Dy episode me Petrit Rukën


Gëzim Llojdia
1.

Në ato vite kur ekrani i vetëm ishte ai i TVSH-së, dhe lajmet për poetët apo artistët shpërndaheshin me pikatore.Dhe ne, studentët, endeshim nëpër faqe gazetash për të gjetur frymëzim. Kështu kishim njohur emra si Petrit Ruka, vargjet e të cilit kishin zënë vend në shpirtin tonë të ri. Por, asokohe, ishte pothuajse e pamundur t’i shihje nga afër këta “poet” të letrave. Imagjinoni pra emocionin tim, një studenti plot ëndrra, kur në redaksinë e gazetës studentore mbërritën ftesat për Festivalin e Filmit Shqiptar. Ishte një portë e hapur drejt një bote, që deri atëherë e kishim vetëm fantazuar.
2.
Kujtoj ende atë natë. Salla e Pallatit të Kulturës, e tejmbushur me njerëz, gumëzhinte nga zëra dhe pritje.Unë dhe shoku im, Viktori, ndjenim ajrin elektrik të festës, duke pritur me padurim njoftimin e fituesve. Qëndronim në këmbë, pranë një dritareje, duke thithur çdo copëz atmosfere. Papritur, pranë nesh u shfaq një grup, dhe mes tyre, me një prani që tërheqte vëmendjen, ishte Petrit Ruka. Jo si poeti i heshtur që kisha imagjinuar, por si një burrë plot jetë, që s’kishte frikë të bënte zhurmë.Pastaj ndodhi. Një kërkesë e thjeshtë për një cigare shndërroi çastin në një anekdotë të paharrueshme. Petriti mori një shkrepse, dhe me një lëvizje të shpejtë e tejet origjinale, hoqi kokat e barutit dhe ia vendosi duhanit të dredhur.Një cigare e “veçantë” për një personazh vërtet të veçantë. Dora zgjati, cigaren e mori, dhe në atë çast, një zhurmë e vogël, shpërthyese, theu për pak sekonda solemnitetin e sallës. Kishte plasur cigarja ! Dhe si për ironi të fatit, pikërisht atëherë nga presidiumi jehoi thirrja: “Po mos bëni zhurmë ju aty!”
Ishte një moment surreal. Ai që mori cigaren u revoltua, por unë dhe Viktori, si gjithë të tjerët rreth nesh, nuk mundëm ta përmbanim një të qeshur të lehtë, që endej si një valë e padukshme në fytyrat e të gjithëve.Petrit Ruka nuk ishte vetëm vargu i thellë, por edhe një shkëndijë humori,një njeri i papritur, që sillte dritë edhe në mënyrat më të pazakonta.Pastaj ai shkoi të merrte cmimin.
3.
Vitet kaluan kur rrugët tona u kryqëzuan sërish, guxova t’ia rrëfeja. Ai buzëqeshi. “Nuk mbaj mend të jemi njohur aso kohe,” tha, “por historia si histori, e mbaj mend shumë mirë.” Dhe pikërisht aty qëndron bukuria e kujtimeve. Ato jetojnë, madje edhe kur protagonistët i kanë harruar detajet e takimit të parë.
Ky episod i parë me Petrit Rukën mbetet një kujtesë e gjallë e asaj kohe, kur mediumet ishin të kufizuara. Por shpirti krijues dhe personalitetet e thellë si ai, gjenin gjithmonë një mënyrë për të lënë gjurmë. Nuk ishte thjesht një takim, ishte një përvojë që hapi sytë e një studenti dhe i tregoi se arti, ashtu si jeta, është plot surpriza.
4.
Disa kohë më vonë, rrjetet sociale u bënë ura lidhëse mes nesh.Dhe duke na sjellë më pranë artistët që admironim. Një pasdite, Petrit Ruka ndau në Facebookun e tij një copëz nga dokumentari që po përgatiste për poetin e madh Ali Asllani. Dhe pikërisht aty,syri im zbuloi diçka të njohur.Një nga fotot e përdorura në dokumentar ishte e njëjta që unë kisha nxjerrë nga gazeta “Drita”, që tregonte kohën kur poeti Ali Asllani u shua. Kjo ishte një lidhje e papritur, një nyje mes kërkimit tim dhe punës sëP. Rukës.Por gëzimi i këtij zbulimi të vogël u zbeh shpejt nga një e vërtetë e hidhur që Petrit Ruka ndau me mua.
