Horizonte të hapura…Gezim Llojdia

Gëzim Llojdia

1.

Kur hyje në portin e Durrësit,aty ku deti puth bankinat me zhurmë të moçme dhe era përkëdhel makineritë si kujtime të gjalla, të duket sikur çdo dallgë flet.Flet për punëtorët që dikur nuk u trembeshin stuhive, për kripën që iu ngjitet në trup, për jetët që janë të thurura mes hekurit e zemrës. Dhe flet për Adem Rekën,vinçierin që nuk ju dorëzua detit të egërsuar.Besohet se ishte nëntor.Qielli i rënduar si kapak plumbi, dhe deti ai shok i përditshëm i punës atë ditë u kthye në armik.Erërat ulërinin.Dhe dallgët kafshonin brigjet,por ai nuk u tërhoq. I shkoi mjetit të punës siç kishte bërë për shtatëmbëdhjetë vjet me radhë. E dinte rrezikun, por mbi gjithçka vinte detyra.Ashtu ishte koha dhe jeta. Ashtu shkruhej,sipas kohës dhe regjimit.Aty ra. Në krah të portit, mbi bankinë, me kraharorin përballë stuhisë. Dhe, që nga ajo ditë, emri i tij u skalit në vinç, në gur, në film. “Horizonte të hapura” një dritare, që u hap mbi kujtesën e një populli.

…Dikur kam kaluar pranë bigës, që mban emrin e tij, dhe duket sikur edhe deti kishte ndryshuar.Dhe ai nuk është më i egër. Është i qetë, i turpëruar,i heshtur. Sepse edhe deti, herë pas here, ka nevojë të përkulet.Deti këtu nuk është thjesht ujë është histori.Është fakt sakrifice dhe dhimbje.Pikërisht këtu, para shumë dekadash,një ditë nëntori Deti i trazuar dhe i pabesë, i përflakur nga erërat, i mori jetën një vinçieri.

2.

…17 Nëntor 1966 .Një mot me stuhi dhe erëra,” pushton “qytetin e Durrësit.Stuhia mbante të bllokuar në vorbullën e saj sigurisht, portin detar ku mundësia e dëmeve,që mund të priteshin ishin më të mëdha se kudo.Erërat dhe dallgët kishin nxjerr në pah një mot të xhindosur e kishin bërë detin të dukej i tmerrshëm dhe anijet e mjetet e tjera lundruese të dridheshin, para kësaj stuhie.Erërat përplaseshin mbi bankinë dhe mbi anijet dhe deti ngrinte dallgë të lartë dhe të frikshme, të cilat rrihnin muret e portit. Asaj ditë, deti nuk ishte më mik, por një i tërbuar që kërcënonte çdo gjë përpara.Anijet dhe mjetet e tjera lundruese lëkundeshin e dridheshin të lidhura me një vend në përballje me një natyrë, që s’linte sipërfaqe për mëshirë.Në atë port mbizotëronte ankthi dhe vigjilenca. Çdo gjë e ndjente se kjo ishte një ditë e tillë, një përballje jo me vetëm detin e fryrë nga zemërimi i natyrës.Erërat ulërinin,ndërsa dallgët përplaseshin me egërsi mbi anijet e ankoruara. Të gjitha mjetet lundruese dridheshin nën fuqinë e stuhisë. Pamja që ofrohej ishte e frikshme.E dini kur tërbohet deti dhe ai merr jetë.Erërat rrezikonin ndërmjet të tjerave bigën e madhe lundruese, që mund të përplasej me anijet. Dhe nga ana tjetër punëtorët e bigës, që mundoheshin të mbanin me duar kabllot, që këputeshin çdo çast.Në atë ditë të zymtë,nën shiun e rrëmbyeshëm dhe “breshërin e dallgëve,” që përplasen mbi kuvertë, njerëzit nuk po luftonin vetëm me natyrën.Por me vetë rrezikun e vdekjes. Në anën tjetër, punëtorin e madhështon me përkushtim të mbajturit e kabllove të çelikut, duke i tërhequr me duar të zhveshura.Por era dhe dallgët bënin të vetën. Kabllot kaputeshin një nga një,ndërsa secila këputje sillte rrezik madh.

3.

Vinçieri ishte vetëm 39 vjeç dhe quhej Adem.Njëra nga kabllot që mbajnën bigën lundruese u shkëput dhe e goditi rëndë, duke e rrëzuar për vdekje.

Adem kishte 17 vite përvojë pune në port, por si arsye dhe guxim nuk mjaftuan për dashuri nga forca e erës dhe ujrat e detit.Mes britmave të erës, përplasjes së dallgëve, ai mbylli sytë përgjithmonë.Ishte dita e stuhisë së madhe , me stuhi e erëra, të datës 17 nëntorit 1966.

