Dhurata Ndoni-Cela

Gjysmëzës sime të largët i shkruaj:
Stuhi mbaj në pëllëmbë,
një shtëpi pa çati,
një zog që nuk e di ku e ka
verën,
një shkumës të thyer,
një ditar,
një hap të trembur,
dridhjet e buzës që nuk flet…
Me syrin te drita,
shpresën qepallë.
Gjysmëzës sime të largët
i shkruaj,
me zemër të dridhur si zogu
i dimrit, mbi fletë:
-Unë nuk jam ajo që dukem.
Jam heshtja pas fjalës së thënë,
jam qetësia që kërkon qetësi.
Në qetësinë time fshihet
një stuhi.
Jam toka e etur pas shiut.
Jam gjysma që gjysmën kërkon;
në pasqyrë,
në ëndërr,
në ikje…
Jam varkë në një det pa brengë.
Kthehem te bregu,
te gjysma që më mban peng.