Gjashtë firma mbi litar- Nga Bajame Hoxha-Çeliku

 Nga Bajame Hoxha-Çeliku



Poeti që nuk u përkul

(Cikël për Havzi Nelën)

Nëntëmbëdhjetë vjet,
jo ditë, jo muaj,
por nëntëmbëdhjetë dimra mbi shpirt,
nëntëmbëdhjetë pranvera pa liri,
nëntëmbëdhjetë herë qielli
i parë pas hekurave.

Sa gjatë mund të mbahet një njeri
larg dritës
veç pse tha të vërtetën?

Ata të deshën të përkulur, Havzi,
me kokën ulur
si degë e thyer nga stuhia.
Të deshën pa zë,
pa varg,
pa kujtesë.

Por ti,
edhe kur nata të rëndonte mbi kraharor,
mbaje një Shqipëri të tërë në zemër,
jo atë të frikës,
por të lirisë që ende s’kishte lindur.


Nëntëmbëdhjetë vjet!
Nëntëmbëdhjetë herë munduan të të vrisnin ngadalë:
me vetmi,
me uri,
me poshtërim,
me ferrin e heshtjes.


Por ka njerëz
që sa më shumë i godet padrejtësia,
aq më shumë bëhen mal.


Dhe ti u bëre mal, Havzi.
Mal që s’u përkul.
Në qeli,
kur nata të rrinte mbi supe si gur varri,
ti bisedoje me poezinë,
si me një mike besnike
që nuk të tradhtoi kurrë.
Ata kishin pushtetin.
Ti kishe të vërtetën.


Ata kishin hekurat.
Ti kishe fjalën.


Ata kishin frikën.
Ti kishe ndërgjegjen.

E kur një regjim
fillon t’i trembet një poeti,
do të thotë
se fundi i tij ka nisur.


Ti nuk u përkule.
As kur plagët digjnin.
As kur vitet të rëndonin mbi supe.
As kur të lanë vetëm
me errësirën dhe mallin.


Sepse kishte diçka
që nuk mund ta burgosnin:
dinjitetin.


Dhe një poet me dinjitet
është më i fortë
se një diktaturë e tërë.
 
 
 
AGIMI I VARJES

(Cikël për Havzi Nelën)

Ishte një agim që nuk ngjante me agimet
Qielli rrinte i heshtur,
si të kishte marrë zi para njerëzve.
Ajri dridhej pa zë,
si një nënë që e di
se po i marrin djalin për vdekje.

Nuk po çonin drejt litarit një kriminel.
Jo.
Po çonin një mësues.
Një poet.
Një njeri që kishte dashur lirinë
më shumë se frikën.


Nëntëmbëdhjetë vjet
ia kishin rënduar trupin,
por jo shpirtin.
Ia kishin lodhur duart,
por jo fjalën.

Dhe ata prapë kishin frikë.
Frikë nga një poet!
Frikë nga një njeri i pambrojtur,
që s’kishte tjetër armë
veç së vërtetës.

Në mëngjesin e ftohtë të atij gushti,
hapat e rëndë të pushtetit
u dëgjuan si kambanë morti.
Një urdhër i firmosur,
një jetë e dorëzuar në duart e mizorisë,
një shtet që mendoi
se mund të vriste një zë.

Por si vritet poeti?

A vritet fjala
kur goja hesht?


A vritet e vërteta
kur litarin e shtrëngojnë duar të verbra?

Ti ecje drejt fundit, Havzi,
por jo i mundur.
Jo i përkulur.
Jo i thyer.
Mbi supet e tua
rrinte një Shqipëri e plagosur,
ajo Shqipëri që një ditë
do të turpërohej nga heshtja e vet.

Dhe litari u tund.
Por jo fjala.
Trupi mund të bjerë,
por jo ndërgjegjja.
Ata menduan:
“Poeti mbaroi.”
Historia tha:
“Jo.
Tani fillon.”

Sepse martirët
nuk jetojnë më në tokë,
ata bëhen zë në ndërgjegjen e kombeve.

E ti, Havzi,
mbete aty,
mes qiellit dhe tokës,
si një akuzë e heshtur
kundër një kohe pa shpirt.


Dhe ende sot,
kur padrejtësia ngrihet në këmbë,
hija jote pyet:
“A mësuat gjë nga litari im?”
 
 
GJASHTË FIRMA MBI LITAR

(Cikël për Havzi Nelën)

Nuk e vrau vetëm litari poetin.
Jo.
Litari veç priti urdhrin
nga duar që dridheshin pas tavolinave,
nga bojë që u bë më e zezë se nata,
nga gjashtë firma
mbi një copë vdekjeje.

Gjashtë firma!
Gjashtë duar njerëzish
mbi fatin e një poeti,
si të ishte e lehtë
të vulosësh frymën e dikujt,
si të ishte një letër pa shpirt,
një numër,
një emër për t’u zhdukur.

Po a e dëgjuan vallë
kërcitjen e ndërgjegjes
kur lapsi preku letrën?

A iu drodh dora?
A iu err syri?
A u ngrit ndonjë zë në shpirt
që t’u thoshte:

“Mos!
Po varni një poet!”



Apo pushteti
ua kishte tharë gjakun e mëshirës?

