Do të vij…Ariel Bella

Ariel Bella

Do të vij…
Do të vij
siç vjen një heshtje
kur ka frikë se mos e zgjojnë.
Siç vjen një dritë
kur trembet se mos e zënë.
Siç vjen një zemër
kur e di se mund të lëndohet,
por përsëri zgjedh të vijë.
.
Në ikjet e mia
mora gjithmonë emrin tënd me vete.
Në zhurmën e jetës
të mbajta pranë,
dhe përsëri zemërohem me veten,
sepse çdo rrugë
më sjell përsëri tek ti.
.
Në natën e thellë,
kur hëna të bëhet roja jote,
do të nisem në udhëtimin tim.
Në ëndrrën e parë
do të arrij në botën tënde.
.
Kam frikë të të zgjoj nga gjumi,
prandaj vetëm bredh aty.
Bëj gjithçka që dëshiroj:
të të jap një puthje,
të të pëshpëris lehtë,
të të gudulis në faqe,
madje të luaj me atë cullufen
që të ka rënë mbi ballë.
.
Të shoh në atë paqe të thellë
dhe them me vete:
“Nuk duhet ta prish.”
.
Rri ulur
në pragun e mbyllur të syve të tu,
shoh edhe ëndrrën
që po sheh ti.
Dhe në fund iki,
jo e trishtuar,
por e mbushur
me mallin tim.
.
Tani e di…
Unë vij tek ti.
Mjafton të më presësh
çdo natë.
Po…
do të vij përherë.
Ariel Bella