Një pupël si vetull-Spiro Kote

Spiro Kote

SPIRO KOTE
NJË PUPËL SI VETULL
( L i r i k ë )
 
Një pupël,si vetull ,ra befas mbi valë,
Mbi cipëz të gjolit, sykthjelltit,kristal.
 
 
Lotë-vajin, shelgjet,e shterën në çast,
Buzëgjethet e vogla, i feksën në gaz.

 

Bregu,fatlumej, priste e lutej për të,
Qeshej, kur qasej, psherëtinte pa zë.

 

E afërt, kur vinte ,dridhërohej në valë,
E largët,kur ikte ,lotëderdhej në mall.

 

Por erdh’ flladi i erës,me puplën të luaj,
e sillte ,e largte ,e braktiste të huaj .

 

E niste ,e grishte ,e ngrinte mbi ujë,
E largte , përqafej ,me gaz e me vrull.

 

Një çast, rrëmbyeshëm,e mori në krah,
Një vetëtimë ndezi gjolin ,e më s’u pa.

 

S’u muar vesh ç’qe , kur erdhi ,kur iku ,
Pranverë lulesh në qe, a vapë korriku…?!

 

Në qe vetull-pupël, a veç – pupël-vetull,
Në iku me flladin, apo u tret në mjegull…?!
 
I mjerë mbeti gjoli , i vajshëm , pa zë,
Përreth, shelgjet varur , lotonin me të.
 
Pranverë , 2025- 2026