Gjuhë dhe sol-Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

          GJUHË DHE SOL
    (maj plot skica poetike)
 
1.                                                                                                        
Kjo jetë –
vreshtë 
përtëritëse 
i përflak buzët                          
l’pin buzët…mos 
t’i digjen.
 
Këtu çel, çel’ fshehtë diku               
krah përkrah jetët nisen                        
më të fisme                                             
me tjetër                                              
gjuhë.
 
Kjo jetë … pak përtëritëse …
 
2.
 
Gjithi thinjur, pa eshkë në gjak…
me shputë nuk shkel 
milingonë
as flutur
i shoh 
i mbaj në gishtat
me rremba 
 
cikmat pas.
 
Pa eshkë në gjak
pa thinjur i gjithi
unë, jo unë
por maji
dhe 
Krishti…
 
3.
 
Gjithçka ngazëllehet 
përhera gjithmonë
dallga kthjellohet 
visesh gjithkund,
 
(mërzia vyshket…)
 
çdo aromë
mes nesh 
çel frut.
 
Thellë kurmeve të rinj 
mbijnë farëra të tjera 
qiej të nartë trishtë,
 
(vjeshta mbyll sytë …)
 
për ngricat
therrma
mërzia e re
nuk ka gisht.
 
4.
 
Shuajtëm ç’kemi dashur
përvëlojmë ngeshëm,
Drita kthjellon botë
bota ndryn
kujtesën.
 
Këmbësor tej muzgu
ngjit kodër përrallë,
Dashnia dhe bota
shkundur njiheri
ciflos kërcinjtë 
asnjiher’ 
vyshk 
ballë…
 
…bota plot troje…ti ç’truall ngjall ?
 
5.
 
Gazmendi yt, heraz, sonte                    
fërgëllohet syzgjuar pas 
krahëve, tinëz nga i yti, …
 
nën kupolën qiellore                                 
yjet e regëtimave
pulset njeritjetrit 
ndjellin…dihasin
përtërihen bote
dashnive tjera
pafundmi.
 
5.
 
E ftohtë mbrëmja
shumë e ftohtë
si pa vena 
kurorë
gjoks.
 
Ngrohtë do qeshim
agmimit tjetër
nëse 
nuk zgjohemi
rrejshëm botë
borëbotë shigjetë…
 
E ftohtë mbrëmja, e ftohtë,
hiri memec … atbotë…
 
6.
 
Çelët për t’u ngritur
rrëzuar po çelët,
nata për të ikur 
mbath erën…
 
Pas k’saj ere 
Ti ikën
mbërrin 
tek botë e të tjerëve
gjeth afër, tej gjethurimë…
 
Herët ngritur, rrëzuar çelët…
 
7.
 
Përherë aq e dëlirë                               
renë e kthen 
në vetull,
thëngjilli në ka ngrirë
tymi fle mekur.
 
Asnjë fjongo tymi
heshtja vetëm
hesht,
përherë e papirë
pirë vreshtë – vreshtë.
 
Endesh duke endur 
renë e kthen në shtjegull …
 
8.
 
Si me dal prej psherëtime
të ernave bredharake
plot sy vetëtime?
 
Mandej… mbasi t’kena dal
kë do përqafim dritëz
kë do ndezim 
mangall?
 
Me u end pëshpëritjeve …
 
9.
 
Prej afrie…përplasemi tutje
shohim çka s’shohin sytë,
heshtja mërmërit 
lutjet
 
drita shkon vjen plumb.
 
Asnjë eshtër nuk plagoset
asnjë cifël teh nuk ngjall,
shohim çka 
nuk shohin 
motet
shpejt 
më shpejt 
më ngadalë.
 
Drita vdes … vdes gjallë…
 
10.
 
Përtëritja njëherë s’ngutet
t’i gjethnojë pëllëmbët 
buzët t’i gazmoj 
afërith’ tutje
xixa – xixa
ëndërrt.
 
Vreshtat tek kërcejnë
të pikojnë musht,
dimri vet ngutet
borën mbyll
në grusht.
 
Gjethnojnë pëllëmbët,
buzët xixa – xixa
ëndërrt …
 
10.
 
