shtruar me pllaka guri, mes të cilave kishte mbirë bar i imët, duke i dhënë pamjen e një qilimi të heshtur. Porta e madhe e shtëpisë qëndronte përballë nesh, si një prag kohe.
Hymë brenda. Për herë të parë, na u shfaq bukuria e brendshme e odës: tavani i gdhendur me kujdes, dollapët e drurit, bojrat e suvave të zbehta, dhe dritaret e mëdha që linin dritën të hynte pa frikë. Ishte sikur arti i odës na mirëpriti dhe na tha se aty, mes heshtjes dhe plumbit të mundshëm, mund të ekzistonte edhe diçka e bukur, diçka njerëzore.
Shkallët prej druri kërcisnin lehtë. Në katin e parë, në një cep, qëndronte një makineri me ingranazhe të mëdha — e palëvizur, por ende me forcë të fshehur.Na nxorën jashtë, por më pas na thirrën sërish për të ndihmuar në heqjen e materialeve nga oda dhe kthinat. Ishim të vegjël, por të dobishëm. Dhe mbi të gjitha, ishim të etur për të parë.
Në kthinat anësore, ndërsa hiqnim dërrasa dhe arka të vjetra, një panel druri i çarë u shkëput. Nga pas tij ra një fletore e palosur, e verdhëruar nga koha. E mora instinktivisht dhe e fsheha nën këmishë. Nuk e bëra nga frika, por nga ndjenja se ajo fletore nuk duhej të dilte në dritën e zhurmshme të ditës.Një ditar pa emër i shkruar natën plotë dhimbje dhe drité.
Leximi i ditarit u bë natën. Me kujdes. Me frymën pezull. Faqet ishin të brishta, letra e dobët, por fjala e fortë. Vetëm një zë i brendshëm.
Zëri i një vajze të re, partizane, vajzë studente, e plagosur rëndë në gjoks. Për shkak të plagës, ishte shtruar në një dhomë të vogël, të veçuar. Aty hynte vetëm mjeku italian dhe infermieret. Vajza kishte qenë studente në Itali për mjekësi, por lufta ia kishte ndërprerë studimet dhe ëndrrën njëkohësisht.
Ajo shkruante për jetën e spitalit: për mungesën e barnave, për netët pa gjumë, për dhimbjen që mëson të heshtë. Pastaj, dalëngadalë, fjalët filluan të ndriçohen. Në rreshta hyri kujdesi i mjekut, duart e tij të sigurta, shikimi që ndalej vetëm aq sa duhej.Plagosja kishte qenë aksidentale. Një mësim për përdorimin e armëve të reja të ardhura nga aleatët. Një automatik i mbushur gabimisht. Një shkrepje që askush nuk e shpjegoi. Në hije, një xhelozi pa emër.
Mjeku e shpëtoi. Rreziku i humbjes së njërit gji u shmang. Mirënjohja u kthye në ndjenjë. Ndjenja u kthye në dashuri.
Ajo e dinte ligjin partizan për moralin. E përmendte Ramize Gjebrenë me dhimbje dhe frikë. E dinte se plumbi mund të binte edhe mbi dashurinë. Por ajo shkruante: “Nëse jeta më kërkon gjithçka, unë i jap gjithçka për një çast drite.”
Dashuria e tyre nuk ishte rebelim. Ishte strehë. Një mënyrë për të mbetur njerëz.
Shënimi i fundit fliste për një të shtunë shtatori, vitin 1944. Një dasmë në fshat. Spitali ishte bosh. Kénga vinte e zbehtë deri në oborr.
Uné mbeta në dhomën e vogël. Ai u kthye për kontroll.
Ajo nuk shkruante çfarë ndodhi. Vetëm një fjali, e qartë si një betim: “Atë natë frikën e hodhëm si një mantel të zi, që nuk kishte të drejtë të ishte e pranishme mes nesh.”
Pas asaj nate, ditari mbyllej.Kishte ardhur urdhri për evakuim. Në fillim do të largoheshin të plagosurit rëndë, të shoqëruar nga mjeku dhe infermieret. Më pas, ata me plagë të lehta dhe baza materiale. Unë isha në grupin e dytë, shkruante ajo. Kaluam malin. Mua më caktuan detyrën e infermieres.
Kjo ishte rruga e fundit që ndiqnim njëri-tjetrin nga larg. U pamë, por nuk u takuam. Në fund, një amanet: kush ta gjente, ta bënte publik pas tetëdhjetë vjetësh.E mbajta amanetin…
Ditari u gjet pas tridhjetë vjetësh. Fletët u shpërbënë vetë, si trup që dorëzohet, por shpirti mbetet.Ngjarja nuk u mor vesh kurrë.
Tani, pas kaq vitesh, po e rrëfej këtë histori si copëza jete të dikujt që i mbijetoi njé kohe té veshtiré, por për të dëshmuar se dashuria, edhe kur kushton gjithçka, mbetet drita më e fortë që njeriu mund të zgjedhë.