4.

Sipas të dhënave të publikuara në Ëikipedia,Adem Reka u lind në vitin 1927.

Ademi doli partizan dhe ishte në Br. e III-të S.

Pas çlirimit të vendit, shkoi vullnetar në ndërtimin e Hekurudhës Durrës-Peqin.Në vitin 1949, fillon punë në Flotën Detare e më vonë në Bigën lundruese. U shqua vazhdimisht për ndërgjegje të lartë, për guxim dhe devotshmëri deri në sakrificë. Ra heroikisht në mbrojtje të pronës së përbashkët, për të shpëtuar Bigën nga valët e tërbuara të detit më 17 nëntor 1966. Për këtë akt u shpall ”Hero i Punës Socialiste”.

Më 17 nëntor 1966, gjatë një stuhie të tillë që goditi portin e Durrësit, ai ra në krye të detyrës. U përpoq me gjithë forcën e tij për të gjitha llojet e mëdha të lundrimit nga përplasja me anijet e tjera, por humbi jetën në këtë ngjarje heroike.

5.

…Porti detar Durrës:Më 17 nëntor 1966, A.Reka së bashku me kolegët e tij luftuan ndaj forcave të natyrës për të shpëtuar mjetin në të cilin punonin dhe që ndodhej në basenin portual.Biga lundruese, që në vitin 1966 morri emrin “Adem Reka” .Pas aktit, ku humbi jetën në krye të detyrës, biga lundruese u kthye në një simbol të përkushtimit dhe sakrificës në port.

Vinçi lundrues u bë mjaft i njohur pas realizimit të filmit artistik “Horizonte të hapura”, me regji të Viktor Gjikës dhe skenar të Dritëro Agollit, i cili i kushtohej aktit heroik të 17 nëntorit 1966.

Në lulishten pranë Drejtorisë Ekzekutive të APD-së, është vendosur një bust i heroit Adem Reka, vepër e skulptorit durrsak Dhimitër Harallambi. Ndërsa është ekspozuar një maket i Bigës Lundruese,punuar në shkallën 1:50 nga mjeshtri Luan Shabani.

Për më shumë se gjashtë dekada, vinçi lundrues me kapacitet ngritës 100 ton,dhe personeli punonjës i tij, ka dhënë një kontribut të veçantë në ngarkim-shkarkimin, brenda dhe jashtë basenit portual, të qindra objekteve, pajisjeve dhe makinerive, të cilat i shërbenin ekonomisë kombëtare.

6.

Për vinçierin Adem Rekën, në vitet pas ngjarjes heroike, janë shkruar një numër i konsiderueshëm krijimesh letrare, vepra poezi.

Mirëpo ajo që duhet thënën është nuk kanë arritur në nivel të lartë artistik.

Gazeta letrare “Drita”, në disa numra të saj gjatë muajve të vitit 1967, ka pasqyruar dhe njëherazi këto probleme,duke theksuar nivelin jo të lartë poetik.Megjithatë, ndër to spikat edhe ndonjë krijim i vogël, por i ndjerë dhe kuptimplotë.

… Një shembull i tillë është poezia e D. Qirixhidhit nga Vlora, botuar në “Drita”, e cila në pak vargje emocione të sinqerta.

…Isha mbi bigë.

Mbi bigën e fortë krenare prej hekuri.

Shtrëngova duart e shokëve punëtorë në bigë.

Njoha Ademin,

Kur preka bigën

Preka trupin e tij punëtorë

Mu kujtuan tre fëmijët e tij

Se biga ,populli e Ademi janë një…

…Poeti Koçi Petriti në një analizë për disa poezi kushtuar A.Rekës shkruan:Le të marrim si shembull vjershat e shkruara për Adem Rekën. Ka disa vjersha të mira,por në të shumtën ato i ngjajnë njëra tjetrës në shtjellim,në fjalor, dhe figura e japin heroin në plan mitologjiko-legjendar nëpërmjet një gjuhe tepër oratorike në vend, që të thellohen në atë imtësi e detaje dhe ngjyra karakteristike për të dhënë të gjallë një hero të klasë sonë punëtore…

Një reportazh i shkruar nga Gjergj Vlashi në vitin 1967.

