Gruaja që u vlerësua si “Musine Kokalari e Vlorës”-Nga Gëzim Llojdia

1.

Ikja e shkrimtares Vilhelma Vranari Haxhiraj është një humbje e rëndë për letrat shqipe, një boshllëk që vështirë se mund të plotësohet.

Në portretin e kësaj mjeshtre të madhe të penës dallohen qartazi tri cilësi thelbësore: një grua e paepur me vullnet të çeliktë, një grua e ndjeshme dhe e përkushtuar ndaj çështjeve të lëvizjes feministe, si dhe një krijuese që me pasion ndërtoi udhën e saj letrare, duke ecur përpara mbi themelet që kishin shtruar më parë burrat e këtij vendi. Ajo nuk u mjaftua me ndjekjen e traditës, por e sfidoi atë, duke sjellë një zë të veçantë dhe të guximshëm në letërsinë shqipe.

Figura e saj i përshtatet edhe reflektimeve të Osho, i cili theksonte se historia e njerëzimit shpesh ka qenë histori e nënvlerësimit të gruas. Në këtë kontekst, Vilhelma Vranari Haxhiraj shfaqet si një kundërpeshë e fortë ndaj kësaj padrejtësie historike, duke dëshmuar se gruaja jo vetëm që meriton respekt, por është edhe një forcë krijuese e pazëvendësueshme në kulturë dhe shoqëri.

Për këtë arsye, ajo është cilësuar me të drejtë si “Musine Kokalari e Vlorës”, një krahasim që nuk lidhet vetëm me prejardhjen apo gjininë, por mbi të gjitha me guximin intelektual, ndershmërinë artistike dhe përkushtimin ndaj së vërtetës.

2.

Nëse gratë, në jetën e tyre të përditshme, shfaqen si qenie tolerante, nëna të dhembshura dhe mbështetëse të familjes, ato njëkohësisht dëshmojnë se janë të afta të konkurrojnë denjësisht me burrat në çdo fushë të jetës. Siç shprehet Osho, gratë qëndrojnë shpesh jashtë logjikës së dhunës dhe shkatërrimit; ato janë bartëse të jetës dhe jo të vdekjes. Po të kishin pasur më shumë hapësirë për të zhvilluar talentet e tyre, bota do të ishte padyshim më e bukur dhe më e drejtë.

Ardhja e një talenti të vërtetë nuk ndodh rastësisht; ai shfaqet që herët, në mjegullinat e formimit të personalitetit. Rrugëtimi i gjatë dhe i lodhshëm i Vilhelma Vranari Haxhiraj është dëshmi e kësaj të vërtete. Për të arritur në majat e krijimtarisë së saj, asaj i janë dashur vite të tëra përpjekjesh, sakrificash dhe përkushtimi të palodhur. Vetëm një krijues e kupton thellësisht çfarë do të thotë të krijosh: një proces ku energjia shpirtërore shndërrohet në vepër, ku netët dhe ditët e punës marrin formë në një fryt që mbetet. Sepse, edhe pse krijuesi një ditë largohet nga kjo botë, krijimi i tij jeton përtej kohës.

Mjeshtrja e penës ka ditur të përthithë nga jeta përreth saj gjithçka thelbësore, duke e shndërruar në art. Me rreth 30 libra të botuar, ajo ka lënë pas mijëra faqe që dëshmojnë për një shpirt të pasur dhe një mendje krijuese të jashtëzakonshme. Botimi i saj i fundit, i mbështetur në realitetin shqiptar dhe në kronikat e jetës, plotëson një boshllëk të ndjeshëm në pasqyrimin e historisë sonë shoqërore.

Për kontributin e saj të vyer, ajo është vlerësuar me çmime dhe tituj të shumtë nga institucione të ndryshme, përfshirë Bashkinë e Vlorës dhe instanca të larta shtetërore. Studiues të ndryshëm e kanë cilësuar madje si “Petro Marko me fustan”, duke nënvizuar forcën e saj krijuese dhe guximin artistik, si dhe si “Musine Kokalari e Vlorës”, një vlerësim që e vendos atë në një traditë të lartë letrare dhe intelektuale.

Energjia krijuese e kësaj autoreje mbetet e rrallë dhe befasuese. Brenda një periudhe prej 15 vitesh, ajo ka botuar mbi 30 vepra, duke lëvruar pothuajse të gjitha gjinitë e letërsisë shqipe. Ajo është një figurë që meriton jo vetëm vëmendje, por edhe studim të thelluar, sidomos për kontributin e saj në trajtimin e figurës së gruas. Mbi 80% e krijimtarisë së saj i kushtohet gruas shqiptare në periudha të ndryshme historike: që nga kohët e hershme, te periudhat e luftës, sistemi zogist, ai socialist dhe deri në realitetin demokratik.

