
Nga Jaup Zenuni
Poet, studjues dhe shkrimtar
Poetin e talentuar nga Gramshi im e kam ndjekur dhe e ndjek rregullisht në udhëtimin e tij poetik dhe kam krijuar bindjen se ai është nga poetët më në zë të kohës tonë. Krijimtaria e tij poetike ka një diapazon të gjërë tematik dhe një mjeshtëri artistike që të bëjnë për vete dhe të bëjnë të mendosh dhe ta shijosh. Mbase koha do të më jap mundësi që të ulem të shkruaj më gjërë e më gjatë për penën e këtij poeti mjaft produktiv dhe të talentuar.
Lirika e tij sidomos, është kaq e lirshme dhe kaq e ngrohtë sa të rrëmben emocionalisht dhe të krijon një gjendje sikur je në krahët e dehjes.Poezia “Dashuria… si dashuria” në të cilën po ndalem sot është një ilustrim i kësaj që sapo shpreha. Ajo është një poezi lirike me ton të ngrohtë, të gëzueshëm dhe njëkohësisht meditativ. Ajo e trajton dashurinë jo thjesht si ndjenjë njerëzore, por si një fuqi që i kapërcen kufijtë e arsyes, shikimit dhe kohës.
Në qendër të poezisë është dashuria si një ndjenjë që “sheh” edhe kur është e verbër. Ky paradox shprehet që në vargun e parë:
“Dashuria sheh kur është e verbër,”
Ai përbën edhe boshtin filozofik të poezisë. Autori na sugjeron se dashuria nuk ka nevojë për sytë e arsyes për të ekzistuar; ajo percepton me një tjetër shqisë – me zemrën dhe shpirtin.
Kjo ide përsëritet edhe në fund:
“Dashuria sheh si dashuria,
Sy mos i kërkoni, s’ka ajo.”
Në këtë mënyrë krijohet një rreth kompozicional: poezia nis dhe përfundon me të njëjtin koncept, duke e përforcuar mesazhin që kërkon të përcjellë. Përdorimi i paradoksit “sheh kur është e verbër”është një nga veçoritë më të bukura të poezisë. Kjo ide zgjerohet më tej në vargjet:
“Po të kishte sy e mira ndjenjë,
Male do të ishim, larg e larg,”
Në kuptimin e drejtëpërdrejtë, të parit dhe verbëria përjashtojnë njëri-tjetrin, por në planin poetik ata bashkohen. Dashuria është “e verbër” ndaj pengesave, dallimeve, llogarive dhe arsyetimeve, por pikërisht për këtë ajo sheh më thellë.
Nëpërmjet vargut poeti e sheh dashurinë si forcë bashkuese. Vargu: “Ndryshe s’do të ishin të dy bashkë;” e vendos menjëherë dashurinë në një dimension konkret njerëzor. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një abstraksion poetik, por me dy njerëz që janë bashkë falë kësaj ndjenje. Autori bën kështu një një zgjedhje të goditur, sepse poezia kalon natyrshëm nga ideja filozofike te përvoja intime.
Lirizmi i poetit për dashurinë gërshetohet me natyrën. Në poezi shfaqen disa imazhe të bukura të natyrës:
“Uji lozonjar dhe bari i gjelbër”
dhe:
“Kur këndon hareshëm në lëndina,”
Poeti nuk i përdor detajet e natyrës thjesht si dekor. Ai e kthen atë në pasqyrë e gjendjes shpirtërore.
“Uji lozonjar”, “bari i gjelbër”, “pranvera”, “lëndinat” krijojnë një univers poetik të gjallë, të freskët dhe të ndriçuar. Dashuria lidhet kështu me jetën, ripërtëritjen, gjelbërimin dhe gëzimin.
Nga vargjet më të goditura në këtë poezi janë:
“Se më bën si zogun në pranverë,
Të këndoj, sa frymë të mos kem më.”
Sepse këtu dashuria shndërrohet në energji jetësore dhe krijuese. Poeti ndihet si zogu në pranverë: i lirë, i gjallë, plot këngë.
