Olimbi Dafa

Për;HESHTJET QË FLASIN
Heshtja nuk është zbrazëti, por vendi ku lind fjala.
Pas përmbledhjeve poetike “Erërat e Kohës” dhe “Ajri është më i lehtë”, autori Enver D. Halili vjen para lexuesit me librin e tij të tretë poetik “Heshtjet që flasin”, një vepër që vazhdon dhe thellon udhëtimin e tij krijues në botën e fjalës artistike.
Në poezinë e Enver Halilit ndihet qartë një ndjeshmëri e hollë shpirtërore dhe një vëzhgim i kujdesshëm i realitetit njerëzor. Ai i afrohet jetës me syrin e poetit dhe e shndërron përvojën e përditshme në varg, duke krijuar një komunikim të sinqertë me lexuesin.
Në këtë përmbledhje fjala poetike merr një dimension të veçantë: heshtja nuk është mungesë zëri, por një gjuhë e thellë e shpirtit që flet përmes ndjenjës, kujtesës dhe përjetimit.
Siç shprehet William Shakespeare:
“Ne jemi materiali nga i cili ndërtohen ëndrrat.” Kjo frymë ndihet edhe në vargjet e poetit, veçanërisht në poezinë “Kosovë mos harro”, ku shfaqet krenaria dhe qëndresa e një populli.
Në këto vargje autori na tregon heshtjen e Kosovës, një heshtje që u kthye në qëndresë.
Një heshtje e rënduar nga pesha e historisë dhe nga ëndrrat e ndërprera të fëmijëve, që u detyruan të piqen para kohe nga vuajtjet e përjetuara.
Në poezinë “Hija e ditëve”, autori jep me ndjeshmëri të veçantë valëzimin e kujtimeve dhe të ëndrrave të humbura. Ato bien si gjethe pa zhurmë, duke sjellë një ndjenjë trishtimi dhe reflektimi. Poeti shpreh mungesën e buzëqeshjes, të dashurisë dhe të mirësisë, virtyte që duhet të karakterizojnë njeriun.
“Jemi si mysafirë në vendin tonë”, thotë poeti me dhimbje.
Ai depërton thellë në psikologjinë njerëzore dhe tregon se njerëzve u mungon ngrohtësia, përqafimi dhe buzëqeshja e sinqertë.
Në shumë vende sundon heshtja dhe hijet e së kaluarës, sepse mungojnë njerëzit që dikur mbushnin jetën me zëra, dasma dhe gëzim.
Përfundimi i poezisë vjen me një reflektim të fuqishëm:
“Koha po vdes ngadalë brenda nesh
dhe ne presim gjethet e rëna
të bien mbi tokën e heshtur.”
Këto vargje përmbledhin gjithë shqetësimin e poetit për humbjen e traditave dhe të vlerave njerëzore.
Poezia për Enver Halilin është pasion. Vargjet që dalin nga bota e tij e brendshme janë të ndjera, energjike dhe plot dritë shpirtërore.
Poezia e tij ndërton një hapësirë reflektimi ku ndërthuren përjetimet personale me temat universale të jetës: dashuria për atdheun, dinjiteti njerëzor dhe përballja me padrejtësitë e shoqërisë.
Autori jo vetëm përshkruan realitetin, por edhe e sfidon atë, duke ngritur zërin kundër hipokrizisë, mosmirënjohjes dhe mungesës së humanizmit.
Në poezitë me temë atdhetare ndihen mendime të thella dhe një thirrje e sinqertë për dashuri ndaj vendit.
Në vargjet që trajtojnë luftën e Kosovës, poeti sjell emocione të forta dhe kujtime që drithërojnë.
Fjalët e tij kanë peshë, ndjejnë, frymojnë dhe shpërthejnë me ngjyrat e shpirtit poetik.
Ato ngrihen me forcë për të dëshmuar vuajtjet dhe heroizmin e një populli që luftoi për liri.
Një tjetër poezi e ndjerë është ajo që trajton temën e emigracionit, një plagë ende e hapur. Në poezinë “Populli u shpërnda nëpër botë”, autori përshkruan dhimbjen e largimit nga atdheu dhe shpresën për një jetë më të mirë.
Malli për atdheun mbeti i gjallë në shpirtin e tyre dhe kujtimi i rrënjëve të tyre
Poezitë e Enver Halilit janë të ndjera, ekspresive dhe të sinqerta. Ato mbartin një ritëm të brendshëm emocional dhe një forcë mendimi që e fton lexuesin të ndalet dhe të reflektojë.
Në poezitë kushtuar vendlindjes ndihet një dashuri e thellë dhe e sinqertë. Poeti thith aromën, shpirtin dhe traditat e vendit ku ka rrënjët. Ai e sheh vendlindjen jo thjesht si një vend gjeografik, por si gjuhën e shpirtit dhe burimin e identitetit të tij.
Natyra, gjuha e pastër, mikpritja dhe historia e vendit shfaqen në vargjet e tij me një ndjenjë krenarie. Ato male që kanë parë sakrifica dhe gjak të derdhur mbeten dëshmitarë të historisë së popullit.
Në këtë drejtim, vargjet e tij mbajnë një frymë të ngrohtë lirike që të kujton traditën e poezisë sonë kombëtare, ku dashuria për vendin dhe njeriun ngrihet në art.
Çdo përpjekje krijuese e autorit është një hap drejt realizimit të ëndrrave të tij artistike.
Pena e tij është një vëzhguese e kujdesshme e jetës dhe e problemeve shoqërore.
Ajo ndërthur mendimet me ndjenjat dhe krijon një sintezë të pasur emocionesh.
Poeti depërton në shpirtin njerëzor dhe shpreh përmes vargut dilemën, dhimbjen dhe shpresën e kohës sonë. Në poezitë për Kosovën ai ngre zërin për të mos harruar historinë dhe sakrificat që kanë formuar identitetin tonë.
“Heshtjet që flasin” është një dëshmi e pjekurisë krijuese të autorit.
Në këtë libër vargu i tij rrjedh natyrshëm dhe me sinqeritet, duke ruajtur ndjeshmërinë dhe dashurinë për artin e fjalës.
Gjuha e tij është e qartë, e pasur me figura poetike dhe metafora të ndjera. Kjo përmbledhje fton lexuesin të dëgjojë atë që shpesh mbetet e pathënë – heshtjen që, në poezinë e vërtetë, gjithmonë di të flasë.
Ky libër është një dhuratë e bukur për lexuesin. Arti i vargut këtu pulson, ndriçon dhe mbetet i gjallë në mendje. Është një vepër që do të lexohet me dashuri, sepse mbart vlera dhe mesazhe që kalojnë nga brezi në brez.