Nëpërmjet kësaj krijimtarie, ajo përpiqet të ndriçojë rrugën e gruas, idetë dhe personalitetin e saj, duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes shoqërore dhe kulturore. Energjia e saj krijuese nuk është vetëm e pashtershme, por edhe e pashkatërrueshme. Ajo ngjan me një dritë që depërton në skutat më të errëta të realitetit, duke i shndërruar ato në vlera të çmuara, ku edhe gurët më të zinj fillojnë të shkëlqejnë si diamantë.

3.

E përsekutuar nga regjimi komunist, Vilhelma Vranari Haxhiraj u përball me vështirësi të mëdha në rrugën e saj drejt arsimit dhe formimit intelektual. Pas shumë peripecish, ajo arriti të diplomohej për Histori-Gjeografi në vitin 1975, por iu mohua e drejta për të ushtruar profesionin e mësueses. Vetëm me ardhjen e demokracisë në vitin 1991, ajo mundi të realizonte këtë të drejtë, duke hyrë në rrugën e mësimdhënies dhe njëkohësisht duke çliruar krijimtarinë e saj të mbajtur të ndrydhur për vite me radhë.

Në moshën 52-vjeçare botoi librin e saj të parë, duke dëshmuar se talenti i vërtetë nuk njeh vonesë, por vetëm momentin e duhur për të shpërthyer.

Në Panairi i Librit të nëntorit 2005, ajo u vlerësua nga ministri i kultures Bujar Leskaj me fjalët: “Nëse Gjirokastra ka Musine Kokalarin, qyteti ynë ka bijën e vet, Vilhelmen”, duke u cilësuar pa hezitim si “Musine Kokalari e Vlorës”.

Me veprën e saj letrare, autorja solli një origjinalitet të spikatur në stil, në ndërtimin e frazës dhe në përdorimin e gjuhës, duke arritur të shndërrojë në letërsi vuajtjen e një kombi të tërë nën diktaturë. Krijimtaria e saj merr përmasat e një drame universale, ku përmes fjalës artistike ajo rikthen dhe rindërton shpirtin e lënduar të individit dhe të kombit.

Që nga viti 1996 dhe deri në ditët e fundit të jetës, ajo iu përkushtua pa ndërprerje letërsisë artistike, publicistikës, eseistikës dhe studimeve në fushën e historisë dhe filozofisë. Trashëgimia e saj përbëhet nga një korpus prej rreth 65 veprash, që përfshijnë të gjitha gjinitë letrare: poezi, prozë, letërsi për fëmijë, studime dhe libra eseistikë, përfshirë edhe publicistikën.

E vlerësuar me mbi 33 çmime prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare, krijimtaria e saj është përfshirë në 18 antologji në vende të ndryshme të botës. Ajo ishte një shkrimtare me produktivitet të jashtëzakonshëm dhe me cilësi të lartë artistike, e cila nuk e lëshoi penën deri në çastet e fundit të jetës.

Vlerësimi për të nuk mbeti i kufizuar vetëm në qytetin e lindjes, Vlorë, por u shtri në mbarë hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Vepra e saj është promovuar në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe në vende të tjera, ku ajo ka marrë edhe çmime ndërkombëtare. Ndër vlerësimet më të larta që ka marrë, spikat dekorimi nga Presidenti i Republikës në 100-vjetorin e Pavarësisë Kombëtare (2012) me titullin “Mjeshtre e Madhe” dhe “Medalje Ari”.

Gjithashtu, Senati i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork i akordoi titullin “Akademike” me të drejta të plota në vitin 2018. Në vitin 2020, ajo u shpall “Ikonë e Letërsisë Botërore” nga Akademia Indiane e Shkencave, Letërsisë dhe Arteve, ndërsa në vitin 2023 u nderua me titullin “Nderi i Kombit” nga Unioni i Shqiptarëve të Bukureshtit.

Mes çmimeve të saj ndërkombëtare përmenden edhe “Kurora e Artë e Çmimit Ndërkombëtar ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’” (Torino, 2009) dhe “Pena e Kristaltë” (Suedi, 2014). Një arritje e veçantë mbetet edhe fakti se ajo ishte e vetmja shqiptare ndër 205 fituesit e çmimit të parë në antologjinë poetike “Premio Internazionale di Poesia” (2010–2012), në Firence.

4.