…Në portin e Durrësit çdo ditë hyjnë e dalin qindra njerëz. këta janë marinarë,punëtorë ngarkim shkarkimi,mekanikë,vinçierë. Në port punohet 24 orë,kështu këto hyrje daljet janë si një baticë dhe zbaticë e pandërprere njerëzish.Në mes të këtij grumbulli njerëzish kalonte para një muaji një vinçier me trup të imtë e fytyrë të hajthët, që nuk ndryshonte aspak nga punëtorët e tjerë,ishte i veshur si ata ishte i thjeshtë si ata i dashur dhe punëtorë i mirë. Me një fjalë ,njeri që e njihte dhe dashuronte profesionin e tij që bënte shaka,që çonte fëmijët në çerdhe dhe në orët e lira lexonte libra ose zinte peshk. Por një ditë nga mesi i nëntorit,kur elementët e natyrës shpërthyen si të çmendura dhe mjeti ku ai punonte rrezikohej nga forcat e papërmbajtura të stuhisë,ky njeri la vendin e nxehtë pranë sobës,veshi mushamanë e lagur nga shiu dhe shkoi në port ashtu siç kishte shkuar shtatëmbëdhjetë vjet me radhë. Duke luftuar kundër stuhisë për të shpëtuar mjetin ku punonte,u plagos. E çuan në kabinën e vet,që të qetësohej e të mblidhet fuqitë…

U ngritë menjëherë harroi dhimbjen e plagës dhe doli përsëri në kuvertë dhe u shkoi në ndihmë shokëve që përpiqeshin të siguronin mjetin.Dhe aty me kraharorin kthyer përballë stuhisë ra mbi bankinën e portit dhe vdiq në krye të detyrës. Emri i tij ishte Adem Reka…

Në një cep të bankinës është biga madhe,vendi i punës së Adem Rekës. Ajo po monton një elektrovinc të ri dhe mban pezull në ajër pjesën e lëvizshme të tij ,që peshon 16 ton dhe po e ul mbi pjesën e pa lëvizshme për të bashkuar gjymtyrët e stërmëdhenj të mekanizmit…

7.

…Bigën lundruese:”Adem Reka” e kam parë për herë të parë në portin e Durrësit kur ne bëmë një vizitë ,ishim nxënës të viteve të dyta të shkollave të mesme.

Biga ishte gjigante ,lartësohej para syve tanë ndërsa në faqen e saj kryesore shkruhej:”Biga lundruese Adem Reka”.

Biga 100 ton ishte pranë kalatës dhe për ta vizituar atë kishin vendosur një dërrasë të ngushtë.Por që e bënte të frikshme për ta kapërcyer barrierën e ujit. Shumë pak vetë shkuan atje, ndërsa ne të tjerët e sodisnim nga poshtë. Nuk kishim aso kohe aparat fotografik , për të fiksuar në celuloid dhe ajo që mbetej ishte thjeshtë një vizatim në” tenien e trurit”,të tjerat haroheshin.

Disa të dhëna për bigën lundruese:”

…Ardhur në vitin 1956. Biga Lundruese “Adem Reka” mund të konsiderohet si vinçi më i famshëm në Shqipëri, simbol i Portit Detar të Durrësit dhe i detarisë.

Vinçi ishte prodhim hungarez i markës “GANZ” me kapacitet 100 Ton (në ngritje peshash), por për shkak të moshës, peshëngritja është ulur.

8.

Vinçi dhe historia e tij epike janë përballur me bukurinë e artistëve në filmin “Horizonte të hapura”,një vepër që i kushtohet aktit heroik të 17 nëntorit.

Por prej asaj dhe vite më pas në kohët e sotme nuk ka ekuipazh për lundrim. Por vetëm një staf mekanikësh dhe vinçierësh, që duheshin për funksionimin e tij si vinç.

Biga Lundruese nuk është një anije, por një platformë lundruese e cila mbi kuvertën e saj ka të instaluar një vinç, i cili shërbente dikur për ngarkim-shkarkim të objekteve dhe mallrave të ndryshme për ato anije të cilat nuk mund të ankoroheshin dot brenda “oborrit” (basenit ujor, parkimit) të Portit Detar të Durrësit, që në ato vite kur u soll Biga, nuk kishte përmasat dhe kapacitetet përpunuese.

Duke pasur një formë drejtkëndore dhe një vinç të lartë sipër mbi kuvertë, Biga luante rolin e një kalate lundruese, e cila lundronte përtej mureve të Portit për të bërë shkarkimin ose ngarkimin e mallrave të ndryshme nga anijet tregtare që ankoroheshin në radën e jashtme të Portit.

9.

Për vincierin,bigën lundruese dhe portin e atij qyteti u xhirua një film artistik,krahas dokumentarëve të kohës.Në vitin 1968 në gazetën letrare:”Drita” u dha njoftimi për shfaqjet e para të filmit artistik:”Horizonte të hapura”.

