
Në stacione
U zhdukën prej sysh treni dhe duart,
fjala mirupafshim mbet aty,
heshtja u rëndua
e ra mbi mua,
dy hije prap qëndronin,
kujtimet që na shoqëronin
u mbyllën në arkë me dry.
Ti u largove me shpejtësinë e zërit,
dhe zëri e kaloi orbitën,
në stacione të tjera është tani,
duke të pritur…
Në stacione të tjera zbres me mend,
pres e përcjell trena,
sirena,
që më kujtojnë çastin e mbërritjes,
diellin e pasdites,
dhe ndryshoj vend.
Ti ik me shpejtësinë e zërit
përnjimend,
unë të pres
se po vjen me shpejtësinë e dritës,
në hijen e zërit tënd.
Ta kam çue nji fjalë…
Të kam çue nji fjalë e s’u banë dy,
po çfarë mund të shprehet me nji fjalë të vetme,
si do ta kuptoje ti,
si mesazh a si nji përshëndetje,
s’munda ta di.
Prita gjithë ditëve e të gjithë netëve,
fjala me u kthye,
në heshtje u ktheve ti!
Kërkova heshtjes t’i jap za,
por s’e kuptova çfarë më tha.
Kanë thanë se heshtja asht flori,
kur flasin sytë,
s’kisha pse ta çoja nji fjalë të dytë.
Heshtja e thotë çfarë flet kushdo,
dhe çfarë mendon ajo.