Vëllimi me titull “Pa Koment, libri i dytë me ese-publicistikë i autores Vilhelma Vranari Haxhiraj, parathënine  ete ciles e shkrova ,përbën një tjetër dëshmi të fuqishme të angazhimit të saj intelektual dhe qytetar. Ky botim, i realizuar nga Shtëpia Botuese “Nacional”, me redaktor Mujo Buçpapaj, paraqitet si një vepër e kuruar me kujdes në çdo detaj: nga kopertina e konceptuar nga vetë autorja dhe e realizuar mjeshtërisht nga Jorgo Saqellari, te fotot e përzgjedhura nga Fitim Haxhiraj, si dhe parathënia e shkruar nga Gëzim Llojdia.

Në këtë libër me larmi të gjerë temash, autorja sjell në vëmendje problematika social-politike që prekin drejtpërdrejt komunitetin, familjen dhe kombin. “Pa Koment”, me 368 faqe, shfaqet si një vazhdimësi e natyrshme e vëllimit të parë “Pa Titull” (2011), duke krijuar kështu një binom veprash që pasqyrojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë aktualitetin shqiptar, marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe zhvillimet demokratike në vend.

Mesazhet që përcillen në këto ese janë ndër pjesët më tërheqëse të librit: ato janë spontane, të sinqerta dhe mbartin një forcë të veçantë emocionale. Në to ndihet qartë fryma atdhetare, por edhe malli i thellë i emigrimit, i cili shndërrohet në një motiv të vazhdueshëm reflektimi dhe ndjeshmërie.

Publicistika e autores dëshmon se kjo gjini nuk është thjesht një pasqyrim kronologjik i ngjarjeve, por një formë arti më vete. Përmes këtij botimi, ajo shfaq mjeshtërinë e saj në përdorimin e mjeteve shprehëse dhe në ndërtimin e një strukture që i afrohet ndjeshëm letërsisë artistike. Në thelb, kjo krijimtari mbështetet mbi parime estetike të mirëfillta, të cilat e dallojnë dhe e veçojnë nga format e tjera të shkrimit.

Në literaturën teorike është pranuar prej kohësh lidhja midis poetikës së letërsisë dhe asaj të publicistikës letrare. Kjo lidhje ndihmon për të kuptuar si ngjashmëritë, ashtu edhe dallimet midis tyre, duke krijuar një përfytyrim më të qartë mbi strukturën përmbajtësore dhe estetike të kësaj gjinie. Në rastin e autores, kjo ndërthurje realizohet me sukses: publicistika e saj afrohet me letërsinë pa humbur identitetin, duke ruajtur njëkohësisht thelbin social dhe mënyrën specifike të shprehjes së mendimit.

Kjo e bën veprën e saj njëkohësisht moderne dhe tërheqëse, një lexim të këndshëm dhe të dobishëm, ku lexuesi jo vetëm që përfshihet emocionalisht, por edhe fiton njohuri dhe reflektime të vlefshme mbi realitetin.

5.

Ja cfarë shkruan vetë autorja për këtë libër.