Nuk ishte vetëm një trup
që e çonin drejt litarit.
Ishte fjala shqipe.
Ishte guximi.
Ishte mësuesi
që u mësoi brezave
ta donin të vërtetën.

Dhe ju firmosët.

Njëri pas tjetrit.
Si të firmosnit mbi heshtjen,
si të mund ta mbysnit dritën
me vulë e urdhër.

Por harruat një gjë:

Poeti nuk vdes
kur e varin.

Poeti lind për herë të dytë.

Sepse litari
nuk e mbyt kujtesën.
Nuk e shuan të vërtetën.
Nuk e vret emrin
kur ai bëhet ndërgjegje e një kombi.
Sot koha ka kaluar,
letrat janë zverdhur,
zyrat janë plakur,
firmat janë tretur në pluhur.

Por një pyetje
ende rri varur mbi histori:

Si fle ndërgjegjja
kur firmos vdekjen e një poeti?


Dhe një pyetje tjetër,
më e rëndë se guri i varrit:

Kush kërkoi falje?

Sepse kombet shërohen
kur e vërteta flet,
jo kur heshtja
dekoron kujtesën.

E Havziu?…

Ai s’ka nevojë për mëshirë.
Ai tashmë rri
në vendin ku shkojnë poetët martirë,
atje ku litari s’arrin dot,
e ku fjala bëhet dritë.
 
 
 
 
ULËRIMA E LAVDIES
(Cikël për Havzi Nelën)


Pas demokracisë

Të nesërmen…
një zë gruaje
çau qiellin mbi ty.

Sikur të ishin këmbët e tua ende të varura
ajo ulëriti pikërisht tek ai vend:
“Havzi!”

Jo si zë,
si plagë.
Si tokë që çahet nga dhimbja.

 
Ishte Lavdie Nela,
gruaja jote,
ajo që mbarti në shpirt
nëntëmbëdhjetë vjet pritje,
frikë, ankth e mall,
Duke harruar vitet e saj të burgut,
Të internimit.
 
Gjashtë firma
ta morën jetën.

Gjashtë plumba ranë më parë,
jo mbi trupin tënd,
por nga duart e vrastarëve të lirisë,
atyre që deshën të ta shuanin zërin,
zërin tënd të fortë,
zërin e së vërtetës.

Por si vritet një poet?
Ti, Havzi,
nuk je veç hero,
je mit.
Je fjala që nuk u var.
E Lavdia…

Ende sot
më duket sikur dëgjoj
ulërimat e saj
te këmbët e tua të varura:


“Ma vratë burrin…
por jo zërin e tij!”

 
 


I NDANË – POR S’I SHUAN

(Cikël për Havzi dhe Lavdie Nelën)

Ishin të rinj.
Të bukur si mëngjesi
kur drita lind pa frikë.
Dy sy që flisnin pa fjalë.
Dy zemra që njiheshin
para se koha t’i plagoste.

Havzi Nela dhe Lavdie Nela,
dy emra,
një shpirt.

Shkëlqenin si dritë agimi,
me mençuri në mendje,
me zjarr në zemër,
me atë dashuri të rrallë
që nuk kërkon strehë,
veç të vërtetën.

Ata nuk ecnin,
ndriçonin.
Ai me fjalën e drejtë,
ajo me shpirtin që dinte të qëndronte.
Të fortë në karakter,
me dinjitet që nuk blihej,
me sy që nuk uleshin
para padrejtësisë.

Por diktatura
urreu gjithmonë dashuritë e mëdha.

Sepse dashuria e vërtetë
nuk nënshtrohet.


Dhe erdhi me çizme,
me hekura,
me urdhra,
me net pa mëshirë.


Ia vodhi rininë.
Ua copëtoi ditët.
Ua shtriu mallin
si dënim mbi vite.

Nëntëmbëdhjetë vjet!

Nëntëmbëdhjetë vjet
duke u dashur larg,
duke u mbajtur gjallë
me kujtim,
me emër,
me besim.
Në fillim
ai në ferrin e burgut,
ajo në ferrin e burgut.
Pas ca vitesh:
Ajo në ferrin e pritjes
e syrgjynosur në kampet e frikës.
Por kishte diçka
që diktatura s’e kuptoi kurrë:
Dashuritë e mëdha
nuk i ndan as hekuri.
Jo.
Ato digjen më fort.

Në netët pa gjumë,
kur errësira ulej mbi botë,
Lavdia e mbante Havziun në zemër
si dritë të fshehtë.

E ai, mes qelive,
e thërriste në heshtje,
siç thirret jeta
kur njeriu po mbytet.
 
Ata deshën t’i ndanin.
Po si ndahet një shpirt
nga gjysma e vet?
Si burgoset dashuria?
Si varet në litar
një zemër që rreh në dy trupa?
Jo.
Ata nuk i ndanë.
Veç i plagosën.
Sepse ka dashuri
që bëhen më të forta se vdekja.


Dhe Havziu me Lavdien
janë prej atyre dashurive
që diktatura i përndoqi,
por nuk i mposhti.

Ata mbetën dritë.
Dritë agimi.
Dritë dinjiteti.
Dritë që ende sot
na mëson
si dashurohet
pa u përkulur.