Ende nuk e kam shkruar poezinë e së dielës-Ethem Cipi

Ethem Cipi

Ende nuk e kam shkruar poezinë e së dielës
E pres të vijë,
Ajo zgjohet vonë,
E ndonëse ka fjetur tërë natën me mendimin,
se nesër është e diel,
Prapë se prapë shtriqet në anën tjetër,
Bën sikur fle,
Më prit sikur thotë,
Sa të çuditshme janë femrat,
Të çmendin me mospraninë,
Sa shumë vonojnë,
Janë budallenj djemtë që i presin,
E ndonëse të bukura nga natyra,
bëjnë çmos të retushojnë ditën,
Të na dehin,
Të na ndjellin,
Të na bëjnë për vete,
Të harrojmë se pritjet,
Në fund të fundit kanë ardhur,
nga dashuria.