Për ju lexues…Të vërtetat lakuriqe!Këtë libër eseistik e publicistikë, ua kushtoj gjithë bashkëpunëtorëve të mi, atyre që kanë ndihmuar për daljen në dritë jo vetëm të këtij libri, por gjithë krijimtarisë sime 20 vjeçare, ku përfshihen që nga familja ime e deri te botuesit, redaktorët, recensuesit,kritikët dhe analistërt e shumtë,piktorët , fotografët, menaxherët, pa lënë mënjanë lexuesit dhe dashamirësitë e letërsisë.
Gjatë gjithë jetës sime jam munduar që të kërkoj, të udhëtoj  e të gjej rrugën drejt së vërtetës. Për fat të keq sado e pranishme që është kjo e vërtetë, me gjithë lakuriqësinë e saj është e vështirë të pranohet nga cilido. Ne jetojmë me kohën, edhe pse është abstrakte, ajo ecën me ne, na shoqëron në bëmat tona, në ngjitjet e zbritjet, në rrokopujat, në të përpjetat dhe tatëpjetat e jetës. Pra ne jemi pjesë e pandashme e kohës, e cila na shoqëron në çdo hap tonin e në çdo sekondë. Është koha ajo që edhe kundër vullnetit tonë, na ngre sipër në stratosferë si me krahë engjëlli, kurse më pas na ul poshtë deri në gjunjëzim. Por është pikërisht koha ajo që nuk na lë të përbaltemi, por na mëson se si të ringrihemi të rilindur. Gjatë këtyre oshilacioneve që quhen dallgët e jetës, njeriu fiton një përvojë jetike, e cila e mëson atë të ecë në rrugën e duhur. Ndërkohë  hyn në skutat më të errëta të jetës, si dhe në labirintet e padukshme të qenies së tij. Në këtë mënyrë secili nga ne arrin të njohë veten në njëfarë mase. Njeriu sa më shumë të njohë anën e padukshme të tij, aq më shpejt njeh realitetin dhe është në gjendje ta analizojë atë.
Natyrisht së pari njeh anët pozitive dhe ato negative të vetes. Gjë që njeriu bën të mundur që të  krijojë një këndvështrim të ri ndryshe për jetën. Atëherë individi del nga vetja e duke zbuluar të mirat dhe dobësitë e shoqërisë, fillon e i vë në dukje ato, jo me tendencë por me qëllim pozitiv që ato të shndërrohen në udhërrëfyes të njerëzimit. Kjo është detyra e krijuesit, artistit, e eseisti, publicistit apo gazetarit profesional. Sa më shumë vërtetësi të ketë në këtë gjini krijimtarie, aq më shpejt integron individi dhe si pasojë edhe kombi shkon drejt zhvillimit me hapa galopante.Porse kur ndodh kjo? Vetëm kur publicistika, gazetaria , letërsia dhe arti udhëhiqen nga pozitiviteti, kur nuk u mungon etika, estetika, trajtuar përmes një fjalori të pasur, pa huazime pompoze që po dëmtojnë gjuhën shqipe. Kujdesi për të mos lënduar teleshikuesit apo lexuesit, duhet domosdoshmërisht të hiqet dorë, që në përballjen e parë me komunitetin. Nuk duhet të reklamohen të parat fenomenet negative. Përballja e çdo njeriu me të keqen sa hap sytë në mëngjes , e vret atë shpirtërisht, e ligështon mendërisht dhe frenon vullnetin e cilit do, sepse media është epushtetshme m dhe ndikon pozitivisht apo negativisht tek dëgjuesi apo lexuesi.. Sa nis emisioni i lajmeve në ekran të TV, apo në titrat e gjithë mediave me kronikë të zezë, përballja me të keqen, nuk i bënë mirë askujt, sepse as dita, as puna, as ekonomia dhe as gjendja ndërgjegjësore e shpirtërore  nuk shkojnë mbarë. Dita duhet të nis me një lajm të bukur  e të gëzueshëm.
Ka ardhur koha që të paraqesim një publicistikë apo gazetari ndryshe, pa fjalor fyes apo vulgar. Duhet të kemi parasysh se çfarë po u mësojmë brezave? Pikërisht duke u ndalur këtu, na dalin pyetje të tilla që e vënë median para provës, para përgjegjësisë  se ç’rol luajnë dhe cili është misioni tyre. Autori që shkruan po qe se ka parasysh këto dilema, duhet të matet shumë para se të shkruajë për një problem shqetësues, sepse në vend që të edukojë, apo ndihmojë, artikulli i tij ç’edukon dhe shkatërron. Jo më kot Media është quajtur Pushteti i Katërt, ndaj për misionin madhor që ka, duhet të paraqesë të vërtetat lakuriqe, pa hiperbolizime, pa nxitje dhe mllefe, por vetëm të arrijë që përmes saj, të edukojë mirësinë si kusht për mbarëvajtjen e Kombit. Për të qenë i/e suksesshme, lexuesi ka nevojë për një media të pavaruar nga politika, një media që pasqyron realitetin dhe të vërtetën. Për këtë fushë të komunikimit është e domosdoshme Liria e Medias, prej së cilës në marrëdhëniet shtyp-lexues kërkohet të vendoset drejtësi. Në qoftë se do të kthehemi pas në kohë, sepse ajo na shërben si udhërrëfyes, do të shohim se liria e shtypit ka nisur të vlerësohet në Angli qysh në shek e XVII. Ndaj çdo krijuesi të gjinisë ese- publicistikë, i duhet të lexojë Xhon Milton,të parin që kërkoi shtypin e pavarur përmes librit ”Aeropagjitika” në vitin 1643, i cili i parashtroi parlamentit kërkesën për për këtë të drejtë, që është një nga kushtet themelore të zhvillimit social të demokracive.

Shpreh mirënjohjen time për:
Redaktorin e librit, z. Mujo Buçpapaj, z.Gëzim Llojdia i cili e ka qëndisur parathënien e librit, disenjatorin e mrekullueshëm Jorgo Saqellari për kopetrinën,  Shtëpinë Botuese Nacional në bashkëpunim me shtypshkronjën Europrint dhe veçanërisht falenderoj znj. Blerina Ndreu për punën e kujdesshme gjatë shtypjes! Falenderoj familjen time, sidomos bashkëshortin tim Fitim Haxhiraj për fotot në çastet më pikante dhe punën tij si menaxher! Konsiderata të vacanta kam për lexuesin tim si kritik i paanshëm, si dhe për miqtë e mi kudo që janë në botë! I përshëndes të gjithë përmes këtij libri modest me ese dhe publicistikë!
E juaja Vivra
Vlorë më 28 Nëntor 2016