Por nga ana tjetër shprehja:
“sa frymë të mos kem më”
i jep vargut edhe një intensitet emocional. Dashuria është aq e fuqishme, sa njeriu dëshiron të këndojë deri në kufirin e fundit të frymës. Kjo është një nga pikat ku ndjenja bëhet ekstazë poetike.
Nëpërmjet një pohimi mjaft të thjeshtë dhe të drejtëpërdrejtë autori bën lidhjen midis dashurisë dhe kohës:
“Ajo s’humbi kohës asnjëherë,”
Kështu, dashuria na jepet si një ndjenjë që nuk plaket dhe nuk i nënshtrohet kohës. Për këtë arsye ajo lidhet me përjetësinë.
Vargu përbetues:
“Ndaj unë sot betohem veç për të,”
e bën poezinë më personale dhe më direkte. Dashuria nuk është vetëm objekt vëzhgimi; është një zgjedhje dhe besnikëri shpirtërore.
Sa i përket figuracionit duhet thënë se në gjithë krijimtarinë poetike të këtij poeti ai është relativisht i thjeshtë, por i kuptueshëm dhe të komunikueshëm. Mendoj se ai ndjek këtë rrugë në mënyrë të qëllimshme për ta patur më të lehtë komunikimin me lexuesin. Kështu ndodh edhe në këtë poezi. Përdorimi i paradoksit “sheh kur është e verbër”; i krahasimit “si zogu në pranverë; metaforave “dashuria që “sheh”, “këndon”, “bën urim”; i simbolikës së natyrës “pranvera, bari, uji, lëndinat”; i personifikimit ku dashuria na paraqitet sikur të ishte një qënie njerëzore dhe; i përsëritjes sidomos i dashurisë në fillim dhe në fund flasin jo vetëm për larmi mjetesh figurative por edhe thjeshtësi shprehje.
Gjuha që përdor poeti është e thjeshtë, popullore dhe e drejtpërdrejtë, pa e ngarkuar poezinë me abstraksione të tepërta. Kjo e bën tekstin të afërt me lexuesin.
Në përgjithësi autori në krijimtarinë e tij poetike përdor strukturëm e strofa katër vargëshe me rime A/B/A/B. Edhe kjo poezi është ndërtuar në strofa katërshe dhe ka një organizim të dukshëm rimor. Përsëritja e tingujve dhe e fjalëve, veçanërisht rreth fjalës “dashuria”, i jep asaj një intonacion këngëzor.
Dhe kjo shkom bukur me vetë përmbajtjen, sepse poezia flet për një ndjenjë që në fund “këndon”.
Pra, forma nuk është e shkëputur nga përmbajtja: dashuria që këndohet shprehet edhe përmes një gjuhe që kërkon muzikalitet.
Nëpërmjet kësaj poezie poeti ka dashur të përcjell një mendim të thjeshtë, por të fuqishëm: Dashuria nuk mund të matet vetëm me arsyen.
Ajo mund të duket “e verbër”, por pikërisht kjo verbëri ndaj pengesave e bën të aftë të shohë atë që arsyeja nuk arrin ta shohë. Prandaj autori nuk kërkon prej saj “sy”:
“Sy mos i kërkoni, s’ka ajo.”
Kjo është një lloj filozofie e ndjenjës, e shprehur në mënyrë lirike.
Duke i mbyllur këto shënime mbi këtë poezi dua të them se “Dashuria… si dashuria” është një poezi e ndërtuar mbi një ide të vetme, të qartë dhe të qëndrueshme: dashuria si fuqi që nuk njeh pengesa, nuk plaket nga koha dhe i jep njeriut energji për të jetuar e kënduar.
Vlera e saj kryesore qëndron te sinqeriteti emocional, te paradoksi qendror “sheh–verbër”, te imazhet e natyrës dhe te muzikaliteti i vargut. Poeti nuk përpiqet ta komplikojë dashurinë; përkundrazi, e trajton atë si një të vërtetë të natyrshme dhe të përjetshme.
Nëse do ta përmblidhja me një fjali, do të thosha:
Kjo është një poezi që e sheh dashurinë jo me sytë e arsyes, por me sytë e shpirtit – dhe pikërisht aty qëndron bukuria e saj.
Tiranë, 05.10.2026