Me qenë dreqi i dreqnive
s’do jetoja buzë 
karajfilave
karajfilave 
rreth brezit tënd 
kur afrohem dhe s’gjej vënd.
 
Me qenë dreq me hovje mend…
 
11.
 
Shkunden llohërat
shkundin kërcinjtë, 
nga supet u bien 
borëra lodhurat
vite pa parë 
njëherë 
ndoshta 
vite njëqind.
 
Sikur njëqind vjete të rroknim
secili veç me kryet plot gaz
patjetër do qesëndisnim
por
s’do e mallkonim
vitin gënjeshtër 
taksë…
 
12
 
Shtrëngata përsillet verë
verë me tufa rrezesh
dhe shira n’për terr.
 
Paska ardhur nata … 
vera s’paska gaz,
çart plasa-plasa. 
 
Çart’ terra…plot gaca…
 
13.
 
Vera lutje 
lutjet plot trille
trillet me buzët zambakë,
 
Zambakët më s’kthehen
kthehen premtimet
përcolla një verë
 
jetoka … në gjak ?
 
14.
 
Qirinjtë përhera ndizen vet’
t’i fryjmë … nuk fiken
xixojnë vetullat
më përpjetë.
 
Janë a s’janë qirinj?
Në kishë përtëritje
mes nesh
hirnosje 
himn…
 
15.
 
Asgjë gjatë s’vajtohet 
se të merr frymën,
vet vajtimi 
rreket
cak,
 
Zgjimin gëzojnë
sythet e brymës
 
harresa than
pellgje 
s’njeh hartë…
 
16.
 
Dashuria ç’të dojë
e ndjell shpejt :
regëtimat,
mjegullat, 
rrezet,
 
të jetë kjo e vërtetë 
e vërtetë gënjeshtre?
 
17.
 
Verojmë përkrah, 
më shumë dim’rojmë…
 
një krismë endet 
të qëllojë gjahun
 
në ç’gjah 
jemi plagosur
por gjak s’kullojmë?
 
18.
 
Gjashtëmbëdhjetë maji 
nuk kthehet më prapë 
me flatrat 
violinë
penel
vlagë. 
 
Oh, maji përhera
kthehet 
gjashtëmbëdhjetë
në viset e veta
pigment…
 
19.
 
Mbrëmja të fsheh 
ti të mos dukesh,
buzët e qirinjve
treten deh
 
nuk bien
mbëdhe
puthen.
 
S’lutem për asgjë, as fal …
prej gurgullimave puthje
në shtegun ku ujqërit 
ende janë 
gjallë …
 
20.
 
Parajsa sa xhveshi bluzën
bluzën me gjethe
jetëshkurtër.
 
Parajsa jetëgjatë 
harlis 
hare peme
trupin
trupin tënd
hovje
jo çast.
 
21.
 
Përtej fiken fenerët e erës
petkat e saj treten në maj
më tepër lotojnë 
sytë e verbër
 
malli pi çaj.
 
Çaj i mallit ngroh gjithë grykët
afër dhe tutje, tutje përtej
fenerët e erës bëjnë 
rrugë të shkurtër
fiken nga buzët
lenë shenjë.
 
22.
 
Zemërimi yt aq i begatë 
therrmë e butë
acartë.
 
Mos u gëzoftë ngratë .!..
 
23 
 
Çdo grackë përreth teje
jeton mendjelehtë
e verbër, 
 
plot sy e veshë 
dalldie
 
si poetët ..
 
24.
 
Zonjë, tash, plot muzgje,
dikur zgjoi i bletëve
dikur puhizë 
fluturave.
 
Zonjë njitash …
plot lugje
rrëpira
hone
 
honeve lë dimrin pas…
 
25.
 
Shpresa vdes më e para, 
shpëtimtari vdes i fundit,
ka të ngjarë : ngjarja
të ketë ndodhur
përgjumthi.
 
I pari shpëtimtari vdes
prehje pas i vjen shpresa,
ndonjëherë 
e rrëmujshme
përmbytje e qetë
edhe me të qeshura…