Ja çfarë shkruan njoftimi:

…”Në kinematë e disa qyteteve filloi të çfaqet filmi i ri artistik:”Horizonte të hapura” prodhuar nga:”Kinostudio Shqipëria e Re”.

Premiera u dha të martën që shkoi në kinemanë:”Iliria” të Durrësit,qyteti në portin e të cilit,zhvillohen ngjarjet filmit.

Përveç shumë punonjësve të qytetit dhe portit detar,në premierë ndodheshin Sekretari i parë i rrethit Rita Marko,Kryetar i Komitetit Ekzekutiv Iliaz Reka,drejtori i kinostudios”Shqipëria e Re” Vaskë Aristidhi .

Autorët filmit skenaristi Dritëro Agolli dhe regjisori operatori Viktor Gjika, janë frymëzuar për krijimin e kësaj vepre artistike, nga jeta dhe akti heroik i Adem Rekës.Në rolet kryesore interpretojnë Dhimitër Orgocka, Sandër Prosi,Robert Ndrenika,Gaqo Spiru,Pandi Raidhi,Sulejman Pitarka,Shpëtim Shmili,Nikolin Xhoja e Mirekta Cobani.

10.

…Në gazetën Drita të vitit 1967 jepen dhe dy artikuj kushtuar filmit.

Vasil Qesari dhe Gjergji Pano studentë shkruajnë:

…”Maqinat e ngarkuara shkojnë e vijnë.Vinçat ngarkojnë e shkarkojnë.Vagonët sjellin mineral.Njerëzit shtrëngojnë kabot të gjithë punojnë.Kjo është pamja e atdheut tonë socialist. Kështu fillon filmi i ri artistik:”Horizonte të hapura”.Pas sukseseve të fundit në filmat:”Duel i heshtur’ dhe :”Ngadhënjim Mbi Vdekjen” .

Filmi:”Horizonte të hapura’ është një novacion për kinematografin tonë. Është filmi për njeriun tonë të ri,atë që dje në rreshtat e çetave partizane ishte gati të jepte jetën për lirin e atdheut dhe sot për mbrojtjen e pasurisë socialiste,djersën e popullit. Film për njerëzit tanë të thjeshtë ,modest me duart me kallo e graso që janë punëtorë pararojë….Në qendër të filmit qëndron figura e Uran Korabit interpretuar plotë mjeshtëri nga aktori Dh.Orgocka.Artisti plot mjeshtëri e bindje,duke evituar çdo artificë apo ndonjë rregull interpretimi teatral jep figurën e komunistit punëtor i cili edhe pse ndeshet me pengesat e shefave burokratë merr iniciativa i përkrahur nga kolektivi…

Pasi kanë vlerësuar filmin dhe të gjithë kuintat e tij si dhe aktorët e tij,të dy studentët në përfundim të shkrimit të tyre thonë:Duke përfunduar kishim edhe ndonjë vërejtje të vogël. P.sh anëtarët ekuipazhit të bigës,ç’është e drejta sikur e teprojnë duke shuar e ndezur cigare vend e pa vend. N.q.s do të ndodhet kështu edhe në realitet,atëherë ata detarë duhet të blinin nga dy-tre paqeta në ditë dhe ti pinin të gjitha gjatë orarit të punës, mendojmë se kineastëve tanë u duhet akoma shumë për të bërë ,për ti shpëtuar fragmentimit të skenave të filmit. Herë pas here linja e veprimit këputet dhe vëmendja e spektatorit riorientohet…

…Kineasti Endri Keko në një shkrim të tij të gazeta :”Drita” 24 mars 1968,shkruan:

”Horizonte të hapura’”vazhdon të shihet nga qindra spektatorë.Cilat janë karakteristikave e tij,të cilat tek qindra e qindra spektatorë ngjallin diskutime nga më pozitivet…?

11.

Filmi artistik:”Horizonte të hapura”.

Viti:1968.

Prodhuesi i filmit:Kinostudio :”Shqipëria e re”.Tiranë.

Regjia:Viktor Gjika.

Skenari:Dritëro Agolli.

Muzika:Limos Dizdari

Aktorë: Dhimitër Orgocka, Aleksandër Prosi, Robert Ndrenika, Pandi Raidhi, Gaqo Spiro, Nikolin Xhoja,Sulejman Pitarka,Mirketa Çobani Shpëtim Shmilli Ermir Kokalari Dhorkë Orgocka,Thanas Boradini,Todi Thanasi Gaqo Lepuri Dashamir Gjati Petraq Gjati,Abdulla Duma, Vangjel Sotiri….