-Po fotua juaj është,tha poeti.
“Po, por e di ti që për këtë dokumentar Bashkia e Vlorës nuk pranoi ta financonte?” më tha ai me një dozë zhgënjimi të thellë. Nuk po kuptoja. Si ishte e mundur që një bashki refuzonte të mbështeste një projekt që i kushtohej ish-kryetarit të saj, njëkohësisht një prej poetëve më të mëdhenj të kombit? Kryetari i atëhershëm, D.L, kishte refuzuar të jepte qoftë edhe një “kacidhe” për të nderuar figurën e Ali Asllanit.Kjo më dukej absurde. Bashkia financonte gazetarë për libra apo portale që “s’i ndiqte askush,” apo gazetarë që shkruanin në Facebook, por nuk gjente asnjë fond për ish-kryetarin e vet dhe poetin Ali Asllani? Petrit Ruka ishte tejet i pikëlluar, dhe ky zhgënjim i tij më preku thellë. Ishte një pasqyrë e dhimbshme e mungesës së vlerësimit për trashëgiminë kulturore dhe historike të kombit tonë.
5.
Fatkeqësisht, fati i atij dokumentari mbeti pezull për mua. Pas kësaj bisede, Petrit Ruka u largua.Dhe ai u largua drejt punëve qiellit , duke lënë pas një pikëpyetje të madhe mbi atë projekt kaq të rëndësishëm.Dhe, siç ndodh me shpirtërat e mëdhenj, qielli kishte kohë që e priste, ashtu si pret “të bukurit e tij.”
Largimi i tij la një boshllëk, por edhe një kujtim të fortë të përkushtimit të tij ndaj artit dhe letërsisë, si dhe dhimbjen e tij për mungesën e vlerësimit që shpesh prek artistët dhe trashëgiminë tonë.Kjo histori është një dëshmi e pasionit të Petrit Rukës,por edhe një reflektim mbi vlerësimin ose mungesën e tij , për figurat kombëtare dhe veprat artistike që u kushtohen atyre.A e di ndokush se çfarë ndodhi me atë dokumentar në fund?
Në fund të fundit, fati i atij dokumentari mbeti një pikëpyetje e hidhur, një tjetër dëshmi e shpeshtë e mungesës së vëmendjes për thesarët tanë kulturorë.Petrit Ruka, poeti dhe kineasti i madh, u kthye te punët e tij, me atë dhimbje të heshtur për një punë që mund të kishte qenë një nderim i madh. Ai shkoi, ashtu si shkojnë të gjithë shpirtërat e mëdhenj, drejt asaj amshueshmërie ku qielli i pret ata, që e zbukurojnë këtë tokë.
…Petrit Ruka nuk është më fizikisht mes nesh.Por imazhi i tij, shpirti i tij i lirë dhe i thellë, ajo buzëqeshje e mençur dhe pasioni i tij i papërkulur për artin, mbeten të gdhendura thellë në kujtesën tonë. Ai jeton në vargjet e tij, në filmat e tij, dhe në çdo kujtim si ky i yni, ku ai nuk ishte vetëm poeti i madh, por njeriu i vërtetë, i mbushur me shpirt dhe ndjesi. Ai mbetet në sytë tanë, si një figurë e rrallë, dhe e paharrueshme.
Petrit Ruka- ATDHEU U SHIT, ANKANDI U MBYLL!
Atdheu u shit, ankandi u mbyll,
Të gjithë e dimë, po lajm nuk ka,
Miliona letra me vlerë votimi,
Tani do të bëhen thasë me para…


U vumë në radhë si mijra dele,
Kopen e ujqërve e zgjodhëm sërish,
Dhe shpresën e re në mijra blegërima
E mblodhën ata në vatha partish.

Në vend të zinxhirëve – karta krediti,
Skllevër të lirë, me bukë e makina,
Për ankthin miliona tableta kimike
Nën bluzat firmato, zemra me vrima.


Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur
Ekranet me ngjyra e bëjmë limonadë,
Të dyja palët numurojmë çdo mbrëmje
Ne parainfarktet, dhe ata… paratë.


Atdheu u shit, ankandi mbaroi,
Këtej rrjedh vreri, andej veç gaz,
I huaj po ndjehem çdo orë, këtu,
Po s’kam më fuqi, as për maraz.

Unë kam fuqi veç për këtë këngë,
Me të cilën ata do qeshin me lot,
Do thonë; “..po ky si s’vuri pak mend
Poet i mirë, po mbeti idiot…”