…Ky film, megjithëse trajton një temë të kohës së shkuar , mbetet i pëlqyeshëm edhe sot për publikun.Ngase sjell në ekran realitetin e një personi me të mirat dhe të këqijat e tij. “Horizonte të hapura” është një jetë e madhe për shumë vite të periudhës së shkuar. jo që duhet theksuar është skenari i shkruar nga shkrimtari i njohur Dritëro Agolli si një kryevepër të vërtetë. Në qendër të tij është historia e një detari vinçier, i cili bie në krye të detyrës, duke kryesuar figurën e njeriut të punës por të përkushtuar.

Krahas tij, ka edhe figura e burokratit Sokrat Dëma, i cili pengon në çdo hallkë të qelizës së ndërmarrjes portuale.Ai nuk jep zgjidhje, por mbështet vetëm në shkresa dhe urdhra, duke u bërë simbol i burokracisë së njohur të atij sistemi. Një ndër replikat më shumë se filmi është shprehja :

– Pa eja pak këtej se diç dua të të them. Ti djalë do të heq nga biga dhe krejt porti për sjelljeje rrugaçërie..

Dhe përgjigja e vinçierit është e thjeshtë:

-Po të qe porti pronë e tyt eti…

…Në filmin spikat edhe personazhi i djaloshit të ri,Robert Çamçakëzi, i interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga aktori Shpëtim Shmili.Ky personazh, që ka mburrje dhe fodullëk, është një tipik i të rinjve të asaj kohe, që ka bërë vetëbesim të shtirur, por gjithashtui kapur në rrjetën e propagandës. Ai sjell në film një dozë të madhe humori dhe ironie, me batuta që janë bërë pjesë e kujtesës kolektive të shikuesve edhe pas shumë vitesh.

-Na ore ti djalë. Ç’punë, ke ti me marinarët e huaj ?

-Mos je gjë polic?

-Po qe nevoja edhe polic bëhem.

Dokumentin. Pip…

Dialog i këndshëm për kohën.

-Do të shkosh me shokun Zylo të biga për të kontrolluar.

-Të më falni, por shokun Sokrat unë e njohë vetëm shkresërisht. Të më falni, të më ndjeni unë vijë se më ka dërguar shoku Sokrat,por kolektivi i bigës tuaj nuk më pëlqen…

Takimet romantike mes Artës dhe Azemit janë të mbushura me ndjenja dhe delikatesë.Një interpretim i shkëlqyer i aktores të njohur Mirekta Cobani lindur në Elbasan më 23 mars 1947. Ajo përfundoi Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969 dhe ka interpretuar në disa filma të njohur të kinematografisë shqiptare si “Horizonte të hapura”, “Qyteti më i ri në botë”, “Shoku ynë Tili”,Dora e ngrohtë”.”Koha nuk pret”.Po aq i spikatur është edhe personazhi i Kiço kuzhinierit, është luajtur me shumë finesë nga aktori Nikolin Xhoja, si dhe ai i xha Kasemit, interpretuar me ngrohtësi nga P. Raidhi. Në një nga skenat kur punonjësit e tij po çlodhën pas punës, Kiço u thotë:

-“Bëjmë një dorë domino.Azemi me Uranin dhe unë me Çanakalanë”.

Ndërkohë, xha Kasemi nuk rresht së rrëfyerit historitë e famshme të Çanakalasë, që përsëritet në çdo rast.

… “Horizonte të hapura” është një ditë e zakonshme në realitetin socialist, por me një gjuhë kinematografike të lëndës, materiale dhe shpesh herë të ngrohta.Ai është një kujtim artistik për ata që nuk e kanë jetuar atë kohë .

10.

…Deti atë ditë ishte shpërfytyruar.U zgjua si një bishë e vjetër, e zymtë.Kishte vetëm zemërim, krismë, egërsi. Era shkulmonte gjithçka, ndërsa valët përplaseshin me një urrjtje të vetme mbi bankinat e portit të Durrësit. Ishte 17 nëntor i vitit 1966. Në mes të kësaj stuhie dhe një njeri i punës, një vinçier, hyri mes furtunës si një luftëtar pa mburojë.Nuk kërkoi lavdi. Deshi vetëm të shpëtonte mjetin ku kishte kaluar 17 vjet jetë, të mëdha lundruese.Por deti ishte më i fortë atë ditë. Një kabllo e çliruar nga egërsia e valëve e goditi për vdekje.Dhe kjo është historia e një vincieri të vrarë tragjikisht në luftë me detin e egërsuar në një prej porteve të Shqipërisë ,në vitin ‘66.